Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari në një intervistë për Report Tv komenton shpalljen e Ikballe Hudutit si person të padëshiruar në Shqipëri, vendim që erdhi pas angazhimeve të saj në protestë. Lamallari thotë në një intervistë për Report Tv se kanë informacione se ajo i shërbente Iranit. AI thekson se nuk do të hezitojë të marrë të njëjtën vendim edhe për persona të tjerë që përdoren nga agjentura të huaja kundër Shqipërisë dhe rrugës së saj europiane.
Nertill Agalliu: Ju keni shpallur Non Grata një shtetase nga Kosova Ikballe Huduti, me argumentin se është e infiltruar nga Irani. E para a keni të dokumentuar këtë pretendim dhe a keni identifikuar persona të tjerë të angazhuar nga shtete te huaja? Sepse ju keni paralajmëruar edhe më herët që do të ketë të tjerë të shpallur “non grata”.
Besfort Lamallari: Vendimmarrja për shpalljen person të padëshiruar, ishte një praktikë që kishte kohë që kishte nisur. Pasi kam administruar informacionin jo vetëm nga Policia e Shtetit, por edhe me agjenci të tjera, kam krijuar bindjen se është rasti për të ndërhyrë duke e shpallur person të padëshiruar. S’do hezitoj të bëj të njëjtën gjë më të tjerë që nuk janë shtetas shqiptarë, por që përfshihen këtu me axhenda që janë në dëm të rrugës europiane të Shqipërisë dhe interesit kombëtar.
Nertill Agalliu: A janë në mbikëqyrjen e policisë?
Besfort Lamallari: Antiterrori monitoron edhe personat që marrin pjesë në protestë, sidomos ata që janë kontingjent për veprimtarinë e tyre.
Nertill Agalliu: A qëndron Irani, Greqia apo Rusia pas protestave? A keni ju prova?
Besfort Lamallari: Kur lajmërova shpalljen non grata të Ikballe Huduti, kam bërë publike disa prononcime të saj përmes televizioneve të ndryshme ku i bëhej propagandë regjimit iranian. Duke marrë parasysh faktin që Kuvendi e ka shpallur Iranin shtet sponsor të terrorizmit, çdo propagandë ndaj një organizate terroriste, sipas ligjit ka pasoja të tjera. Ky ishte një rast konkret. Nga veprimtaria e institucioneve ligjzbatuese ka informacione të vazhdueshme për elementë që meritojnë vëmendje të posaçme të institucioneve shqiptare. S’do ngurroj për asnjë çast të shkoj me vendimmarrje të tilla, krahas dhunës që bëhet për neutralizimin e tyre edhe nga agjenci ligjzbatuese.
Lajmi kryesor:
Dhuna drejt efektivëve/ Lamallari për Report Tv: Policia neutralizoi agresorë me rekorde kriminale! Huduti non grata? S’kursejmë askënd që përdoret nga agjenturat e huaja










