Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, Ilir Alimehmeti, është shprehur se shembja e rrugëve (që çoi edhe në izolimin e Jug-Lindjes pas shembjes së aksit Librazhd-Prrenjas) në Shqipëri ishte përgjegjësi e Belinda Ballukut, e cila ishte ministre e Infrastrukturës dhe Energjitikës.

Komentet Alimehmeti i bëri në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Denis Minga në Report TV, ku tha se ishte abuzimi me fondet e rrugëve që solli këto problematika me akset në të gjithë vendin.

Alimehmeti shtoi se Balluku nuk duhet të ishte emëruar fare zv.kryeministre në shtator, teksa shtoi se kur doli zyrtarisht e pandehur nga SPAK, duhet ta kishte dhënë vetë dorëheqjen.

“Mazhoranca është kapur mat me Ballukun. Do duhej mos të ishte emëruar fare zv.kryeministre në shtator. Doli e pandehur zyrtarisht nga SPAK, duhet të jepte dorëheqjen vetë, por nuk e dha për shkak të mungesës së integritetit politik.

Është zhvillim që do jetë në kurriz të gjithë njerëzve. Të gjitha rrugët e ndërtuara dhe mbikqyrura prej saj u shembën. Kjo nuk është e drejtë për asnjë.

Ndërkohë që ne flasim, patëm situatën që 1/3 e vendit u izolua. Ndërkohë që ne kishim një krizë për shkak të abuzimeve me fondet e rrugëve, ne kishim probleme madhore sepse askush në dikastere nuk ka guximin të firmosë sepse e di gjëndjen ku ndodhemi”, tha mes të tjerash Alimehmeti.

Kujtojmë se shumë akse rrugore në Shqipëri u shembën ose pësuan dëmtime të shumta gjatë javëve të fundit. Rasti më i rëndë ishte shembja e aksit Librazhd-Prrenjas, që çoi thuajse në izolimin e plotë të Jug-Lindjes së vendit për disa ditë.


Lajmi kryesor:

SPAK kërkon arrestimin e Ballukut/ Korreshi paralajmëron surpriza në Parlament: Rama dhe PS mund të votojnë heqjen e imunitetit të saj! Alimehmeti: Përgjegjëse për shembjen e rrugëve