Ikja kozmike e Petro Zhejit

Ikja kozmike e Petro Zhejit
TIRANE- Ngjan me ikjen e pelegrinëve që befas marrin udhën për diku, dhe sigurisht që do të kthehen sërish, tashmë si amë e frymës së dijes dhe kontributit të jashtëzakoshëm në lëmin e gjuhës, të përkthimit, të letrave shqipe.

Do të kthehen, se kemi nevojë ne për ta, ka dobi shkenca e gjuhës shqipe, komunikimi me vlerat e njerëzimit. Në figurën dhe personalitetin e tij, nga kontributet e vlerat që na la si trashëgimi, nga punët e vyera në interes të gjuhës dhe letërsisë shqipe, bashkërisht, lëvizin dy përmasa: - Rilindasi i mbramë, që pa dhe projektoi tek gjuha shqipe, me një mjeshtëri të jashtëzakonshme, shenjën më unike të kombit dhe qenies shqiptare, të skalitur deri në përsosje në librin “Shqipja dhe Sanskritishtja” e në libra të tjerë.

Një libër ky që bëri udhën e mundimshme për te lexuesi, brenda dhe jashtë vendit. Një libër që gjeti jehonë tek jo pak shkencëtarë të huaj. Një libër që ende në shkencën shqiptare, nuk ka zënë vendin që i takon. Të paktën mos e humbim shansin tani, dhe të nderojmë një punë madhore.

-Modernin e paepur, që gdhendi fytyrën e intelektualit, burrit të shquar dhe të paepur, përkthyesit të jashtëzakonshëm që bëri të këndojnë në gjuhën shqipe kaq e kaq mjeshtra të letërsisë së përbotshme, përmes një shqipje të rrallë, ku lidhen melodia me vizionin.

Në fakt, edhe pse dikush kishte dëgjuar emrin, të dyja këto përmasa i dinim me kohë, po vlerën nuk ua ditëm. Po ose bëmë sikur nuk i pamë këto vlera, siç bëjmë zakonisht me mjeshtrat, ose për shumë nuk deshëm që t’i vinim re, se i kishim emëruar të diturit, ata që dinë të shërbejnë, që bëhen zëri i pushteteve dhe shkencën e përdorin për të ngjitur të tatëpjetat e pushtetit, që të jep përkohësinë. Petro Zheji, në gjallje nuk hyri atje ku e meritonte, në radhët e akademikëve, ndonëse vepra e tij, i kishte kapërcyer kufijtë e Shqipërisë.

Tani ai nuk ka nevojë për asgjë, por Akademia e Shkencave ndjen nevojën për ta patur në gjirin e vetë... Ai mori me vete mungesën e vëmendjes tonë, institucionale dhe individuale. Bashkë me ikjen e tij, megjithatë ka marrë diçka nga ne, nga pengu ynë, nga pamundësia për të vlerësuar aktet dhe veprën e tij madhore.

Madje, edhe në këtë rast, të ikjes kozmike, është treguar aq bujar sa me fjalën e tij ka vizatuar portretin që vjen magjishëm në fjalët: “Gjithçka kam bërë, gjithë udhëtimi im mendor arrin në këto dy përfundime: Përfundimi i parë, ka një kuptim se jam shqiptar dhe se tërë jetën time ia dedikova pikërisht këtij kuptimi dhe provën e përsesë unë ndihem mirë me kombësisë time është gjuha, që është një gjuhë që do të jetë gjithmonë e më tepër një rivelacion jo thjeshtë rajonal, por shumë e shumë më gjerë.”

Tani që iku vërtet, më në fund, shumëkush e kuptoi dhe u rrek që të përcillte praninë e tij, në kuptimin e plotë të kësaj fjale. Për shumë njerëz, të zakonshëm, ai nuk pati qenë, ose nuk e lanë që të ishte i pranishëm...Petro Zheji, iku për të mbetur në mes tonë, si një model i njeriut, intelktualit dhe mendimtarit të pakundshsoq.


Homazhet, Petro Zheji u nda nga jeta më 15 mars 2015
 
Përkthyesi dhe filozofi Petro Zheji, një ndër personalitetet më të shquara të Shqipërisë në fushën e letrave, është ndarë nga jeta, në orët e para të mëngjesit të së dielës, në moshën 85 vjeçare. I lindur në Tiranë, më 1929, Petro Zheji, në moshë të re, u shqua për talent të rrallë në njohjen dhe zotërimin e gjuhëve të huaja. Poliglot që njihte me themel shqipen, Zheji zotëronte edhe gjuhët italiane, frënge, angleze, spanjolle, gjermane, ruse, hebraishten, sanskritishten e vjetër, greqishten e vjetër dhe latinishten.

Petro Zheji, krahas studimeve gjuhësore, do të kujtohet edhe si mjeshtri i përkthimit, i cili ka sjellë për lexuesin shqiptar vepra botërore si “Ringjallja” e Leo Tolstoit, Vëllimi i dytë i kryeveprës “Don Kishoti” ,“Vitet e zemërimit” “Zoti President” “Galileo Galilei” dhe shumë vepra të tjera .

Studiuesi  ka publikuar dy veprat e tij : “Libri i aforizmave” “Shqipja dhe Sanskritishja”. Pas lajmit për vdekjen e Zhejit ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama i cili në një postim në profilin e tij në rrjetin social Facebook, shkruan,“Trishtim i thellë për humbjen e Petro Zhejit ustai i pashoq i gjuhës që e beri Don Kishotin të fliste në shqip si të ishte lindur anëve tona”.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 17 Mars 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Gaza/ Foshnja e porsalindur vdes nga i ftohti natën e Krishtlindjes, ndërsa Izraeli e Hamasi debatojnë për armëpushim

Gaza/ Foshnja e porsalindur vdes nga i ftohti natën e Krishtlindjes, ndërsa Izraeli e Hamasi debatojnë për armëpushim