PORTO PALERMO- Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) ka shembur resortin 'Panorma' në pronësi të kushëririt të ish-deputetit Koço Kokëdhimës, (tashmë kryetar i Partisë ZGJIDHJA) ndërtuar buzë detit në Porto Palermo.

Resorti i Mihal Kokëdhimës që ishte pa leje është rrafshuar nga fadroma e IKMT që kanë punuar për më shumë se dy orë në mënyrë mekanike. IKMT njofton se ky subjekt 2000 m2 shfrytëzonte pa leje edhe zonën e plazhit duke u marrë para pushuesve që zgjidhnin të qëndronin aty. Po ashtu burime për Report Tv bëjnë me dije se në objektin në pronësi të Mihal Kokëdhimës, kishte edhe dhoma për pushuesit duke e kthyer restorantin e tij si një hotel, kundrejt pagesës. Kështu rëndohet akoma më shumë shkelja e Mihal Kokëdhimës. Gjatë aksionit për prishjen e resortit të Mihal Kokëdhimës nuk janë shënuar incidente, pasi të pranishmit në këtë restorant janë larguar ndërsa perimetri është ruajtur nga forca të shumta të policisë. Në përfundim IKMT ka njoftuar se aksioni për prishjen e banesave pa leje do të vazhdojë përgjatë të gjithë vijës bregdetare.

Restoranti i Mihal Kokëdhimës, vijonte punën edhe pse ishte pa leje, deri pas incidentit të ndodhur disa ditë më parë në Porto Palermo, ku Kokëdhima sulmoi familjen e milionerit spanjoll Eugenio Galdón, që kishin ardhur të ushqeheshin në restorantin e tij. Në videon që Report Tv siguroi Mihal Kokëdhima për rreth 3 kilometra u ngjit mbi kofanon e makinës që po udhëtonin turistët spanjollë dhe i terrorizoi duke thyer xhamin dhe duke i ofenduar. E gjithë kjo skenë vetëm pasi ata kishin mbetur të pakënaqur nga sjellja dhe shërbimi në restorantin pa leje të Kokëdhimës.

Pavarësisht tentativës së Bashkisë së Himarës për ta shembur në vitin 2012 si objekt pa leje nga autoritetet, biznesi vijon të ushtrojë aktivitetin për vite me radhë mbi pronë publike. Ndërsa vetë pronari Mihal Kokëdhima pasi ka dhunuar familjen e miliarderit spanjoll Eugenio Galdón, dhe shoqëruesit shqiptarë, Mihal Kokëdhima është lënë nën masën 'arrest me burg'. Kokëdhima nuk ishte një emër i panjohur për drejtësinë pasi ai u fal, pas dy gjyqesh për vjedhje energjie dhe ndërtim pa leje...por nuk ka bërë asnjë ditë burg.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:58
I afërmi i Kokëdhimës: Atë që ta bën qeveria s'ta bën perëndia, Mihali në depresion

Një i afërm i Mihal Kokëdhimës, Dhimitraq kokëdhima, në një intervistë për Report Tv ka deklaruar se pas prishjes e këtij resorti, Mihal Kokëdhima mund të ketë kaluar në depresion.

I afërmi ndër të tjera ka deklaruar se Mihal Kokëdhima i kishte bërë dokumentet dhe e kishte dërguar për legalizim. Ai më pas ka thënë se situatën e ka marrë vesh shumë vonë, ka deklaruar se nëse ai do të ishte aty në momentin e ngjarjes nuk do ta kishte lejuar Mihalin që të bënte një veprim të tillë me turistët spanjollë.

"I ka bërë letrat, por nuk e di se a i ka bërë apo nuk i ka bërë legalizimin. Sot kam ardhur nga Saranda...familja është njoftuarpër prishjen.  Atë që ta bën qeveria s'ta bën perëndia. Edhe ai që gjendet me drogë ka vëë jetën e tij në rrezik. Ai duhet të njoftohej një javë para... të kishte hequr materialet. Kur mor vesh për objektin, Mihali ka kaluar në depresion...se ti prishet objekti kshuu..., S'kam parë gjë po ta kisha parë do ti veja faj njeriu tim. Kur erdha nga Saranda atëherë e kam marrë vesh. Kur erdha këtu. Skam ca them më tej. Jam një njeri shumë i afërt me Mihalin, nip i bie."

Ora 11:30
Rrafshohet resorti PA LEJE i Mihal Kokëdhimës (FOTO+VIDEO)

Dy Fadromat e IKMT kanë rrafshuar plotësisht resortin e Mihal Kokëdhimës në Porto Palermo. Familjarët e Kokëdhimës janë lajmëruar që mbrëmë nga IKMT dhe kanë mundur të nxjerrin materialet jashtë pa bërë rezistencë. Ndërkohë IKMT do të vijoi punimet për të larguar inertet e resort 'Panorma' në mënyrë që bregu i detit të jetë i pastër dhe i lirë për pushuesit. 

Ora 10:18
Pamjet me dron nga shembja e restorant PANORMA të Mihal Kokëdhimës nga IKMT (VIDEO)
Ora 08:36
IKMT shton forcat, dy fadroma shembin restorant 'Panorma'

IKMT ka shtuar forcat për prishjen e restorant 'Panorma' në Porto Palermo. Mjetet e rënda vijojnë punën për shembjen e restorantit të Mihal Kokëdhimës ku deri më tani kanë shembur më shumë se gjysmën.

Ky aksion i IKMT-së vjen pas ngjarjes së rëndë, ku pronari i saj ushtroi dhunë fizike dhe psikologjike mbi turistët spanjollë.

Ora 08:22
Shembet më shumë se gjysma e restorantit pa leje të Mihal Kokëdhimës (VIDEO)

IKMT ka shembur më shumë se gjysmën e restoranit pa leje të Mihal Kokëdhimës në Porto Palermo. Fadroma po  punon m intensitet të lartë dhe për rreth 1 orë ka shembur taracën sipër restorantit, shkallët, dhe gjysmën e ndërtesës. Deri më tani nuk janë shënuar incidente, pasi i gjithë territori po ruhet nga forca të shumta të policisë. 

Ora 08:02
Shembja e 'Panorma-s', reagon IKMT: Shfrytëzonte plazhin pa leje, do të vazhdojmë aksionin në të gjithë vijën bregdetare

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka reaguar për prishjen e bar-restorantin “Panorma” në Porto-Palermo, në pronësi të Mihal Kokëdhimë. Ky aksion i IKMT udhëhiqet nga kryeinspektorja, Dallëndyshe Bici dhe në bashkëpunim me policinë e shtetit. IKMT bën me dije se nuk ka hasur në kundërshtime nga qytetarët. Më pas IKMT shkruan se kjo nuk do të jetë shembja e vetme e restoranteve pa leje, por do të vazhdojë në të gjithë zonën.

"Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka vendosur të prishë bar-restorantin “Panorma” në Porto-Palermo, i ekspozuar publikisht pas një skandali të pronarit me disa turistë spanjollë dhe dy shoqëruesit e tyre shqiptarë. 
Objekti rreth 2 mijë metër katror, i ndërtuar në një nga zonat më të bukura bregdetare të Shqipërisë, rezulton pa leje, ndërkohë që shfrytëzonte kundrejt pagesës edhe pjesën e plazhit. 
Në këtë operacion, IKMT nuk ka hasur në kundërshtime të qytetarëve. Çdo veprim i saj ka qenë i koordinuar ngushtësisht me policinë e shtetit. Menjëherë pas përfundimit të këtij operacioni, IKMT do të vijojë punën në gjithë vijën bregdetare te vendit."

Ora 07:40
Fadroma nis shkatërrimin e restorantit 'Panorma' të kushëririt të Koço Kokëdhimës

Fadroma e IKMT ka nisur shembjen e restorant Panorma në Porto Palermo. E gjithë zona është rrethuar nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë  si dhe punëtorët e IKMT dhe nga aty janë larguar edhe turistët e fundit që po pushonin në këtë zonë. Në mënyrë mekanike fadroma ka shembur fillimisht tabelën e këtij Restoranti, më pas ndërhyrë në verandën e objektit. Ndërkohë forca të shumta policie janë pranë objektit për të shmangur incidentet e mundshme nga familjarët e Mihal Kokëdhimës.