Reagimin e Dhomës së Avokatisë ndaj kufizimit të përdorimit të telefonave celularë në GJKKO e konsideroj të kuptueshëm. Avokatët kundërshtojnë një pengesë në ushtrimin e profesionit dhe një trajtim që e konsiderojnë të pabarabartë në raport me organin e akuzës. Shqetësimi i tyre meriton të dëgjohet.
Por, si nje person që prej tre vjetësh përballem me procese penale në GJKKO, unë e shoh problemin edhe nga një këndveshtrim tjeter. Për mua, më shumë sesa prania e telefonit celular të avokatit ne sallë, rëndësi ka nëse ai mund të ketë me vete kompjuterin portabel. Një dosje prej 250 mije faqesh është praktikisht e pamundur për t’u konsultuar nga ekrani i telefonit gjatë një seance. Duhet të gjesh dokumentin, ta lexosh, ta krahasosh me një tjetër dhe të reagosh ndaj asaj që po thuhet në sallë.
Nuk kërkoj përjashtim nga rregullat e sigurisë. Kërkoj që organizimi i sigurisë të mos e bëjë të pamundur mbrojtjen reale, mbrojtjen efektive. Nëse përdorimi i një pajisjeje elektronike duhet kufizuar, duhet të sigurohet një mënyrë tjetër, realisht funksionale, për të punuar me dosjen. Përndryshe, kemi ruajtur një rregull administrativ duke cenuar qellimin për të cilin zhvillohet vetë seanca.
Çështja nuk është vetëm çfarë pajisjeje lejohet të kete avokati ne sallë. Çështja është nëse ai ka mundësi ta mbrojë realisht klientin e tij.
Pikërisht këtu reagimi i tanishëm më ngjall njëkohësisht shpresë dhe një pyetje.
Gjatë këtyre tre viteve kam kundërshtuar praktika të SPAK dhe GJKKO që i konsideroj shkelje të hapura të garancive procedurale. Nuk kam vënë re një reagim kolektiv të avokatisë të njëjtën vendosmëri ndaj tyre. Nuk po them se avokatët nuk kanë ngritur kundërshtime në çështje të veçanta. Po flas për qendrimin institucional të profesionit ndaj praktikave që prekin shume të akuzuar dhe përsëriten në shumë procese.
Le të jetë, pra, ky reagim një ogur i mirë: fillimi i një angazhimi te përbashkët jo vetëm për pengesat e drejtpërdrejta në punën e avokatit, por edhe për pengesat që e bëjnë mbrojtjen të paefektshme për klientin.
Marrim provat digjitale.
Këtu nuk jemi më përpara një fushe ku mungon jurusprudenca dhe as përpara ankesave të izoluara të disa tëpandehurve apo avokatëve.
Që prej vitit 2021 ekziston vendimi njësues nr. 147 i Gjykatës së Lartë në çështjen e njohur si Lapsi.al, i cili trajtoi garancitë që duhet të shoqërojnë sekuestrimin dhe këqyrjen e të dhënave kompjuterike.
Më pas problemi ka mbërritur disa herë në GjykatënKushtetuese.
Në çështjen Elton Qyno, me vendimin nr. 21 të vitit 2025, Gjykata Kushtetuese ndërhyri ndaj vendimeve gjyqësore që kishin lejuar sekuestrimin e të dhënave kompjuterike dhe urdheroi, sipas arsyetimit të saj, asgjësimin e të dhënave të sekuestruara.
Në çështjen Onejda Ymeraj, po në vitin 2025, Gjykata Kushtetuese bëri një dallim thelbësor ndërmjet të dhënave që lidhen me objektin e hetimit dhe atyre që nuk lidhen me të, duke kërkuar për këto të fundit asgjësimin e kopjeve dhe duke riafirmuar nevojën e kontrollit gjyqësor dhe të garancive procedurale.
Dhe seria nuk përfundon këtu.
Më 29 qershor 2026, Gjykata Kushtetuese vendosi edhe për çështjen Vladimir Vladimirov, vendim i bërë publik më 1 shtator2026. Edhe kjo çështje kishte në qendër marrjen dhe përdorimine të dhënave të nxjerra nga telefoni celular.
Gjykata Kushtetuese e pranoi pjesërisht kërkesën, shfuqizoi vendimun përkatës të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë si të papajtueshem me Kushtetutën dhe e dërgoi çështjen për rishqyrtim në Gjykatën e Lartë.
Pra, kemi një vijë që tashmë shtrihet në disa vite:
Lapsi.al – Gjykata e Lartë, 2021. Elton Qyno – Gjykata Kushtetuese, 2025. Onejda Ymeraj – Gjykata Kushtetuese, 2025. Vladimir Vladimirov – Gjykata Kushtetuese, 2026.
Pas gjithë kësaj jurisprudence, është e vështirë që problemet që vazhdojne të ngrihen për marrjen, këqyrjen, kopjimin, ruajtjen fhe përdorimin e të dhënave digjitale të konsiderohen thjesht pretendine procedurale të një të pandehuri të caktuar, të cilave mund t'u jepet përgjigjja: “do të vlerësohen gjatë gjykimit”.
Këtu pikërisht shoh një rol institucional për Dhomën Kombëtaretë Avokatisë.
Dhoma nuk ka pse të deklarojë të paligjshme një provë konkretedhe as të marrë rolin e gjykatës. Por, kur Gjykata e Lartë dhe Ghykata Kushtetuese janë detyruar vazhdimisht të ndërhyjnë mbi te njëjtën fushë problematike, avokatia ka arsye të kërkojë institucionalisht që standardet e vendosura prej tyre të respektohen që në momentin e marrjes dhe administrimit të proves.
Sepse një garanci procedurale që zbatohet vetëm pasi kanë kaluar disa vite dhe çështja ka mbërritur në Gjykatën e Lartë apo në Gjykatën Kushtetuese rrezikon të humbasë një pjesë të madhe të funksionit të saj.
Dhe këtu lind pyetja që lidhet drejtpërdrejt me reagimin e sotëmtë avokatëve:
Nëse duhet një reagim en bloc kur avokatit i merret telefoni në hyrje të gjykatës, përse nuk duhet një reagim en bloc kur telefono i klientit të tij sekuestrohet, aksesohet dhe të dhënat e tij administrohen pa respektuar garancitë procedurale që jurusprudenca ka vendosur tashmë?
Kjo nuk është më vetëm çështje e telefonit të të pandehurit. Është çështje e provës mbi të cilën ai mund të akuzohet dhe gjykohet. Dhe, për këtë arsye, është edhe çështje e mbrojtjes.
Një tjetër çështje është mbajtja e të pandehurve në kafaz apo në kabina të mbyllura sigurie brenda sallës së gjyqit. Në përvojen time , arsyetimi se «të gjithë të pandehurit trajtohen njësoj ne GJKKO te apelit» është përdorur si përgjigje ndaj kundërshtimit te kësaj praktike. Por një kufizim nuk bëhet i ligjshëm vetëm seose zbatohet ndaj të gjithëve. Trajtimi i njëjtë nuk e zëvendëson arsyetimin për nevojën e kufizimit.
Jurisprudenca e GJEDNJ nuk ndalon automatikisht çdo kabinë xhami. Megjithatë, kërkon që kufizimet të jenë të nevojshme dhe proporcionale me rreziqet konkrete, pa cenuar pjesëmarrjen efektive dhe komunikimin konfidencial me avokatin.
Për mua kjo nuk është çështje e organizimit të sallës. Është ceshzje nëse mund t’i tregoj menjëherë avokatit një pasaktësi, t’i kërkoj të kundërshtojë një pretendim apo të konsultohem me të pa ia bërë të dëgjueshme gjithë sallës atë që dua t’i them. Kur pengohet ky komunikim, pengohet edhe puna e avokatit. Atëherë, përse kjo të mos jetë gjithashtu një çështje e përbashkët e avokatisë?
Po aq themelor është aksesi te dosja.
Në përvojën time, marrja e materialit të fashikullit në format digjital është kushtëzuar me pagesën paraprake të një tarife. Këtu duhet bërë një dallim: një gjë është kostoja e riprodhimit të dokumentave; tjetër gjë është mundësia reale për t’u njohur me materialin mbi të cilin mbështetet akuza.
Standardet e procesit të rregullt e lidhin aksesin te dosja me përgatitjen e mbrojtjes dhe barazinë e armëve. Ato kërkojnë gjithashtu që i akuzuari të mos pengohet në sigurimin e kopjeve te dokumenteve përkatëse dhe në përdorimin e shënimeve për mbrojtjen.
Këto nuk janë shqetësime të shkëputura të disa klientëve. Janë çështje të vetë ushtrimit të profesionit të avokatit.
Prandaj, unë nuk kërkoj më pak vendosmëri për telefonin apo kompjuterin. Kërkoj të njëjtën vendosmëri për ligjshmërinë e marrjes së provave, për aksesin në dosje dhe për komunikimin me të akuzuarin. Dhoma e Avokatisë nuk ka se si të marrë përsiper zgjidhjen e çdo çështjeje penale. Por duhet të kërkojë standarte që vlejnë për të gjithe.
Gjykata, natyrisht, nuk është palë. Ajo eshte arbitri i paanshem mes akuzës dhe mbrojtjes. Por mbrojtja nuk mund te ndahet në dy interesa që ecin veçmas — interesin profesional të avokatit dhe të drejtën e të akuzuarit për t’u mbrojtur.
Përndryshe, rrezikojmë që në sallë të mos kemi një gjykatë përballë së cilës debatojnë akuza dhe mbrojtja, por katër pozicione të shkëputura: Gjykata — Organi i akuzës — Avokatët — Të akuzuarit.







Komente
Komento