Ballkani dhe Viktoria Plzen luajnë nesër në orën 18:45 për raundin e pestë në grupin C të Conference League. Sfida është spostuar nga "Fadil Vokrri" për në "Air Albania", kjo për shkak të fushës së keqe në Prishtinë.
Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja foli për mediet nga stadiumi në Tiranë, aty ku do luhet kjo ndeshje. Sipas trajnerit kampion, ky është një duel i fortë dhe ata kërkojnë mbështetjen e publikut. Plzen me 12 pikë mban vendin e parë në grup, teksa ka siguruar një biletë për në fazën e radhës. Astana dhe Ballkani kanë nga katër pikë, ndërsa Dinamo Zagreb tre. Të tria skuadrat janë në garë për një vend në fazën tjetër.
"Si ndiheni para këtij takimi në “Air Albania”?
Rikthehemi në stadiumin emblemë të të gjithë shqiptarëve. Kemi kaluar shumë mirë edhe në stadiumin “Fadil Vokrri’, por për shkak të kushteve atmosferike vijmë të luajmë në këtë stadium. Shpresojmë të bëjmë një paraqitje sa më dinjitoze ndaj çekëve të Viktoria Plzen.
A është skuadra gati për sfidën e të enjtes?
Kemi mungesa, por jemi të motivuar maksimalisht, pasi e dimë rëndësinë e ndeshjes. Përballemi me kryesuesen e grupit, që ka fituar të gjithë takimet deri tani. Nëse nesër do të kemi edhe mbështetjen e publikut, do të jemi edhe më të motivuar. Sa i përket organikës, na mungon Hamidi i pezulluar dhe Tolaj, që është i dëmtuar, por rikthehet Berisha. Megjithatë mendoj se çdo futbollist, në një stadium të tillë, do të dijë të marrë ndeshjen me qetësi dhe të japë maksimumin. Kundërshtari ka tranzicion pozitiv shumë të mirë dhe nëse u lë hapësira, të ndëshkojnë.
Sa mund t’u ndihmojë fakti që Viktoria Plzen vjen e kualifikuar, por edhe që do të luani larg Prishtinës dhe në një terren shumë më të mirë?
Fakti që ata janë të kualifikuar, ka të dy anët e medaljes, pasi nuk do të ketë motivimin maksimal dhe mund të bëjë rotacion, por nga ana tjetër ata janë profesionistë dhe nuk do të nënvlerësojmë. Ne luajmë në Shqipëri dhe besoj se do ta ndjejmë veten si në shtëpinë tonë, pasi jemi në shtëpinë tonë. Shumë lojtarë nuk e kanë shkelur ndonjëherë këtë terren dhe ky do të jetë një minus për ne, por do të përpiqemi të bëjmë më të mirën e mundshme.
A do të jetë i kënaqur Ballkani nëse merr vetëm një pikë?
Që të jemi me këmbë në tokë, edhe deri këtu ku kemi ardhur, kemi bërë një arritje të madhe për Ballkanin, por edhe futbollin e Kosovës. Ne do të bëjmë më të mirën e mundshme dhe do të duam tre tregojmë anën tonë më të mirë.
A jeni i kënaqur me përfaqësimin në fazën e grupeve, apo keni ëndërr të avanconi edhe më tej?
Kalimi në fazën e grupeve nuk është i përhershëm për skuadrat shqiptare, por është arritje historike. Ne të gjithë bashkë do të tentojmë të bëjmë një tjetër arritje, por e dimë që do të jetë tmerrësisht e vështirë. Përveç ndeshjes me Viktoria Plzen, na pret edhe një transfertë shumë e vështirë në Zagreb ndaj Dinamos. Megjithatë do të provojmë të bëjmë një tjetër hap historik", tha Daja.