Prokuroria e Posaçme kërkon 1 vit e gjysmë burg për Majlinda Bufin, kryetaren e Bashkisë Roskovec për përdorim të funksionit për veprimtari politike ose zgjedhore. SPAK ka kërkuar 2 vite shërbim prove, bazuar te akuza e mësipërme. Sipas SPAK, Bufi ushtroi presion ndaj një qytetari, i cili mbështeste opozitën, për të mos votuar në zgjedhjet e majit 2023. Prokurorja Dorina Bejko kërkoi edhe 5 vite mosushtrim të funksioneve publike.

hetimet e SPAK, rezultoi se Bufi ka përdorur situatën e qytetarit për t’i bërë presion, pasi ky i fundit kishte përfituar nga programi social i bashkisë për përmirësimin e kushteve të banimit, por nga ana tjetër nuk kishte as dokumente pronësie.

Hetimet e SPAK zbuluan se banesa për të cilën qytetari në fjalë kishte kërkuar ndihmë nga bashkia nuk ishte një shtëpi ekzistuese, por ai sapo i kishte nisur punimet dhe nuk kishte as dokumentacion të plotë pronësie. Pavarësisht kësaj, ai ishte përfshirë në programin e mbështetjes sociale, dhe Bufi ishte në dijeni të situatës.

Pak ditë para takimit me kryebashkiaken, punonjës të IMT-së së Bashkisë Roskovec shkuan në vendin ku po ndërtohej objekti dhe i kërkuan qytetarit që të ndalonte punimet, duke pretenduar se ato ishin të paligjshme dhe jashtë ndihmës që ofronte programi social. 

Më pas, qytetari është thirrur në Bashki dhe ka zhvilluar një takim me Bufin. Sipas SPAK, biseda mes tyre është është “zhvilluar në një formë presioni duke i përmendur se punimet ishin në tejkalim të ndihmës dhe se kishte kryer ndërtim pa leje”.

Kryebashkiakja e Roskovecit u denoncua në SPAK nga Partia Demokratike.