TIRANE- Dy efektivë të Komisariatit të Policisë së Shkodrës janë konfliktuar orët e para të mëngjesit të djeshëm në ambientet e komisariatit, ku njëri prej tyre ka qëlluar me grushte kolegun. Menjëherë pas kësaj ngjarjeje, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Drejtorinë e Policisë së Shkodrës ka vënë në pranga 35-vjeçarin Besnik Demushi, me banim në Shkodër dhe me detyrë oficer policie. 35-vjeçari përfundoi në pranga pasi goditi me grushte punonjësin e policisë, eprorin e tij Behar Kraja, 36 vjeç, në ambientet e komisariatit.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shkodrës, përplasja fizike ndodhi pas një konflikti të çastit mes tyre. Oficeri i Policisë Besnik Demushi akuzohet për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”, ndërsa materialet procedurale të policisë në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë së Shkodrës. 

polici shkoder sherr

Konflikti 

Burime nga Policia e Shkodrës bënë me dije se konflikti mes dy punonjësve të policisë ka ndodhur orët e para të mëngjesit të djeshëm. Të njëjtat burime theksuan se i dhunuari është shefi i Sektorit të Krimit në Policinë e Shkodrës. Shkak për këtë ngjarje mësohet të jetë bërë një vërejtje e bërë nga shefi i Krimeve ndaj punonjësit të policisë, Besnik Demushit. Behar Kraja mësohet se kishte kohë që e paralajmëronte Demushin dhe kohët e fundit i kishte drejtuar edhe vërejtje. Ky fakt ka irritur 35-vjeçarin Demushi, i cili ka hyrë në debat me eprorin e tij në lidhje me vërejtjen. Më pas gjithçka ka degjeneruar në dhunë fizike mes dy protagonistëve. Pas ndërhyrjes së efektivëve të policisë, u bë i mundur arrestimi i oficerit, i cili tashmë ndodhet nën akuzë për dëmtime të tjera me dashje, parashikuar në Nenin 90 të Kodit Penal.

“Rrahja, si dhe çdo vepër tjetër dhune, përbën kundërvajtje penale dhe dënohen me gjobë. Po kjo vepër, kur ka shkaktuar paaftësi të përkohshme në punë deri në 9 ditë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në gjashtë muaj”. Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në drejtorinë e Policisë së Shkodrës bëjnë me dije se vijojnë hetimet mbi këtë rast për të bërë dokumentimin e plotë të ngjarjes. Ndërsa mësohet se është marrë në pyetje edhe efektivi i policisë Besnik Demushi, i cili ka sqaruar të gjitha rrethanat e ngjarjes. 

polici shkoderpolici shkoder



Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)