Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i është përgjigjur deputetit socialist Erion Braçes në lidhje me kërkesën e tij ku kërkon t’i vihen në dispozicion të gjitha rezultatet e marra prej tij si deputet.

Në shkresën që Report Tv disponon KQZ shprehet se i vendos në dispozicion Braçes rezultatet personale nga viti 2001 deri në 2021.

Ndërkohë sa i përket rezultateve të zgjedhjeve për Kuvend të viteve 1996 dhe 1997, KQZ nënvizon se iu janë drejtuar zyrtarisht Arkivit Qendror Shtetëror i cili thotë se 

këto dokumente nuk gjenden në fondin e tyre arkivor. Sipas shkresës 'rezultatet e zgjedhjeve për këto dy vite administrohet në arkivin e Kuvendit të Shqipërisë'.

Kërkesa për rezultatet e zgjedhjeve nga Braçe erdhi vetëm pak ditë pasi ai shprehu dëshirën për mundësinë e kandidimit për postin e kryebashkiakut të Tiranës në 2027.

Braçe u mandatua si deputet në Qarkun e Tiranës në zgjedhjet e fundit parlamentare (11 maj 2025), duke fituar mandatin nga lista e hapur e PS-së, ndërsa rezultoi më i votuari.

Përgjigja e plotë e KQZ për Erion Braçen

Për dijeni: Z. Erion BRAÇE

Deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë

Të nderuar,

Në përgjigje të shkresës suaj me nr. 709 prot., datë 26.03.2026, nëpërmjet së cilës kërkoni informacion të detajuar për numrin e votave dhe përqindjen mbi rezultatin e deputetit Z. Erion Braçe për zgjedhjet për Kuvend të vitit 1996, 1997, 2001, 2005, 2021, si dhe numrin e votave dhe përqindjen mbi rezultatin e Partisë Socialiste të Shqipërisë për zgjedhjet për Kuvend të vitit 2009, 2013, 2017, 2021, ju bëjmë me dije se:

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve si organ përgjegjës për organizimin, administrimin dhe mbikëqyrjen e proceseve zgjedhore, është institucion publik i krijuar në vitin 2001, e rrjedhimisht informacioni i administruar, daton prej kësaj periudhe e në vijim.

Për sa i përket rezultateve të zgjedhjeve për Kuvend të viteve 1996 dhe 1997, iu drejtuam zyrtarisht Arkivit Qendror Shtetëror, i cili pasi verifikoi se këto të dhëna ose dokumente nuk gjenden në fondin e tyre arkivor, konfirmoi se informacioni mbi rezultatet e zgjedhjeve për këto dy vite administrohet në arkivin e Kuvendit të Shqipërisë.

Përsa sipër, bashkëlidhur gjeni informacionin e kërkuar, për periudhën nga viti 2001 deri në vitin 2021.

Duke ju falënderuar për mirëkuptimin,          

 Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve

Ilirjan CELIBASHI

Klikoni këtu për të parë dokumentin e plotë