Vapa përvëluese është tashmë realitet i viteve të fundit, por temperaturat e larta nuk janë të pazakonta për Shqipërinë. Edhe pse na duket sikur termometri ‘ngjyroset’ i tëri me të kuqe, specialistja e Institutit të Gjeoshkencave, Anira Gjoni, thotë në një lidhje direkte për “Sot Live në Shqipëri” në Report Tv se rekordet nuk janë thyer.
“Kemi regjistruar temperatura minimale të larta, ndërkohë që sigurisht edhe maksimalet janë të larta, por nuk flasim për thyerje rekordesh”, shprehet Gjoni.
Kjo javë nisi me temperatura të larta, por vijimi i saj do të jetë më i freskët, ku rënia më e ndjeshme shënohet të premten.
“Europa qendrore dhe juglindja do të ndikohen nga masa të ftoha me presion të ulët që do të sjellin uljen e temperaturave dhe do të ketë temperatura më të ulëta deri në fund të javës. Për ditën e mërkurë, temperatura minimale do të jetë 22 gradë dhe ato maksimale në 32 gradë, në zonat e ulëta 21 gradë dhe 33 gradë, në zonat malore, 13 gradë dhe 30 gradë. Do të pësojë një rënie tjetër 2-3 gradë për ditën e enjte dhe të premte ku temperaturat minimale do të shënojnë 15 dhe maksimalet 28. Dita e premte do të kulmojë me rënien e temperaturave. Më pas do të kemi rritje graduale të tyre nga e shtuna”, njoftoi Gjoni.
Sa i përket situatës së reshjeve, do të jenë të lokalizuara dhe të dobëta.
“Reshje të dobëta dhe lokalisht mesatare në Shkodër e Kukës dhe të dobëta në pjesën tjetër të territorit”, përfundoi specialistja.
Komente











