Shqipëria do të ketë një mekanizëm të ri për shqyrtimin e investimeve të huaja në sektorët strategjikë, një instrument që sipas qeverisë synon të forcojë sigurinë ekonomike të vendit, duke ruajtur njëkohësisht një klimë të hapur për biznesin.
Mekanizmi u prezantua nga ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, gjatë aktivitetit “Albania’s Foreign Direct Investment Screening Framework”, të organizuar nga AmCham Albania në bashkëpunim me Center for International Private Enterprise.
Në fjalën e saj, Ibrahimaj tha se ngritja e këtij mekanizmi është rezultat i një pune më shumë se dyvjeçare dhe pjesë e përgatitjeve të Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit europian.
“Prej më shumë se dy vitesh kemi punuar për ngritjen e këtij mekanizmi, në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë dhe në përputhje me standardet e Bashkimit Europian. Ky është një hap i rëndësishëm për forcimin e instrumenteve shtetërore në funksion të sigurisë ekonomike, transparencës dhe mbrojtjes së interesave strategjike të vendit”, u shpreh ajo.
Ministrja theksoi se kuadri i ri nuk synon të vendosë kufizime për investitorët, por të krijojë më shumë siguri dhe parashikueshmëri në treg.
“Ky mekanizëm nuk krijon pengesa për biznesin dhe as procedura të panevojshme administrative. Përkundrazi, ai garanton më shumë siguri, më shumë transparencë dhe një mjedis më të besueshëm për investitorët seriozë që zgjedhin Shqipërinë për të investuar”, tha Ibrahimaj.
Gjatë aktivitetit, e Ngarkuara me Punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Nancy VanHorn, e cilësoi kuadrin shqiptar për shqyrtimin e investimeve të huaja direkte si një zhvillim të rëndësishëm, duke theksuar se ai nuk është thjesht një procedurë administrative, por një sinjal për investitorët se Shqipëria mbetet e hapur ndaj investimeve duke mbrojtur njëkohësisht interesin kombëtar dhe standardet ndërkombëtare.
VanHorn vuri në dukje se investitorët, përfshirë ata amerikanë, po e ndjekin me vëmendje këtë proces dhe se kompanitë amerikane janë të pranishme në sektorë si energjia, ndërtimi dhe teknologjia, ndërsa të tjera po shqyrtojnë mundësinë për të investuar në Shqipëri. Sipas saj, investitorët kërkojnë rregulla të qarta, kushte të barabarta konkurrimi dhe mbrojtje të sektorëve strategjikë.
Sipas saj, investitorët kërkojnë rregulla të qarta, kushte të barabarta konkurrimi dhe mbrojtje të sektorëve strategjikë, ndërsa theksoi se suksesi i mekanizmit do të varet nga mënyra se si ai do të zbatohet në praktikë.
Duke folur për klimën ekonomike në vend, Ibrahimaj vlerësoi rritjen e investimeve të huaja direkte, të cilat sipas saj gjatë vitit të kaluar kanë kaluar nivelin e 1.6 miliardë eurove.
“Investimet e huaja direkte janë një tregues i rëndësishëm i besimit që investitorët kanë ndaj ekonomisë sonë. Ato nuk kontribuojnë vetëm në rritjen ekonomike, por edhe në transferimin e standardeve më të mira të menaxhimit, teknologjisë dhe zhvillimit të biznesit. Për këtë arsye, është e rëndësishme që Shqipëria të vazhdojë të mbetet një ekonomi e hapur dhe konkurruese, ndërsa njëkohësisht forcon kapacitetet për mbrojtjen e interesave të saj strategjike”, deklaroi ajo.
Në fund, ministrja tha se bashkëpunimi me komunitetin e biznesit do të vijojë edhe gjatë fazës së zbatimit të mekanizmit.
“Objektivi ynë mbetet i pandryshuar: të ndërtojmë institucione më të forta, të rrisim konkurrueshmërinë e ekonomisë dhe të garantojmë një klimë biznesi gjithnjë e më transparente dhe tërheqëse për investimet cilësore”, deklaroi ministrja Ibrahimaj.
Gjatë aktivitetit folën edhe përfaqësues të Dhomës Amerikane të Tregtisë, të cilët theksuan se kuadri i ri nuk synon të kufizojë investimet, por të krijojë rregulla më të qarta, procedura më të parashikueshme dhe më shumë besim për investitorët vendas dhe të huaj
Drejtori Ekzekutiv i AmCham Albania, z. Neritan Mullaj dhe Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, z.Grant Van Cleve theksuan rëndësinë e krijimit të mekanizmave modernë që garantojnë sigurinë ekonomike dhe një mjedis të qëndrueshëm për investitorët,
Van Cleve, vlerësoi se mekanizmi i skanimit të investimeve ka qenë një proces për të cilin AmCham është investuar prej kohësh dhe u finalizua falë bashkëpunimit me partnerë vendas dhe ndërkombëtarë.
Një prezantim të rregullores, çfarë përfaqëson dhe mënyrën se si do të zbatohet, u bë nga zv. Ministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, Enkelejd Musabelliu, i cili më pas u bashkua në një panel me znj. Albana Karapanço, Kryetare e Komitetit Ligjor të AmCham Albania, dhe z. Adrian Shehu, Kryetar i Komitetit të Investimeve, për të ndarë reflektimet dhe pritshmëritë e tyre lidhur me implementimin e mekanizmit të ri.
Komente










