Pas mesnatës Korça është përfshirë nga stuhia e dëborës. Në lartësitë mbi 1000 metra reshjet janë të dendura, shoqëruar me erë të fortë. Në qytet reshjet janë me intensitet më të ulët.

Rruga Boboshticë–Dardhë, që të çon drejt pistes së skive u bllokua në mëngjes pasi trashësia e borës arrin mbi 50 cm. Borëpastrueset dolën në terren por sërish lëvizja e automjeteve kryhet vetëm me goma dimërore dhe zinxhirë sepse era e sjell sërish dëborën në rrugë.

Ndërsa në akset Korçë–Ersekë, Zëmblak–Goricë–Bilisht–Miras, Libonik–Rëmbec–Plasë dhe Korçë–Voskopojë trashësia e borës ka arritur deri në 8 cm dhe lëvizet me goma dimërore.

Në Qafë-Thanë vijojnë reshjet por rruga është aksesueshme, edhe pse në mesditë pati një ndalese të përkohshme për kamionët që lëviznin drejt doganës së Maqedonisë së Veriut.

Era e fortë ka dëmtuar linjat elektrike, duke lënë pa drita 743 abonentë familjarë e biznese, kryesisht në fshatra.

Bora ka mbuluar qytetin e Kukësit dhe të gjitha fshatrat, ku trashësia arrin mbi 7 cm. Lëvizja drejt fshatrave Malzi, Topojan dhe Bujan kryhet vetëm me zinxhirë. Po kështu fshatrat malorë vuajnë mungesën e energjisë.

Rruga e Kombit, sidomos në segmentin Reps–Tuneli i Kalimashit–Morinë paraqet vështirësi për shkak të reshjeve të dendura të borës. Policia Rrugore rekomandon uljen e shpejtësisë dhe përdorimin e gomave dimërore.

Një tjetër arterie e rëndësishme në verilindje të vendit është Rruga e Arbrit, ku trashësia e borës arrin në 10 cm.

Drejtuesit e mjeteve duhet të tregojnë kujdes, të përdorin goma dimërore dhe të ulin shpejtësinë. Segmenti më i rrezikshëm është Fushë-Bulqizë–Qafë Bualli, ku kontraktori po punon me mjete borëpastruese.

Reshjet e dendura të borës kanë përfshirë edhe Pukën e Fushë-Arrëzin, duke krijuar vështirësi në qarkullim, sidomos në aksin Bardhet–Kreyzi–Iballë. Në disa fshatra mësuesit nuk shkuan dot në shkollë për të dhënë mësim.

Po kështu, në fshatin turistik të Thethit ka vështirësi në qarkullim, sidomos në segmentin Boge–Qafë Thore. Borëpastrueset janë në terren, por trashësia e borës shkon mbi 20 cm, ndaj lëvizja kryhet vetëm me zinxhirë.

Përgatitën gazetarët e Report TV: Armand Braho, Benet Beqiri, Armir Mehaj, Mahir Jangulli

R.D/A.A/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 20 Janar, 20:34

    15 vite nga ‘21 janari’, kush mendoni se urdhëroi për të qëlluar qytetarët?