Dita e djeshme besoj ishte një ditë e trishtë për të gjithë ne, por me shume akoma për shoqërinë në tërësi. Vrasja e një adoleshenti nga një bashkëmoshatar i tij, na nxorri para syve një fëmijë të vrarë dhe një një tjetër që iu dorëzua krimit, tamam nga vendi ku duhet të dilnin të dy bashkë të shkolluar për t’u bërë qytetarë të mirë të këtij vendi.
 
Por akoma më të trishtë e bën ditën ca korba që duan të bëhen pëllumba duke u rritur mbi fatkeqësi të tilla. E them jo pa keqardhje, se reagimi i ca deputetëve të opozitës por edhe vetë zëdhënësit të PD-së, të z.Basha, ishte shumë larg të qenit serioze për një parti, e aspak humane qoftë dhe për një grupim kaotik njerëzish.
 
Për hir të së vërtetës kryetari juaj jokryetar, edhe dje, por edhe sot këtu – dje një orë e gjysmë konferencë për shtyp, sot nja 40 minuta, as e mori mundimin ta zinte në gojë ngjarjen por bëri xhiron e vet dhe tollovinë e zakonshme para kamerave, dhe për hir të së vërtetës u tregua më i ndershëm se ca të tjerë nga ju që u vërsulët si karkaleca mishngrënës për të bërtitur më shumë sesa vetë dhimbja e familjarëve.
 
Policia e Shtetit mori njoftim për ngjarjen e djeshme dhe brenda 8 orëve bëri të mundur kapjen e autorit duke përmbushur detyrën në mënyrë të shkëlqyer, siç besoj unë e ka bërë detyrën gjatë këtyre dy muajve. Dhe kjo është e dallueshme nga të gjithë me sy të lirë, përveç syve të errësuar të gjithë atyre që lëpijnë sot zëdhënësin se duan më shumë kryetarin jokryetar, sesa jetën, paqen, rendin dhe shtetit ligjor.
 
Por kjo nuk mund të mjaftojë. Dhe këtë e them unë i pari përpara sesa të bërtisni ju për të kapur ndonjë foltore. Puna e Policisë për të kapur në kohë rekord autorin edhe mund të mos mjaftojë, për të qenë të qetë të gjithë bashkë dhe as për të neglizhuar ndihmën që kërkon nga shoqëria në tërësi, në përpjekjen tonë të përbashkët për të ndërtuar shtetin ligjor dhe sigurinë. Nuk mjafton si prind dhe as si anëtar i këtij kabineti qeverisës.
 
Por kush e kërkon sot fajin te Policia, sapo i ka vënë shkelmin mundësisë që t’u shkojë këtyre problemeve në themel, duke mbyllur kështu sytë para zgjidhjeve që duhet të gjejmë të gjithë bashkë si ligjvënës dhe si shoqëri. Në qoftë se doni problemet reale, hapni gojën dhe flisni si duhet dhe hajde gjejmë zgjidhje të gjithë bashkë, por mos u merrni me shiritin magnetik që ju vë në gojë kryetari jokryetar.
 
Vendi është i militarizuar dhe shoqëria është e militarizuar nga armët e përhapura gjerësisht. Problem madhor. Sepse që nga viti 1997, po ky njeriu që doli këtu e la trashëgimi përhapjen masive të armëve luftarake dhe të armëve të zjarrit në nivele të atilla, sa sot plumbat dhe armët janë kthyer në alternativën e parë për të zgjidhur qoftë dhe konflikte banale, qoftë dhe ndërmjet adoleshentëve, dhe për sherre për facebook.
 
Ndaj Ministria e Punëve të Brendshme do të sjellë urgjentisht në qeveri dhe Qeveria do të paraqesë urgjentisht në parlament, dy projektligje. Një projektligj për armët dhe një tjetër për përdorimin e armëve, në mënyrë që t’i japim fund njëherë e mirë kapitullit më të zi të historisë së sigurisë publike në vend, që është përdorimi i armëve.
 
Nga ana tjetër, po rritet një brez i tërë të rinjsh me modele të deformuara në mënyrë radikale. Dhe afërmendsh shohin sesi deri dje kalamajtë e pushtetarëve respektoheshin më shumë; sesi të fortët deri dje respektoheshin më shumë; sesi shteti ishte përkulur deri dje ndaj të fortëve dhe të paprekshmëve; si ligjin e bënin gangsterët; si Policia tradhtohej nga shteti dhe nga shefat e tyre përpara të fortëve! Shohin si paraja respektohet më shumë; si dhuna respektohet më shumë, ndërkohë që vlerat shoqërore kanë zbritur nga piedestali i shoqërisë, sepse deri dje kishin zbritur dhe nga piedestali i politikës dhe vendimmarrjes politike. Shohin se sot në Shqipëri mund të bësh lekë shumë shpejt; mund të mbash një armë dhe je garip; je më garip po të kesh një makinë të shtrenjtë dhe të sfidosh ligjin. Sepse kur qeveria e djeshme bënte çorap shtetin dhe ligjin, natyrisht modeli që do të promovonte nuk ishte modeli i shëndoshë qoftë edhe për brezin e të rinjve.
 
Dhe akoma më keq, kur çuni i babit bënte biznes me demontim armësh, hidhte themelet dhe fshinte nga harta e Shqipërisë një fshat të tërë duke lënë pas 26 viktima. Po s’ka sesi të mos mendonin të rinjtë e këtij vendi se mund të bënin dhe parà shpejt, mund të bënin dhe gangsterin, mund të mbanin dhe armë, mund të bënin dhe krime. Se kur çuni i babit deri dje kryeministër nuk dënohej dhe s’i hynte gjemb në këmbë dhe babi e mbronte mu në mes të parlamentit, po sigurisht të tjerët do të ndjekin këtë model!
 
Dhe po kështu njëlloj presioni shoqëror minimal, për të mos thënë zero. Mjafton të shohësh ngjarjen e djeshme për të kuptuar sesi ka dështuar i gjithë zinxhiri i mekanizmave shoqërorë, që edhe mund të parandalonin vrasjen e djeshme apo vrasje të tilla. Duke filluar nga prindërit e fëmijëve që kanë toleruar sjelljen shoqërisht të rrezikshme për fëmijët e tyre, që nuk kanë ndaluar të mbajnë armë apo të ekspozojnë armë qoftë dhe në faqe sociale, që nuk janë treguar aktivë në shkollimin dhe edukimin e tyre.
 
Komuniteti i prindërve si një i tërë, shkollë dhe pranë shkollave që nuk ushtron ende presion aktiv për edukimin qytetar të fëmijëve të tyre. Komuniteti i mësuesve që nuk mund të mjaftohet me orët e mësimit, duke lënë mënjanë punën edukative me të rinjtë. Struktura e këshillimit social në çdo shkollë që në këtë rast ishte thuajse e pamjaftueshme dhe pse dihej gjerësisht se në atë shkollë, pikërisht në atë shkollë ku ndodhi dje kjo ngjarje, për nga karakteristikat e përbërjes demografike dhe prejardhjes së nxënësve dhe për nga karakteristikat e mësimdhënies dhe natyrës së mësimit, - ishte një shkollë ku duhej bërë kujdes maksimal me fëmijët.
 
Po kështu me radhë organizatat studentore, shokët dhe shoqet e klasës, bashkëmoshatarët, të rinjtë në tërësi që duket se sot kanë arritur në pikën sa u vjen turp të njoftojnë policinë për ngjarje që mund të çojnë deri në vrasje. Dje, të nderuar kolegë, ka falimetuar një zinxhir i tërë mekanizmash
 
Dje, të nderuar kolegë, ka falimetuar një mekanizmash që mund edhe të çonin në qoftë se do të ishin në vend, edhe në parandalimin e ngjarjeve të tilla. Prandaj nuk ka vend të krenohet njeri, e as të akuzojë ndonjë tjetër. Dhe këtë besoj po e kuptojnë të gjithë, përfshirë dhe supaxhitë që mund t’u shkojë në mend se mund t’i fusin ndonjë lugë supë qyl në vakitë e botës.
 
Ju dëgjova dje, që dolët dhe çirreshit në media lidhur me këtë ngjarje dhe me përgjegjësinë e qeverisë. Kanë ndodhur mbi 15 ngjarje të tilla, në 8 vitet tuaja të qeverisjes dhe nuk kam dëgjuar kurrë një njeri të vetëm prej jush të dalë këtu dhe në emër të përgjegjësisë qeverisëse t’i drejtohet parlamentit, qoftë edhe me kërkesën për ndihmë për t’i zgjidhur këto probleme.
 
Por kur u bëtë qytetarë? U bëtë sot qytetarë, u bëtë dje?!! Kur u bëtë prindër, u bëtë dje prindër?! Apo deri dje ishit prindër për të pasuruar fëmijët tuaj, për të pasuruar fëmijët e kryeministrit, ndërsa sot medemek jeni qytetarë të mirë për fëmijët e shqiptarëve. Jo kjo është tallje me publikun, më e pakta.
 
Të nderuar kolegë. Ky nuk është momenti që mund të krenohet njeri dhe aq më pak momenti, që dikush nga ju të çohet e të akuzojë njeri. Dhe këtë besoj e kuptojnë të gjithë përfshirë edhe ndonjë supaxhi, që mund t’i shkojë në mend të fusë ndonjë lugë supë qyl në vakitë e të tjerëve, siç bëri edhe dje.
 
Të tilla tragjedi dhe mos edhe më të këqija, ndodhin edhe në vende të tjera. Por kjo duhet të na shërbejë ne, qeverisë sigurisht, për të ndërmarrë reformën radikale siç po i bëjmë dhe do i sjellim këtu në parlament. Por duhet t’i shërbejë edhe shoqërtisë për të ndaluar 1 sekondë e për të reflektuar të gjithë bashkë mbi kriminalitetin e minorenëve dhe mbi përhapjen e gjerë të çështjeve të kriminalitetit në moshën minore. Dhe të na shërbejë të gjithëve për të ngritur në piedestal dhe t’u perulemi vlerave, dhe vlerave më të mira qytetare dhe jo antivlerave që fatkeqësisht, ka promovuar deri dje ish-kryeministri, sot kryetari jokryetar.
 
Siç duhet ti shërbejë politikës dhe ca nga ju që të mësojnë të heshtin atëherë kur nuk duhet të flasin. E kuptoj që keni shumë dëshirë të merreni me policinë, ju kam vënë re gjatë gjithë kësaj kohe. Keni shumë dëshirë të merreni me policinë, dhe ma merr mendja pse! Por mund të tregoheshit më të zgjuar në fakt. Mund të tregoheshit më të zgjuar duke më sulmuar vetëm mua personalisht dhe t’i linit të qetë oficerët e policisë që të bënin detyrën e tyre, siç e kanë bërë në mënyrë të shkëlqyer në këto 2 muaj. Por juve nuk ju rrihet pa u marrë me policinë sepse edhe në imagjinatën tuaj më të largët Policia e Shtetit as e mendonit ndonjëherë që mund të shndërrohej në agjencinë ligjzbatuese që është sot, me kaq suksese sa ka sot.
 
U habita ditën kur u larguan 7 të burgosur të rrezikshëm nga burgu i Drenovës. Doli prapë supaxhiu dhe tha se fajin e ka Policia. Harroi që Policia e Shtetit jo vetëm që e kishte paralajmëruar ish-drejtorin e burgjeve për futjen e armëve dhe skenarin e arratisjes, dhe ish drejtori i burgjeve është një ish-miellaxhi votash që e keni në parti sot, por harroi supaxhiu që dhe ishte ministër Drejtësie. Ishte vetë ministër Drejtësie ditën kur armët kanë hyrë brenda në burg. Dhe ato armë për të cilat drejtori i burgut lejoi hyrjen e tyre, nuk mund të hynin pa një shkelje syri nga ish-ministri i Drejtësisë, siç nuk mund të hynin pa një shkelje syri dhe nga deputeti i zonës.
Policia e Shtetit bëri atë që në shumë vende të botës do ta kishin zili: Kapjen e të kërkuarve, gjysma e tyre më të rrezikshëm brenda 12 orëve dhe pjesa tjetër brenda 5 ditësh. Dhe megjithatë ju kapët cepin t’a konsideronit dështim atë që shumë të tjerë, përfshi dhe partnerët ndërkombëtarë e quajtën sukses.
 
Kemi dëgjuar gjithë këto ditë të flisni për rritje të kriminalitett, për rënie të shtetit, për emërime politike në Policinë e Shtetit dhe kështu me radhë. Unë kam statistika dhe flas me shifra. Nuk flas si ju me përrralla dhe sipas statistikave në periudhën tetor-nëntor të vittit 2013 janë 16 krime më pak se në të njëjtë periudhë tetor-nëntor të vitit 2012. Pra në këto dy muaj të kësaj qeverie janë 16 krime më pak sesa në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Për të mos folur për zbulueshmërinë e krimeve ekonomiko-financiare dhe korrupsionit përfshirë, që janë 480 për qind më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.
 
Qani për shkrirjen e strukturës së krimit ekonomik. E para punës nuk është shkrirë asnjë strukturë, por janë studiuar e hetuar dosjet emër për emër të çdo oficeri policie, që ka punuar në atë strukturë. Janë marrë masa disiplinore dhe masa penale ndaj atyre që nuk kanë bërë detryrën dhe ndërkohë rezultatet e strukturës ja ku janë: 480% më shumë sesa 2 muaj të një viti më parë kur ju ishin në qeverisje.
 
Keni merakun e trafikut të drogës? Vetëm në 2 muaj, kemi bërë 50 për qind më shumë, sesa keni bërë ju në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kur ishit kaq të stresuar dhe kaq të merakosur për çështje të rendit dhe sigurisë në këtë vend, do mirëprisja çdo sugjerim tuajin. Të vinit edhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe jeni të mirëpritur dhe në Komsionin e Sigurisë, siç ju kemi ftuar bashkë me z.Braho. Të bëhemi bashkë fundja dhe t’i zgjidhim njëherë e mirë çështjet e sigurisë dhe të rendit publik në këtë vend. Sepse krimninaliteti penalizon të gjithë njëlloj dhe nuk ka asnjë ngjyrë politike dhe ata që i vuajnë pasojat e tij nuk kanë ngjyrë politike.
 
Por ju, përpara rendit dhe sigrurisë, përpara luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, keni hallin tuaj, keni hallin e karrierave tuaja, keni hallin e njëri-tjetrin, keni hallin e kryetarit jokryetar, keni hallin si të bëni politikë dhe këtu në parlament, por duke harruar që jashtë këtyre mureve jetojnë qytetarë, që na dëgjojnë dhe kuptojnë fort mirë, cilët janë ata që luftojnë vërtet për ta bërë këtë vend më të sigurt dhe cilët janë ata që nuk hezitojnë të bëjnë dhe korbin këtu në parlament, vetëm që të sulmojnë qeverinë.
 
Unë do t’ju ftoja shumë sinqerisht të heshtni përpara se të akuzoni policinë lidhur me gjendjen e kriminalitetit. Jo pse keni pasur rekordet më negative në historinë e pluralizmit gjatë qeverisjes suaj. Jo pse e kthyet Policinë e Shtetit në strukturën më të prekur nga drejtimi politik dhe vini pastaj e flisni këtu për heronj! Por për çfarë heronjsh flisni ju që me demek qenkam larguar nga puna, për Agron Kuliçin!? Ky ishte heroi juaj!? Çfarë heroi mund të ishte ai, kur ishte ish-badigard i kryetarit jokryetar dhe ndërkohë në Policinë e Shtetit bënte biznesin personal dhe biznesin e familjes! Për këta heronj flisni, apo për tjetrin që bënte në facebook thirrje politike!? Të njëjtat thirrje politike që sapo bëri këtu z.kryetar jokryetar... të njëjtat! Me Enver e me Hitler! Fiks të njëjtat, se edhe kur flisni, flisni njëlloj. Ndaj përuluni me respekt ndaj gjithçkaje ka bërë Policia e Shtetit sot. Dhe unë ju siguroj që jemi tërësisht të hapur t’a ndërtojmë bashkë sigurinë publike për qytetarët. Por hidhni një hap e dilni nga guacka lidhur me këtë çështje.

Fjala e plotë e deputetit të PS Saimir Tahiri në Kuvend.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)