Me premtimin se do të ndërhynin për transferimin e një të dënuari nga Turqia në Shqipëri, tre persona, mes tyre edhe një ish-oficer i Gardës së Republikës, janë marrë të pandehur dhe janë dërguar për gjykim nga Prokuroria e Posaçme në GJKKO. Zef Mali, Kreshnik Domi dhe Jemine Çoku, akuzohen për ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë
Sipas SPAK, Zef Mali dhe Kreshnik Domi i kanë marrë Jemine Çokut 20 mijë euro, duke i premtuar se kishin mundësi për të ndërhyrë tek funksionarë të Ministrisë së Drejtësisë për përshpejtimin e transferimit në Shqipëri të vëllait të saj, Kujtim Çeliku, i dënuar me burg në Turqi.
Në kohën e ngjarjes, Zef Mali ishte oficer në Gardën e Republikës, ndërsa Kreshnik Domi ishte njohje shoqërore e tij. Hetimet tregojnë se kontaktet mes palëve janë mbajtur nga janari deri në tetor 2025. Ndërkohë, është konstatuar se Ministria e Drejtësisë kishte nisur procedurat ligjore për transferimin e të dënuarit për të shlyer pjesën e mbetur të dënimit në Shqipëri. Ishte motra e të dënuarit, e cila i kallëzoi në organet ligjore, por edhe vetë ajo do të përballet me drejtësinë.
Njoftimi i plotë:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet dhe ka dërguar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykimin e procedimit penal nr. 196 të vitit 2025,në ngarkim të të pandehurve:
Zef Mali, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 245/1, paragrafi 4 dhe 25 të Kodit Penal.
Kreshnik Domi, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 245/1, paragrafi 4 dhe 25 të Kodit Penal;
Jemine Çoku, e akuzuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1, paragrafi 2 i Kodit Penal.
Hetimet për këtë procedim penal nisën mbi bazën e akteve që u referuan nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, Tiranë.
Përmes veprimeve hetimore, përdorimit të metodave speciale të hetimit dhe administrimit të provave u dokumentua fakti penal, sipas të cilit i pandehuri, Zef Mali, në bashkëpunim me të pandehurin, Kreshnik Domi i kanë kërkuar dhe marrë të pandehurës, Jemine Çoku një përfitim të parregullt prej 20.000 (njëzet mijë) eurosh.
Në kohën kur Zef Mali ka kryer këtë veprim mbante detyrën e oficerit të Shtabit për Menaxhimin e Forcave në Gardën e Republikës dhe Kreshnik Domi ishte një lidhje shoqërore e tij.
Sipas hetimeve, ata i kanë premtuar dhe siguruar të pandehurës Jemine Çoku se do të ushtrojnë ndikim të paligjshëm tek funksionarë të Ministrisë së Drejtësisë, për të ndjekur procedurën e transferimit në Shqipëri të vëllai të saj, shtetasit shqiptar Kujtim Çeliku, i dënuar me burgim në Republikën e Turqisë për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit.
Konkretisht, nga muaji janar deri në tetor të vitit 2025, në të cilën ishte në zhvillim procedura e personit të dënuar, të pandehurit Zef Mali dhe Kreshnik Domi kanë mbajtur kontakte të vazhdueshme me të pandehurën Jemine Çoku dhe me familjarë të tjerë të saj, duke i siguruar se ata kishin mundësi të ndikonin tek funksionarë të Ministrisë së Drejtësisë për realizimin e procedurës së transferimit të të dënuarit.
Për këtë qëllim, e pandehura Jemine Çoku u ka dhënë të pandehurve shumën prej 20.000 eurosh, si përfitim të parregullt.
Gjatë hetimit është evidentuar gjithashtu fakti i fillimit të ndjekjes së procedurës ligjore të transferimit nga ana e Ministrisë së Drejtësisë për shtetasin shqiptar, Kujtim Çeliku, për të shlyer pjesën e mbetur të dënimit në Shqipëri.
Komente










