Ekonomia shqiptare ka vijuar trendin pozitiv edhe gjatë vitit 2025, duke shënuar rritje ekonomike, ulje të borxhit, inflacion brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë dhe rritje të të ardhurave. Të dhënat u prezantuan nga ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, e cila theksoi se aktiviteti i sektorit privat ka qenë në rritje, pavarësisht pasigurive gjeopolitike globale.

“Ekonomia shqiptare gjatë 2025-ës ka treguar stabilitet, aktiviteti i sektorit privat ka vijuar të rritet dhe kemi një klimë biznesi që nxit investimet. PBB për tremujorin e tretë u rrit me 3.75%, normë më e lartë se mesatarja e BE dhe rajonit. Ekonomia pas periudhës post pandemisë ka pasur stabilitet në rritje, ndërkohë që po jetojmë në një situatë gjeopolitike që ka paqartësi. Inflacioni është rritur me 2.2%, normë brenda targetit prej 3% të Bankës së Shqipërisë”, tha ministrja Ibrahimaj.

Qëndrueshmëria e aktivitetit ekonomik ka sjellë një ulje të borxhit publik.

 “Borxhi publik është tregues kryesor për të matur stabilitetin fiskal të ekonomisë shqiptare, ka ardhur në reduktim dhe në tremujorin e tretë ishte 53.4%. Ky nivel borxhi garanton stabiltet makroekonomik, por na lë hapësira që në të ardhmen të hartojmë politika dhe stimuj fiskalë që të nxisim ekonominë e vendit”, tha ministrja.

Pozitive paraqitet edhe panorama e sipërmarrjes, me një rritje prej 17 mijë e 486 të numrit të bizneseve aktive në vend, krahasuar me vitin 2024.

“Të ardhurat buxhetore, për 11 mujorin e 2025-ës, janë në nivelin 688 mld lekë ose 6.3% më shumë se vitin e kaluar. Ky nivel të ardhurash vjen në një kuadër politik ku nuk ka pasur rritje të parasë fiskale, tregon që rritja ekonomike është pasqyruar në rritje aktivitet ekonomik të bazës dhe të gjitha përpjekjet e tatimeve për të ulur informalitetin kanë dhënë rezultatin e tyre. Numrat e bizneseve kanë ardhur në rritje, kemi pasur 17 mijë 486 biznese më shumë se në vitin 2024”, tha ministrja.

Në tremujorin e tretë të vitit, pagat janë rritur me 7.3 për qind, ndërsa pensionet kanë shënuar një rritje mesatare prej 8.4 për qind në nivel kombëtar.

"Pagat janë rritur me 7.3% në tremujorin e tretë. Pensionet janë rritur me 8.4% në nivel të përgjithshëm, remitancat kanë vijuar të jenë në rritje, 5.8% një rritje më e madhe se sa ndryshimi në kursin e këmbimit, ku leku ndaj euros ka rezultuar në nivel vjetor në 2.7%. si në terma nominal dhe real, të adhuruat nga remitancat kanë ardhur në rritje", theksoi ministrja Ibrahimaj. 

Lajmi në përditësim....

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:45
Ministrja Ibrahimaj: Eksportet shqiptare në rritje, politika të reja për forcimin e tyre

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, gjatë konferencës mujore me median për analizën e treguesve më të fundit ekonomikë, theksoi,  se eksportet shqiptare kanë shënuar një rritje të qëndrueshme gjatë vitit 2025, duke reflektuar forcimin e strukturës së ekonomisë dhe orientimin drejt sektorëve me vlerë të shtuar.

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT-it dhe Bankës së Shqipërisë, eksportet totale të ekonomisë janë rritur me 6,26% gjatë 9-mujorit të parë të vitit 2025. Ibrahimaj vuri në dukje se rritja është mbështetur kryesisht nga eksportet e shërbimeve, të cilat përbëjnë rreth 85% të totalit të eksporteve dhe janë rritur me mbi 10.5%, me turizmin si komponentin kryesor.

Gjatë vitit 2025, Shqipëria u vizitua nga mbi 12 milionë turistë të huaj, duke e kthyer turizmin në një nga shtyllat kryesore të eksporteve dhe të rritjes ekonomike. Ministrja informoi se, ndonëse eksportet e mallrave përbëjnë rreth 15% të totalit dhe kanë shënuar një rënie në vlerë, kjo lidhet kryesisht me luhatjet e çmimeve në tregjet ndërkombëtare dhe jo me ulje të aktivitetit prodhues.

Në terma vëllimi, u shpreh ajo, industria e rëndë dhe prodhimi vendas kanë shfaqur rritje. Sa i takon sektorëve specifikë, eksportet e grupit “ushqim, pije dhe duhan” janë rritur me 5% në vlerë dhe 7% në vëllim, duke treguar vijimësi pozitive si për bujqësinë ashtu edhe për industrinë e agropërpunimit.

Eksportet e energjisë elektrike, për 12 muajt e vitit, janë rritur me 6.8%, ndërsa sektori fason ka regjistruar një rënie të lehtë prej rreth 1%, e cila sipas ministers,  lidhet me nevojën për modernizim dhe kalim drejt prodhimit me cikël të mbyllur.

Në këtë kuadër, ministrja Ibrahimaj deklaroi se Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit po orienton politikat e saj drejt rritjes së konkurrueshmërisë së eksporteve, diversifikimit të tregjeve dhe mbështetjes së sektorëve me produktivitet të lartë, si teknologjia e informacionit, industria përpunuese dhe shërbimet me vlerë të shtuar.

Ministrja Ibrahimaj bëri të ditur,  se qeveria ka miratuar Strategjinë për Zhvillimin e Eksporteve 2025–2030, e cila mbështetet në katër shtylla kryesore: promovimin e eksporteve, thjeshtimin dhe digjitalizimin e procedurave tregtare, harmonizimin me standardet e Bashkimit Europian dhe forcimin e mbështetjes financiare për kompanitë eksportuese.

“Qëllimi ynë është që eksportet të mbeten një motor i qëndrueshëm i rritjes ekonomike, të rrisim praninë e produkteve shqiptare në tregjet ndërkombëtare dhe të përgatisim bizneset për integrimin e plotë në tregun e përbashkët europian”, u shpreh ministrja.