Kryeministri Edi Rama është shprehur se Komisioni Evropian është njohur në detaje me procesin e dokumentuar administrativ që lidhet me projektet në Sazan dhe Zvërnec.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama thekson se të gjitha procedurat janë të dokumentuara dhe i janë bërë të njohura institucioneve evropiane, ndërsa i referohet edhe deklarimeve të Komisioneres së Zgjerimit të BE-së, Marta Kos, e cila një ditë më parë foli për respektimin e standardeve dhe procesin në zhvillim.
“Komisioni Europian është njohur në detaje me procesin e dokumentuar administrativ lidhur me Sazanin e Zvërnecin dhe vetë Komisionerja Marta Kos ka folur qartë për të gjithë ata që duan t’i referohen fakteve”, shkroi Rama në rrjetet sociale.
Dje Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, deklaroi se qeveria shqiptare ka garantuar Komisionin Evropian se projekti turistik, i lidhur me Jared Kushner dhe Ivanka Trump, do të respektojë standardet mjedisore evropiane.
“Kemi marrë garanci nga qeveria shqiptare se do të kryhet një vlerësim i plotë i ndikimit në mjedis dhe se standardet evropiane të mbrojtjes së mjedisit do të respektohen”, tha Kos.
Komisionerja vuri në dukje se “projekti duhet të jetë në përputhje me kuadrin ligjor dhe me standardet e përcaktuara në Kapitullin 27 të negociatave të anëtarësimit, që lidhet me mjedisin. Aktualisht, mbyllja e këtij kapitulli është planifikuar deri në fund të vitit 2027.
Komente








