TIRANE-Arrestohen autorët e 2 vrasjeve në Durrës, të vëllezërve Haxhia në datë 27 Prill dhe të 2 të rinjve po në të njëjtin vend në datë 2 mars të po këtij viti te tregu i makinave. Autorët janë Altin Ndoci 33 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për trafik droge dhe K. A. 22 vjeç, banues në Durrës. Sipas policisë së shtetit, këta 2 persona ekzekutuan me armë zjarri vëllezërit Besmir e Viktor Haxhia dhe Dorjan Shkoza e Anxhelo Avdia. Të dyja ngjarjet kanë lidhje me prishjen e pazareve të drogës. Gjatë operacionit janë sekuestruar 3 armë zjarri që u përdorën për vrasjet, municion luftarak, automjeti tip 'Toyota' i përdorur për kryerjen e krimit dhe 12 aparate celularë. Armët e zjarrit të përdorura për të kryer krimin ishin fshehur në një kanal midis Shkozetit dhe Nishtullës, ndërsa në Arapaj u gjet dhe automjeti i përdorur nga autorët. Sipas policisë së shtetit mekanizimi i përdorur në të dyja vrasjet është i njëjtë. 

Por përse u vranë?
Katër personat janë ekzekutuar për shkak të prishjes së pazareve të drogës dhe influencës në territor në Durrës. E kaluara e viktimave dhe autorëve nuk ka qenë e panjohur për policinë, pasi kanë qenë kapur dhe dënuar më parë për drogë. 2 nga 4 viktimat kanë qenë të dënuar për trafik narkotikësh, konkretisht Dorjan Shkoza 35 vjeç, që u vra në 2 mars, ka qenë ish i dënuar me 8 vjet burg për drogë dhe Besmir Haxhia që u vra në 27 prill, ishte dënuar në Greqi dhe Francë po për narkotikë. Gjithashtu edhe njëri nga autorët, pra Altin Ndoci ka qenë i dënuar më parë për drogë.

Por si u zbardh ngjarja?
Makina tip 'Toyota' që përdorën në krim çoi policinë te dy autorët. Targat rezultuan se i përkasin një makine tip 'Skoda' pjesë e një kompanie të dhënies së mjeteve me qira, por që janë kopjuar duke u prodhuar në mënyrë artizanale nga Ndoci dhe bashkëpunëtori i tij. Pas kontrolleve të kamerave të sigurisë që zbuluan makinën 'Toyota' dhe metodave të tjera hetimore policia shkoi te makina, që ishte fshehur në Arapaj. Brenda në makinë, e cila ndryshe nga hera e parë në vrasjen e dytë nuk u dogj u gjetën prova, njolla gjaku dhe gjurmë gishtash. Nga analizimi i këtyre provave rezultoi se gjurmët dhe shenjat e gjakut i përkasin 22-vjeçarit me inicialet K.A. nga Durrësi.

I riu u arrestua dhe përballë hetuesve u thye duke pranuar përfshirjen dhe më pas të bashkëpunojë duke treguar shokun, Altin Ndocin, që u kap pasditen e djeshme në Tiranë. Më pas 22-vjeçari tregoi se ku kishin fshehur armët e zjarrit, tre kallashnikovët që u përdorën në krim. Gazetari i Report Tv Arsen Rusta raporton se Ndoci në momentin e arrestimit ka mohuar gjithçka, por provat janë të gjitha kundër tij. 

Aktualisht po hetohet edhe një detaj nëse ndonjë nga autorët e këtij krimi është plagosur duke qëlluar mbi vëllezërit Haxhia pasi në makinën 'Toyota' u gjetën njolla gjaku të 22-vjeçarit dhe xhamat e thyera. Një tjetër provë që ndihmoi hetuesit ishin edhe telefonat e dy vëllezërve Haxhiaj dhe 12 celularët sekuestruar të dy autorëve të dyshuar, ku rezulton se disa nga kontaktet e bisedat e tyre ishin me të njohur të përbashkët.

Sipas hetimeve rezulton se një nga autorët doli nga "Toyota" duke qëlluar para mjetit "Golf" të vëllezërve Haxhia, ndërsa një tjetër qëlloi nga brenda makinës pa dalë dhe në më pak se 90 sekonda ata kanë derdhur 56 plumba. Drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu u shpreh në deklaratën për mediat se vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këto ngjarje, por për arsye hetimi nuk bëjmë me dije detaje të tjera.

 

Anxhelo Avdia dhe Dorjan Shkoza

Viktor Haxhia dhe Besmir Haxhia

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:55
Detaje të re nga ekzekutimi i vëllezërve në Durrës, tabulatet telefonike 'fundosin' autorët (VIDEO)

Zbulimi i dy autorëve të ekzekutimit të dy vëllezërve në Durrës është bërë përmes zbulimit të tabulateve telefonike të viktimave nga ana e policisë. Pas shumë bisedash të zbuluar nga tabulatet telefonike mes dy vëllezërve Haxhia të ekzekutuar, ishin dhe bisedat me dy të arrestuarit si autor të kësaj vrasje në tregun e makinave në Durrës.

Gjetja e celularëve të viktimave të pacenuar ishte një ndihmë e madhe për grupin hetimor. Analiza e tabulateve të celularëve ishin çelësi i suksesit pasi bëri të mundur zbulimin e një disa personazheve të dyshuar ku u futën në rreth edhe autorët e krimit.

Pas shoqërimit të tyre në polici dhe marrjes së gjurmëve të gishtave, policia në të njëjtën kohë gjeti dhe makinën e autorëve.

Pas analizimit, në makinë u gjetën dhe gjurmën e njërit prej autorëve, konkretisht të 22-vjeçarit me iniciale K.A. Pasi gjurmët e gishtave përkonin me 22-vjeçarin, i shoqëruar më parë në polici nga tabulatet telefonike, u bë dhe arrestimi i tij. Ishte pikërisht 22-vjeçari që pas marrjes në pyetje nga grupi hetimor, tregoi të gjithë ngjarjen dhe bashkëpunimin me Altin Ndocin, 33 vjeç, që u arrestuar pasditen e djeshme në Tiranë.

Altin Ndoci dhe 22-vjeçari akuzohen edhe për ekzekutimin e 2 të rinjve Dorjan Shkoza e Anxhelo Avdia më 27 prill po në të njëjtin vend, te tregu i makinave.

Prishja e pazareve të drogës është bërë shkak për të dy këto ekzekutime, të ndodhura në të njëjtin vend, me pak ditë diferencë.

Ora 13:20
Arrestimi i 2 autorëve për ekzekutimin në Durrës/ Jaupaj për Report Tv: Policia veproi shpejt

Duke u ndalur tek arrestimi i 2 personave që ekzekutuan vëllezërit në Durrës, Drejtori i Policisë së Tiranës, Rebani Jaupi në një intervistë për Report Tv  tha se policia veproi shpejt.

"Policia e Tiranës ka qenë në detyrë, kemi marrë masa të vazhdueshme, por kohët e fundit për shkak të disa ngjarjeve të rënda që ndodhën, ku policia veproi shpejt, po kështu edhe ngjarjet e tjera janë kapur autorë. Jemi në vlerësim maksimal të situatës", tha Jaupaj për Report Tv.

Ora 12:02
Zbardhet dëshmia, Altin Ndoci mohon përfshirjen në vrasjet e Durrësit, por e 'kryqëzojnë' provat

Gazetari i Report Tv Arsen Rusta ka mësuar se nga ekzaminimet ka rezultuar se 2 nga 3 armët janë përdorur te vrasja e fundit e vëllezërve Haxhia, ndërsa po ekzaminohet edhe e treta, që u gjet. Ndërkohë që shenjat e gishtave dhe gjurmë të tjera kanë faktuar përfshirjen e dy të arrestuarve. Altin Ndoci ka mohuar përfshirjen në krim në dëshminë e parë në grupin hetimor, por rrëfimi i shokut të tij dhe provat e tjera janë kundër tij.

Ora 11:57
Targat e makinës që u përdor në vrasje janë vjedhur nga një makinë me qira


Report Tv mëson se targat e makinës 'Toyota' që u përdor nga autorët për vrasje janë AA 375 NX, por janë të vjedhura, pasi i përkasin një makine me qira 'Skoda'.

Ora 11:30
Del fotoja, ky është autori i dy vrasjeve në Durrës

1588325450_ALTINNDOCI.jpg

Report Tv siguron foton e njërit prej dy autorëve të vrasjeve në Durrës, Altin Ndocit. Ndoci në 26 shkurt të 2015 ka qenë arrestuar për vjedhjen e makinave në Tiranë, ndërsa më parë ka qenë i dënuar për shitje droge. Pas daljes nga burgu për vjedhjet i është rikthyer sërish aktivitetit kriminal.  

Vjedhjet nga Altin Ndoci dhe shoku i tij Sazan Cibaku në 2015
1.Më datë 18.12.2014 shtetasit e lartëpërmendur dyshohet se janë autor të vjedhjes së ndodhur në rrugën “3 Dëshmorët” Tiranë të automjetit tip - Mercedez Benz, me targa AA 711 DM, në pronësi te shtetasit Th.N,
2.Më datë 21.12.2014, gjatë natës, në rrugën “Tre Dëshmorët”, pranë banesës së shtetasit D.Xh, i kanë vjedhur mjetin tip “Benz”, me targa AA 966 GT.
3.Më datë 26.12.2014, gjatë natës ne rrugen “Tre Dëshmorët” ne ambjentet e pallatit “Sivis” shtetasit F.F, i kanë vjedhur mjetin tip “Benz”me targa AA 173 JX. 
4.Më datë 02.01.2015, gjate nates në Yzberisht,Tiranë, pranë pallatit ku banonte shtetasi me iniciale S.Q, i kanë vjedhur e mjetin tip “Benz”, me targë AA134FL.
5.Më datë 03.01.2014, gjatë natës në rrugën “Rexhep Shalla“ në Yzberisht shtetasit D.Sh, i kanë vjedhur mjetin tip “Benz” me targa AA 605 ER.
6.Më datë 09.01.2014, gjatë natës, në rrugën “3 Dëshmorët”, shtetasit D.B, i kanë vjedhur mjetin tip “Benz”, me targa AA 009 T.
7.Më datën 14.01.2015, gjatë natës, në rrugën “Tre Dëshmorët“,është vjedhur automjeti tip “Mercedez Benz”, me targa AA321AF, në pronësi të shtetasit Sh.G.
8.Më datë 02.02.2015 gjatë natës, në rrugën “Rexhep Shala”, është tentuar të vidhet automjeti tip “Benz Mercedes”, me targa AA 983KC, në pronësi të shtetasit A.D.
9.Më datë 06.02.2015, gjatë natës në rrugën “Teodor Keko”, është vjedhur mjeti tip “Volgsvagen Golf 5”, me targa AA 900 JX, në pronësi të shtetasit J.M.
10.Më datë 13.02.2015, gjatë natës, në rrugën “Teodor Keko”,  është vjedhur mjeti tip “Volgsvagen golf 5”, me targa AA 779 JM, në pronësi të shtetasit E.B.

Ora 11:24
Vrasjet në Durrës/ Zbulohet emri i njërit prej të arrestuarve, shoku bashkëpunoi me policinë

Altin Ndoci është një nga dy të arrestuarit për vrasjet. Ai u arrestua dje pasdite në Tiranë. Ndoci është njëri nga personi që qëlloi dy vëllezërit Haxhia. Ai ndodhet i shoqëruar në policinë e Durrësit dhe javën e ardhshme të dalë para gjykatës. I arrestuari tjetër është shoku i tij me inicialet K. A. ai ka bashkëpunuar me policinë për të zbardhur krimet në Durrës pasi u arrestua duke treguar edhe shokun. Por si u zbuluan? Gazetari i Shqiptarja.com Elton Qyno raporton se kamerat e sigurisë që kapën makinën tip 'Toytoa' çuan në zbardhjen e ngjarjes duke ndjekur dinamikën, policia arriti që të zbardhte edhe personat ku kanë qëndruar. Makina është sekuestruar, po ashtu edhe 3 armët.

Ora 11:16
2 Vrasjet në Durrës/ Njolla gjaku në makinë dhe gjurmë gishtasht në armë...momenti kur policia nxjerr kallashnikovët nga kanali (FOTO)

Report Tv ka arritur të sigurojë foto nga makina dhe kallashnikovët me të cilët dy autorët ekzekutuar 2 vëllezërit në Durrës. Burime për Report Tv bëjnë me dije se te armët është gjendur gjurmë të gishtave të autorëve. Armët i kishin hedhur në një kanal.

Deklarata e plote e policise se shtetit
Zbardhen dy ngjarje të rënda kriminale, të ndodhura dy muajt e fundit në Durrës. Vihen në pranga dy autorët e dyshuar të këtyre ngjarjeve, për veprën penale “Vrasja në rrethana cilësuese". Finalizohet operacioni policor i koduar "Shën Vlash", i zhvilluar nga Departamenti i Policisë Kriminale, Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, RENEA, FNSH Tiranë dhe Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës. Sekuestrohen 3 armë zjarri, municion luftarak, automjeti i përdorur për kryerjen e krimit dhe 12 aparate celular. Siç jeni në djeni, më datë 27.04.2020, në segmentin rrugor Shën Vlash-Nishtulla, ka ndodhur një ngjarje e rëndë kriminale, ku mbetën të vrarë me armë zjarri dy vëllezër. Për zbardhjen e kësaj ngjarjeje menjëherë u ngrit një grup i posaçëm hetimor, me ekspertët më të mirë të Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe të DVP Durrës, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës. Si rezultat i punës profesionale të bërë nga grupi i posaçëm hetimor, u bë i mundur grubmbullimi i provave që çuan në identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e ngjarjes. Për këtë, nga Departamenti i Policisë Kriminale, Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, RENEA, FNSH Tiranë dhe Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Durrës, mbi bazën e provave të grumbulluara nga puna hetimore, u finalizua operacioni policor i koduar "Shën Vlash ”, në kuadër të të cilit u bë zbulimi, identifikimi, kapja dhe ndalimi i shtetasve:

A. N., 33 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale "Trafikim i lëndëve narkotike"; 
K. A., 22 vjeç, banues në Durrës; 

Në vijim të veprimeve, në një kanal midis Shkozetit dhe Nishtullës, nga Forcat Speciale “Renea” u bë e mundur gjetja e armëve të zjarrit të përdorura për të kryer krimin, ndërsa në Arapaj u gjet dhe automjeti i përdorur nga këta shtetas. Falë veprimeve profesionale dhe hetimore të kryera nga grupi i posaçëm hetimor u bë e mundur edhe zbardhja e ngjarjes së ndodhur më datë 02.03.2020, në lagjen nr. 14, në rrugën “Vath Truja", Durrës, ku mbetën të vrarë me armë zjarri shtetasit D. Sh., 35 vjeç dhe A. A., 24 vjeç, ngjarje për të cilën dyshohet se autorë janë dy shtetasit e arrestuar. Po nga hetimet e kryera dhe këqyrja e vendit të ngjarjes rezulton se mekanizmi i kryerjes së krimit në të dyja ngjarjet është i ngjashëm dhe shkaku dyshohet të jetë prishja e pazareve për aktivitetin kriminal.  Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 armë zjarri kallashnikov, municion luftarak, 12 aparate telefonik të përdorur e prova të tjera të vlefshme që do i shërbejnë hetimit për dokumentimin e plotë të këtyre ngjarjeve. Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këto ngjarje, por për aryse hetimi nuk bëjmë me dije detaje të tjera. Zbardhja e këtyre ngjarjeve erdhi si rezultat i një bashkëpunimi, koordinimi dhe profesionalizmi mes disa strukturave, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës. Falënderoj Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës dhe në mënyrë të veçantë prokurorin Gëzim Veizi, për bashkëpunimin, mbështetjen dhe profesionalizmin e treguar dhe dua të siguroj qytetarët se Policia e Shtetit është tërësisht e angazhuar dhe e vendosur për të luftuar krimin e organizuar dhe krimin në përgjithësi, si dhe ftoj qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 apo në Komisariatin Dixhital çdo rast të paligjshmërisë.