SPAK ka kërkuar pushimin e hetimeve për 6 episode të shpërdorimit të detyrës për ish-kryebashkiaku i Kavajës Elvis Roshi - për shkak të parashkrimit të veprës penale. Megjithatë ish-kryebashkiaku i Kavajës nuk do t’i shpëtojë ndjekjes penale pasi ai akuzohet nga SPAK për 5 episode të tjera për shpërdorim detyre.
Çështja ndodhet në fazën e seancës paraprake ndërsa seanca e radhës do të mbahet më 28 prill. Hetimi ndaj ish-kryebashkiakut erdhi pas një kallëzimi të bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për parregullsi në tendera gjatë periudhës së tij në krye të Bashkisë së Kavajës.
Roshi u kallëzua 10 vite më parë në Prokurorinë e Kavajës nga KLSH në shtator të vitit 2015, ku së bashku me 10 zyrtarë të tjerë dyshoheshin se kishin shkaktuar një dëm ekonomik prej 33 milionë lekësh me tenderat e rikonstruksionit të qendrës së qytetit dhe ndërtimin e disa rrugëve.
Shkeljet u zbuluan pas një auditi të kryer në Bashkinë e Kavajës për periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Në listën e shkeljeve u renditën 12 tendera, të zhvilluar kryesisht për rikonstruksionin e qendrës së qytetit, të disa rrugëve lidhëse dhe mbjelljen e pemëve dekorative. Në dy raste, KLSH e akuzoi Bashkinë e Kavajës se ka ndjekur standard të dyfishtë në vlerësimin e pjesmarrësve në tenderë, duke skualifikuar operatorin me ofertën më të ulët.
Për 3 tenderë të tjerë, u konstatua se ofertuesi me çmimin më të ulët është skualifikuar padrejtësisht si rezultat i llogaritjes së gabuar të ofertës. Çështja shkoi më pas në Prokurorinë e Durrësit e cila kërkoi ta mbyllte, por një vendim i GJKKO vitin e kaluar urdhëroi hetimin e dosjes nga SPAK.
Më 17 maj 2025, SPAK i sekuestroi celularin Roshit dhe ushtroi kontrolle personale nën dyshimin për korrupsion në zgjedhjet e 11 majit, teksa bënte fushatë për kushëririn e tij Elton Roshi në Kavajë, që kandidonte për PD-ADSHM-në e Sali Berishës.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente











