FIER- Katër persona janë arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Fierit, mes tyre është Arben Voja, aktualisht drejtor i Spitalit të Fierit, i cili më herët ka drejtuar Agjencinë Shtetërore të Kadastrës në këtë qytet. Arrestimet erdhën pas një hetimi për tjetërsimin e një sipërfaqeje prej 44 mijë metrash katrorë tokë shtetërore në zonën e Povelçës. Voja dyshohet për falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre në bashkëpunim.

Sipas hetimeve, toka shtetërore është kaluar në pronësi private përmes dokumenteve të falsifikuara dhe më pas i është shitur investitorit Halil Gashi për ndërtimin e një parku fotovoltaik.

Masat e sigurisë arrest me burg janë ekzekutuar dhe për Dilaver Shyti, ish-kreu i Njësisë Administrative Dërmenas; Fjorelo Bida, punonjëse e Kadastrës; dhe Anila Haxhiu, notere. Ndërsa për Arbina Jaupajn, gjithashtu punonjëse e Kadastrës, është caktuar masa detyrim paraqitjeje, si dhe ndalimi i daljes jashtë shtetit, me bllokimin e pasaportës.

Personat e arrestuar janë marrë në pyetje nga specialistët e Krimit Ekonomik në ambientet e Drejtorisë se Policisë Fier dhe më pas janë shoqëruar në dhomat e paraburgimit.

Prokuroria ka sekuestruar edhe sipërfaqen e tokës, e cila rezulton në pronësi të Halil Gashit. Sipas burimeve, ky i fundit nuk është vënë nën hetim, pasi nuk ka pasur dijeni për tjetërsimin. Masat e sigurisë janë kërkuar nga prokurori Leonard Suçi dhe janë miratuar nga gjyqtari Noel Veizi.

Drejtori i spitalit të Fierit, Arben Voja është përballur edhe më herët me hetime nga Prokuroria e Fierit, kur ishte në krye të Agjencisë së Mjedisit. Në dhjetor të vitit 2025, organi i akuzës njoftoi për përfundimin e hetimeve dhe dërgimin për gjykim të tij dhe 6 punonjësve të tjerë, për shpërdorim detyre në bashkëpunim. Çështja lidhej me shkelje në procedurat e dhënies së lejeve mjedisore.

Masat arrest me burg
Arben Voja- Drejtor i Spitalit të Fierit, ish-drejtor i Kadastrës së Fierit
Dilaver Shyti- Ish-kreu i Njësisë Administrative Dërmenas
Fjorelo Bida- Punonjëse e Kadastrës së Fierit
Anila Haxhiu- Notere

Ky është vetëm hetimi i fundit që prek Kadastrën e Fierit për këtë vit. Vetëm dy muaj më parë, në shtator 2026, gjykata la në burg dy ish-drejtues të tjerë të Kadastrës së Fierit, Ertis Shehu dhe Bardhyl Kapaj, së bashku me ish-specialistin Piro Çela. Ata u hetuan për falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre, pasi dyshohet se lejuan tjetërsimin e mbi 1,100 hektarëve tokë në zonën e Semanit në favor të ndërtuesve dhe përfituesve privatë. Gjatë hetimeve të shtatorit u sekuestruan sipërfaqe të mëdha toke dhe shuma të konsiderueshme parash (mbi 700 mijë euro).

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:57
Tjetërsimi i 44 mijë m² tokë në Povelçë, drejtori i Spitalit të Fierit dërgohet në paraburgim pas mbi 4 orësh marrje në pyetje! Në qeli edhe të arrestuarit e tjerë (VIDEO)

Pas më shumë se katër orësh marrje në pyetje nga prokurorët, drejtori i Spitalit Rajonal të Fierit, Arben Voja, është dërguar në dhomat e paraburgimit në Drejtorinë e Policisë së Fierit.

Voja u arrestua me urdhër të SPAK, në kuadër të hetimeve për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh, lidhur me tjetërsimin e rreth 44 mijë metrave katrorë tokë shtetërore në zonën e Povelçës. Sipas dyshimeve, prona është kaluar në pronësi private dhe më pas u është shitur investitorëve të një projekti fotovoltaik.