Nga 1 korriku nis zbatimi i programit të qeverisë “dyfisho ndërmarrjen tënde”, i cili do të mundësojë kredi të buta për bizneset e vogla dhe të mesme në zgjerimin e aktivitetit të tyre, me fokus edhe bujqësinë. Lajmi u dha nga ministrja Delina Ibrahimaj, e cila thekson se ky program do të shoqërohet edhe me një fushatë ndërgjegjësimi.
“Zyrtarisht do të hapë dyert për gjithë sipërmarrjen shqiptare nga data 1 korrik”, tha Ibrahimaj.
Sipas saj, programi parashikon një fond prej 250 milionë eurosh, me qëllim rritjen e aksesit në financim dhe forcimin e sipërmarrjes. Gjithashtu, skema përfshin një garanci sovrane në vlerën e 30 milionë euro, e cila synon të ulë riskun dhe të mundësojë kredi me norma interesi të favorshme nga 2 deri 3%.
Sipas ministres Ibrahimaj, qeveria synon që përmes këtij programi të informojë bizneset mbi potencialin e financimit dhe të nxisë rritjen e produktivitetit në ekonomi. Nëpërmjet programit “Dyfisho sipërmarrjen tende” ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (SME-të) do të kenë mundësi të financojnë aktivitetin e tyre me norma lehtësuese interesi.
Në mbledhje të qeverisë është zhvilluar edhe një seancë dëgjimore me drejtuesit e Bankës Shqiptare të Zhvillimit, e cila po bëhet gati për të çelur dyert për kreditim.
“Është një institucion financiar i cili do të ketë një potencial të plotë për të financuar nga minimalisht 500 milionë Euro, deri në maksimalisht 1 miliard Euro. Koncepti i bankës është që të financojë ato sektorë të cilët janë të nënfinancuar, por edhe projekte strategjike të qeverisë shqiptare”, tha Malaj.
Komente











