Noterja Rezarta Koçi, së cilës iu vu tritol në makinë në nëntor të vitit të kaluar, është arrestuar sot nga policia për vjedhje dhe shpërdorim detyre. Policia njofton se Koçi, 40 vjeçe në vitin 2021, duke shpërdoruar detyrën, ka përvetësuar në mënyrë të kundërligjshme shuma të konsiderueshme monetare nga qytetarë të ndryshëm. Pre e mashtrimeve të saj ishin pronarët e pasurive të paluajtshme apo të hoteleve, ndërsa përmes mashtrimit kishte arritur të përvetësonte 2 mln euro, që më pas i kalonte në llogarinë personale. 

Mashtrimet e Koçit u zbuluan nga qytetarët që ishin pala shitëse, pasi nuk merrnin asnjë shumë lekësh edhe pse certifikata e shtëpisë apo biznesit që shisnin kalonte në emër të palës blerëse. Sapo ata i kërkonin paratë, Koçi i mashtronte duke u thënë se do t’i kalonte nga dita në ditë, por nuk ndodhte kurre. Policia dhe prokuroria po vijon hetimet pasi ka dyshime se noterja bashkëpunonte dhe me persona të tjerë mes tyre edhe biznesmenë për të përvetësuar para nga qytetarët dhe për të kryer falsifikime.   

Më 5 nëntor të vitit të kaluar, noteres iu vu tritol në makinë, në një ndër lagjet më të frekuentuara të kryeqytetit "Komuna e Parisit". Autorët nuk janë identifikuar ende, teksa tritoli u konsiderua paralajmërim për gjyqtaren, e cila kishte konflikte për çështje parash me disa persona. Vetëm gjatë vitit 2021 mendohet se noterja ka mashtruar 15 qytetarë, ku Report Tv zbardhi 4 raste kallëzimesh ndaj noteres, nga persona që e akuzojnë se i ka mashtruar.

Në korrik të vitit 2019, Rezarta Koçi është kallëzuar penalisht nga një person me inicialet I. Ç., për shpërdorim detyre dhe mashtrim, duke pretenduar se i ka përvetësuar një shumë parash, në lidhje me një pasuri të llojit hotel.

Në maj të vitit 2021, ajo është kallëzuar nga personi me inicialet E. N për fshehje të ardhurash dhe mashtrim, duke pretenduar se i ka përvetësuar një shumë parash, për një kontratë për shitje të një pasurie të paluajtshme.

Në qershor të 2021, një tjetër person me inicialet E. Q., ka kallëzuar penalisht Rezarta Koçin për fshehje të ardhurash, mashtrim dhe mospagim taksash, duke pretenduar gjithashtu se i ka përvetësuar një shumë të konsiderueshme parash. Në 9 korrik të 2021, për Rezarta Koçin u depozitua në prokurori një tjetër kallëzim penal, sërish për mashtrim dhe përvetësim parash.

Heqja e licencës në vitin 2021

Në vitin 2020 një ankesë e mbërritur me email në Ministrinë e Drejtësisë, bëri që ky institucion të fillonte të hetonte Rezarta Koçin. Një qytetar me inicialet K.G., u ankua se noterja nuk kishte përdorur në mënyrë të rregullt llogaritë bankare, dhe pas hetimit të Ministrisë së Drejtësisë u propozua të pezullohej përgjithmonë noterja Rezarta Koçi dhe të fillonte procedimi penal ndaj saj. Gjetjet e Ministrisë së Drejtësisë i mori në shqyrtim Bordi Disiplinor i Dhomës Kombëtare të Noterisë, i cili vendosi të pranojë kërkesën e Ministrisë së Drejtësisë në datë 6 maj 2021

1643971426_163622204816362186531636180461REZARTAKOCI.jpg

Rezarta Koçi dhe makina e saj që iu vendos tritol  5 nëntor 2021

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:24
Noterja Rezarta Koçi e arrestuar për mashtrim, u përvetësoi pronarëve rreth 2 mln euro! I kalonte në llogarinë personale

Noterja e arrestuar Rezarta Koçi ka mundur të marr përmes mashtrimit të qytetarëve shuma të konsiderueshme parash. Burime bëjnë me dije se në total Koçi ka mundur të përvetësoj rreth 2 milionë euro, ndërsa pre e mashtrimit kanë rënë pronarë të pasurive të paluajtshme si banesa dhe hotele. Paratë e përfituara përmes mashtrimit ajo i kalonte në llogarinë e saj personale në bankë.