ILDKP
TIRANË, 29 Shtator /ATSH-Gjergji Mima/ - Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave njoftoi sot se, do të dërgojë pranë Prokurorisë së Përgjithshme kallëzimin penal për subjektin Osman Aliu, me funksion gjyqtar pranë Gjykatës së shkallës së parë, Kavajë, për veprat penale të "Fshehjes dhe deklarimit të rremë të pasurisë dhe pastrimit të produkteve".
Në njoftimin e ILDKPKI thuhet se, "në vazhdim të proceseve të kontrollit të plotë dhe hetimit administrativ për zyrtarë të niveleve të ndryshme ka konstatuar fshehje të pasurisë, deklarim të rremë të interesave private, mungesë burimesh të ligjshme financiare për pasuritë e krijuara, transaksione të padeklaruara, të dyshimta, dhe pa burime të ligjshme, 2009 - 2013, jashtë Shqipërisë, deklarime të rreme për huamarrje, huadhënie dhe dhurata me qëllim justifikimin e pasurive të vëna në kundërshtim me ligjin, etj".
Gjithashtu, ILDKPKI do të njoftojë menjëherë Ministrin e Drejtësisë dhe Këshillin e Lartë të Drejtësisë për marrjen e masave disiplinore edhe për sjelljen rrugaçërore të gjyqtarit Osman Aliu, sot në ambientet e ILDKPKI, i cili jo vetëm refuzoi t'u përgjigjej pyetjeve të Inspektorëve të ngarkuar me kontrollin e plotë por edhe u largua dhunshëm e duke i fyer ata gjatë kryerjes së detyrës. /a.ke/