TIRANE-55-vjeçari Ardian Çapja që u qëllua me snajper ushtarak mëngjesin e së hënës pranë banesës së tij pas tre ditësh ka dalë nga spitali i Traumës. Mbrëmjen e djeshme ai la spitalin për të vijuar trajtimin në shtëpi, pasi ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Çapja mori një plumb në krahun e majtë, pranë zemrës, por arriti që të shpëtonte. Ky ishte atentati i tretë që iu bë Çapjes. Njeriu kryesor i familjes u qëllua me një snajper ushtarak nga Kodra e Krastës, që ndodhet përballë shtëpisë së tij.

Atentati ishte i mirëorganizuar deri në detaje, por në fund, fati ishte me Çapjen që i shpëtoi me milimetra vdekjes. Autori e kishte studiuar prej kohësh dhe mëngjesin e së hënës, sapo 55-vjeçari doli nga shtëpia, vendosi ta qëllonte duke e plagosur. Fillimisht familja e mohoi atentatin duke pretenduar se u rrëzua në shtëpi duke punuar.

Por plaga e plumbit në shpatull dhe fakti që vetëm 6 minuta pasi Çapja u paraqit në spital u dogj një makinë në Fushë Mbret, ku u plagos edhe një zjarrfikës, rrëzuan versionin e familjes. Brenda makinës që dogjën autorët ishte edhe snajperi që u qëllua Çapja, por ende nuk ka asnjë gjurmë të atij që e shkrepi. Policia shoqëroi mbi 20 persona pas ngjarjes, por asnjë të arrestuar. Dyshimet lidhen me përplasjet e vjetra të kësaj familje.