Me vendim të Gjykatës së Posaçme, ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka lirohet sot nga qelitë e paraburgimit të Durrësit. Gjyqtari Bib Ndreca pranoi kërkesën e Lefter Kokës për shuarjen e masës ‘arrest me burg’ për inceneratorin e Fierit, të cilës i ka mbaruar afati i paraburgimit me 3 vjet.
Masa për Inceneratorin e Fierit ishte e vetmja çështje që mbante ish-ministrin në burg, pasi për inceneratorin e Elbasanit ai fitoi të drejtën e lirimit me kusht në korrik të këtij viti. Edhe për inceneratorin e Tiranës i është shuar masa e sigurisë pasi ka mbaruar dënimin e marrë në shkallë të parë.
Lefter Koka aktualisht ndodhet në spital për probleme me zemrën. Burime nga Drejtoria e Burgut na thonë se sapo tu shkojë vendimi i GJKKO-së për shuarjen e masës së sigurisë, do të përgatiten letrat dhe do i çohet procesverbali ne spital. Lefter Koka nuk do të rikthehet më në burg, por do të lirohet direkt nga spitali.
Më 25 korrik 2025, Lefter Koka, në një seancë me dyer të mbyllura, mori nga Gjykata e Durrësit vendimin për liri me kusht për një dënim 6 vite e 8 muaj burg (me gjykim të shkurtuar) për inceneratorin e Elbasanit. Për këtë dënim, i vetmi që ka marrë formë të prerë, nga tre të aferës së inceneratorëve, ish ministri i Mjedisit ndodhej në burg që prej 14 vjetorit 2021, dhe bashkë me paraburgimin i kishin mbetur më pak se një vit e gjysmë.
Për të marrë lirimin me kusht nga gjyqtari i Durrësit Xhevdet Lika, si gjykata kompetente për shkak të vendit ku Lefter Koka vuan dënimin, ish ministrin e mbështeti edhe prokurori i Durrësit Gëzim Çopja, i cili ishte dakord me kërkesën dhe nuk bëri asnjë ankim në Apel. Më herët në GJKKO Lefter Koka ka marrë shuarjen e masës së sigurisë “arrest me burg” për inceneratorin e Tiranës, pasi dënimi i marrë me 2 vite burg për “shpërdorim detyre” në shkallë të parë është ezauruar me paraburgim.
Për të dalë nga qelia dhe më në fund për të fituar lirinë pas 4 vitesh në burg (që prej 14 dhjetorit 2021), ish ministrit të Mjedisit Lefter Koka i mbetej edhe një pengesë e fundit, dënimi për inceneratorin e Fierit. Për këtë aferë ai është dënuar me 6 vite e 8 muaj burgim nga shkalla e parë, ndërsa çështja është tashmë sërish në Gjykatën e Apelit, ku e risolli Gjykata e Lartë.
Vendimi i GJKKO-së:
1. Kërkuesi Lefter Koka ka paraqitur pranë gjykatës kërkesën me objekt: “Konstatimin e humbjes së fuqisë së paraburgimit dhënë shtetasit Lefter Koka, me vendimin nr.22, datë 23.06.2022, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e zbatuar nga policia gjyqësorë në datë 29.03.2022, ora 09:15, dhe e lënë në fuqi me vendimin nr.23, datë 31.03.2022, të po kësaj gjykate”.
2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Bib Ndreca, me vendimin nr. 798, datë 11.12.2025, vendosi:
3. Pranimin e kërkesës.
4.Konstatimin e humbjes së fuqisë së paraburgimit, konkretisht të masës së sigurimit “Arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, caktuar me vendimin Nr.22 datë 26.03.2022, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, masë e ekzekutuar më datë 29.03.2022, ora 09:15, dhe masë e vijuar me vendimin Nr.23, datë 31.03.2022, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj Lefter H. Koka, në zbatim të nenit 263/6/c të K.Pr.Penale, përshkak se kohëzgjatja tërësore e paraburgimit ka kaluar mbi tre vjet.
5.Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i kërkuesit Lefter H. Koka, nga ambjentet e paraburgimit, përveçse nëse ndaj këtij shtetasi ka ndonjë masë tjetër sigurimi personal me karakter shtrëngues parashikuar nga nenet 238 K.Pr.Penale, urdhër ndalimi, apo dënim tjetër penal me burgim të formës së prerë, të pavajtuar.
6.Urdhërohet Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Policia Gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi.
7.Shpenzimet gjyqësore siç janë bërë.
8. Kundër këtij vendimi lejohet e drejta e ankimit brenda 5 (pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë
Lajmi në përditësim...

Lefter Koka aktualisht ndodhet në spital për probleme me zemrën. Burime nga Drejtoria e Burgut na thonë se sapo t'u shkojë vendimi i GJKKO-së për shuarjen e masës së sigurisë, do të përgatiten letrat dhe do i çohet procesverbali në spital. Lefter Koka do të lirohet direkt nga spitali.
Komente










Ha ,pi vill, e mos i gezofsh leket dhe gjakun e shqiptarve!
Përgjigju