Deri në dhjetor 2025, Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara kishte nën menaxhim, 1679 pasuri të sekuestruara dhe 488 të tjera të kaluara përfundimisht nga krimi nën pronësinë e shtetit. Ndër to pjesa më e madhe pasuri të paluajtshme, apartamente apo sipërfaqeje toke, por edhe aksione biznesesh si dhe gati 700 llogari bankare. Vlera e tyre shkon në mbi 185 milion euro.

Në një konferencë të posaçme, të organizuar këtë të hënë nga AAPSK me temë “Nga Konfiskimi tek e Mira Publike”, ministri i Brendshëm Lamallari,  tha se vendi ka hyrë në një fazë të re të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ku fokusi kryesor është goditja e ekonomisë kriminale dhe kthimi i pasurive të konfiskuara në dobi të qytetarëve.

“Nje shtet i fortë nuk është vetëm ai që arreston kriminelët. Një shtet i fortë është ai që i heq krimit pasurinë, fuqinë dhe ndikimin në shoqëri dhe ua kthen qytetarëve atë që u është marrë padrejtësisht”, tha Lamallari. 

Sekuestrimet, vetëm vitin e kaluar të pasurive me vlerë mbi 61 milionë euro, sipas Lamallarit, janë rezultate që dëshmojnë forcën e institucioneve

“Hapësirat që dikur simbolizonin paligjshmëri po transformohen në qendra komunitare, ambiente për fëmijët, art dhe kulturë. Ky është mesazhi më i fortë që mund të japë një shtet demokratik: pasuria e krijuar nga krimi po kthehet në vlerë për qytetarët”, theksoi Lamallari. 

Vetë drejtuesja e AAPSK, Risena Xhaja, theksoi autoritetet shqiptare kanë marrë një angazhim ndërkombëtar që të paktën 50% e pasurive të konfiskuara të përdoren në funksion të institucioneve ligjzbatuese dhe komunitetit, objektiv që sipas saj është tejkaluar gjatë vitit 2025.

"Agjencia ka kontribuar në mbështetjen me fonde ose pajisje të Policisë së Shtetit, SPAK, Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Drejtorisë së  Përgjithshme të Burgjeve, si edhe institucioneve të tjera të sistemit të drejtësisë, përfshirë gjykatat. Kjo është një mënyrë konkrete për të rikthyer vlerën e pasurive kriminale në interes publik dhe për të mbështetur drejtpërdrejt institucionet që janë në vijën e parë të luftës kundër krimit dhe korrupsionit", u shpreh Xhaja. 

I dërguari me punë në delegacionin e BE, Andre Rizzo vlerësoi përpjekjet e Shqipërisë për të goditur financat e krimit të organizuar.

“Lufta ndaj krimit të organizuar dhe konfiskimi i aseteve kriminale janë thelbësore për konsolidimin e Shqipërisë dhe integrimin në BE. Lufta kundër krimit të organizuar vijon të jetë sfidë në Shqipëri, rajon dhe të tjera shtete. Krimi i organizuar sot vepron përmes kufijve, teknologji gjithmonë e më të sofistikuar, minojnë besimin publik, gërryejnë sundimin e ligjit. Shtetet duhet të ndjekin penalisht aktorët kriminalë dhe të godasin në zemër të krimit të organizuar. Trafikantët e drogës, zyrtarët e trafikuar mbledhin pasuri. Shqipëria ka bërë hapa përpara të rëndësishëm në këtë drejtim duke forcuar bashkëpunimin me ndërkombëtarët, organizma si SPAK dhe ngritur zyra si AAPSK. Një nga mesazhet më të qarta është që krimi nuk paguan. Ja pse përdorimi i aseteve të konfiskuara për qëllime sociale është i dobishëm sepse kthen pasurinë e paligjshme në vlerë publike. Duam të sigurojmë që këto burime të përdoren efektivisht në ndihmë të grupeve në nevojë. Shqipëria ka luajtur rol pioner duke e bërë pjesë të kuadrit ligjor”, u shpreh Rizzo.

Krimi megjithatë shpesh tenton përmes presionit dhe formave të tjera që të mos heqin dorë nga pasuritë e tyre tashmë në konfiskim, dhe për këtë apelin për institucionet shqiptare, diplomati evropian e kishte të drejtpërdrejtë.