TIRANE- Ankesa për survirjen e kafesë në mënyrë jo të rregullt, i ka kushtuar një “tavëll kokës” klientit 75-vjeçar. Kjo ngjarje është shënuar ditën e martë, në një nga lokalet e kryeqytetit në rrugën “Hoxha Tasim”.

Burime nga policia bëjnë me dije se ngjarja ka si protagonistë kamarieren 43-vjeçare me inicialet L. Sh., dhe klientin e lokalit, 75-vjeçar me inicialet Sh. H. “Më datë 01.12.2015, iu referuan materialet Prokurorisë Rrethit Gjyqësor Tiranë, për shtetasen L. Sh., 43 vjeçe, banuese në Tiranë, pasi dyshohet se në orën 10:00, në rrugën “Hoxha Tasim”, për motive të dobëta, ka goditur me sende të forta shtetasin Sh. H., 75 vjeç, banues në Tiranë”, thuhet në njoftimin për shtyp të Policisë.

Ngjarja është denoncuar menjëherë nga 75-vjeçari në Komisariatin e Policisë numër 1, ku agjentët e Krimit bënë shoqërimin e kamarieres 43-vjeçare për të bërë sqarimin e plotë të incidentit. Në ngarkim të kamarieres është ngritur akuza e veprës penale “Dëmtime të tjera me dashje”.

Ngjarja 
Burime nga policia bënë me dije se 75-vjeçari Sh. H., ka shkuar për të konsumuar një kafe në lokal, nën shoqërinë e bashkëshortes së tij dhe dy miqve, të moshës 80 vjeç. Fillimisht situata ka qenë e qetë, si çdo ditë e zakonshme. Kamarierja e lokalit L. Sh., ka marrë porosinë nga klientët e saj dhe ka vazhduar më pas me survejimin e porosive. Pasi kamarierja ka shërbuer porosinë, 75-vjeçari ka filluar të “ulërasë”, edhe pse lokali ishte i mbushur plotë me klientë.

“Ç’është kjo kafe që ke bërë kështu?”, është kjo fjalia që i moshuari i është drejtuar kamarieres. Pa vonuar shumë, situata ka vijuar me tone më të ashpra mes palëve të përfshirë në këtë sherr. Në një moment, burimet thonë se situata ka dalë jashtë kontrollit nga ana e kamarieres, e cila ka marrë një tavëll dhe i ka gjuajtur në kokë 75-vjeçarit. Mësohet se tavulla e përdorur nga 43-vjeçarja ishte prej qelqi, çka i kishte shkaktuar të moshuarit edhe dëmtime të konsiderueshme në pjesën e ballit. Gjithçka ka ndodhur pasi në filxhan janë gjetur gjëra të padëshirueshme për klientin.

Shoqërimi në polici 
“Më ofendoi në sy të gjithë klientëve të mi. Për një incident aq të vogël ai më bëri “gurgulenë” në mes të lokalit, ku më detyroi edhe mua që të bëja një veprim të tillë. Gjithçka e kërkoi vetë, kishte edhe zgjidhje të tjera. Mund të vinte me qetësi e të më thoshte gabimin e bërë pa qëllim nga ana ime.

Nuk doja që ta godisja, por situata që ai plak krijoi në mes të lokalit më detyroi të bëja atë veprim”, është shprehur 43-vjeçarja gjatë shoqërimit të saj në polici. Ndërkohë, në komisariat është shoqëruar edhe i plagosuri bashkë me bashkëshorten dhe dy miqtë e tij që e shoqëronin momentin kur ndodhi ngjarja, për të dhënë shpjegime për ngjarjen. 


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 3 Dhjetor 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)