Ministria e Arsimit ka ngritur një grup pune për të marrë masat e nevojshme për integrimin e fëmijëve të ardhur nga Ukraina për t’i shpëtuar luftës. Ministrja Evis Kushi thekson se për këta fëmijë, krahas masave për arsimimin e tyre të përkohshëm, do të ofrohet edhe mbështetje psiko-sociale.
“Sapo kemi ngritur në MAS një grup pune për marrjen e masave për arsimimin e përkohshëm dhe mbështetjen psiko-sociale të fëmijëve të ardhur nga Ukraina për shkak të luftës. Ky grup do të koordinojë punën me strukturat arsimore në çdo bashki për krijimin e një klime pozitive, mbështetëse dhe të sigurt, duke hartuar edhe një program të posaçëm për arsimimin e tyre.
Së bashku me Ambasadorin e Ukrainës Volodymyr Shkurov diskutuam detajet lidhur me organizimin e këtij procesi, në mënyrë që këtyre fëmijëve t'u ofrojmë gjithçka duhet për një mjedis mikpritës, të ngrohtë e sa më miqësor”, shkruan Kushi.
Më 16 mars autoritetet shqiptare kanë konfirmuar se 351 shtetas nga Ukraina ndodhen në Shqipëri që pas nisjes së luftës, me statusin e mbrojtjes së përkohshme, por ky numër mund të jetë më i madh deri ditën e sotme. Shtetasit e Ukrainës që largohen nga vendi i tyre për shkak të luftës mund të hyjnë në Shqipëri pa vizë dhe të qëndrojnë për një periudhë 1-vjeçare pa qenë nevoja të pajisen me leje qëndrimi.
Po shiko Programin e cilësinë e Fëmijëve Shqiptare që mësojnë aty,e nuk merret vesh ç'a mësojnë .etj
Përgjigju