Ka kohë që në Shqipëri është krijuar një klimë e rëndë masakrimi publik. Njeriu nuk dënohet më vetëm në gjykatë; ai dënohet në ekran, në portal, në Facebook, në studio televizive dhe, kur nuk mjafton gjithë kjo, në tavolinën e darkës së ndonjë opinionisti që ka zbuluar se drejtësia bëhet shumë më shpejt me mikrofon sesa me prova.

Dikur kishim Lala Krosin: “Lala Kros, o Lala Kros, vetë shkruan e vetë vulos.” Sot kemi versionin modern, dixhital dhe me reklamues. Lala Krosi është bërë një korporatë me kamera, portale, tituj me shkronja të mëdha, ekspertë me kostum dhe burime “pranë hetimit”. Mbi të gjitha, ka një oreks të jashtëzakonshëm për të shpallur fajtorë njerëz që ende nuk janë gjykuar.

Dikur fletërrufeja ngjitej në mur. Sot transmetohet në prime time.

Dikur turmës i thuhej: “Ky është armik i popullit.” Sot i thuhet: “Ky është i korruptuar, hajdut, mafioz.” Prova? Prova do të vijë më vonë. Ndoshta. Nëse vjen.

Kështu kemi krijuar një drejtësi të re: drejtësinë e opinionit publik, ku aktakuza shkruhet nga titulli, gjyqi zhvillohet në studio dhe verdikti jepet para se prokurori të ketë mbaruar leximin e dosjes.

Kjo nuk është drejtësi.

Është spektakël me kostum juridik.

Shtylla vertebrore e një shteti është shteti ligjor. Jo televizioni, portali, “burimi im” apo opinionisti që ngre vetullën në mënyrë dramatike dhe thotë: “Ne kemi informacione shumë serioze.”

Në një shtet normal, prova prodhon përfundimin. Në Shqipëri shpesh kemi filluar të bëjmë të kundërtën: përfundimi prodhon nevojën për prova.

Dhe kjo është shumë praktike. Prova kërkon punë, dokumente, ekspertizë, dëshmitarë, procedurë dhe përgjegjësi. Ndërsa një titull bombastik kërkon vetëm një tastierë dhe pak mungesë turpi.

Këtu duhet bërë një dallim themelor: media ka të drejtë të hetojë dhe të kritikojë; nuk ka të drejtë të shpikë një gjykatë paralele.

Gazetari i mirë është roje e demokracisë.

Gjobvënësi mediatik është ndërmjetësi i frikës.

I pari pyet; i dyti shpall.

I pari kërkon dokumente; i dyti kërkon klikime.

I pari i trembet gabimit; i dyti i trembet vetëm rënies së audiencës.

Kur media bëhet gjobvënëse, ajo nuk është më “pushteti i katërt”. Është një zyrë tatimore pa ligj, ku taksa quhet heshtje dhe gjoba quhet reputacion.

Njeriu që nuk paguan me para mund të paguajë me emrin. Mjafton një titull, një insinuatë, një fotografi e zgjedhur me kujdes ose një “burim pranë hetimit”. Dhe ja ku ke një kriminel të gatshëm për konsum publik, pa kaluar ende në derën e

Kjo është pjesa më groteske e tragjedisë.

Ne flasim për prezumimin e pafajësisë si një parim kushtetues, ndërsa në ekran kemi shpikur prezumimin e fajësisë.

Në gjykatë thuhet: “I pandehuri konsiderohet i pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë.”

Në televizion dëgjon: “Ky është një nga njerëzit më të korruptuar të këtij vendi.” Të nesërmen, portali shkruan: “Skandali i radhës!” Pasdite del një analist dhe thotë: “Kjo tregon qartë se…”

Çfarë tregon qartë?

Nuk e di. Por, sipas tij, gjithçka është e qartë.

Ky është talenti i ri shqiptar: të dish gjithçka pa pasur nevojë për prova.

Drejtësia, e cila duhet të jetë e verbër, është futur në një sallë ku të gjithë i tregojnë se nga duhet të shikojë.

Media i thotë: “Shiko këtu!”

Politika i thotë: “Shiko atje!”

Rrjetet sociale ulërasin: “Arrestoje!”

Turma kërkon gjak.

Dhe drejtësia, në vend që të thotë “Më sillni prova”, rrezikon të dëgjojë zhurmën e sheshit.

Ky është momenti kur shteti ligjor fillon të marrë fund. Drejtësia nuk mund të funksionojë me sondazh. Nuk mund të ketë 51 për qind fajësi dhe 49 për qind pafajësi. Nuk është Eurovision, Big Brother apo garë televizive. Është jeta, liria, pasuria dhe dinjiteti i njerëzve.

Ne kemi arritur në një pikë ku çdo mëngjes duket sikur Shqipëria është zgjuar nën pushtimin e një ushtrie kriminale:

Kriminelë. Drogë. Mafie. Korrupsion.

Pranga. Skandale. Gjoba. Vjedhje.

Sërish korrupsion. Sërish mafie.

Sërish pranga.

Sikur në këtë vend të mos ketë më një njeri që shkon në punë në shtatë të mëngjesit, një mjek që qëndron në spital, një mësues që hyn në klasë, një sipërmarrës që rrezikon paratë e tij, një punëtor që ndërton, një fermer që mbjell, një gazetar që shkruan pa marrë gjobë apo një gjykatës që vendos mbi ligjin dhe jo mbi zhurmën.

Sikur Shqipëria të jetë një burg gjigant me një studio televizive në qendër.

Natyrisht që Shqipëria ka korrupsion, krim dhe abuzime. Ka politikanë të korruptuar. Ata duhet të hetohen dhe të ndëshkohen kur provohen fajtorë.

Por pikërisht këtu fillon qytetërimi: jo duke mohuar krimin, por duke refuzuar ta zëvendësojmë provën me histerinë.

Kur çdo njeri bëhet kriminel në ekran, fjala “kriminel” në fund nuk do të thotë më asgjë. Kur çdo ditë është “skandal”, skandali bëhet rutinë. Kur çdo njeri është “mafie”, mafia bëhet dekor televiziv. Dhe kur çdo arrestim trajtohet si provë përfundimtare faji, harrojmë se arrestimi nuk është dënim.

Këtu na del përsëri në skenë Lala Krosi i ri.

Ai nuk ka më vulë; ka mikrofon.

Nuk ka zyrë; ka studio.

Nuk mban më një fletërrufe në dorë; mban telefonin.

Nuk shkruan: “Armik i popullit.”

Shkruan: “Burime të sigurta bëjnë me dije…”

Çfarë burimesh?

Mos pyet. Është sekret.

Po prova?

Do të vijë.

Kur?

Kur të vijë.

Dhe ndërkohë, njeriu është gjykuar. Karriera i është dëmtuar, familja është ekspozuar dhe emri është baltosur.

Nëse më pas gjykata thotë “Nuk provohet”, askush nuk kthehet të thotë: “Na falni.”

Media ka një privilegj të çuditshëm: mund të gabojë sot dhe të harrojë nesër. Ndërsa viktima e titullit nuk e harron aq lehtë.

Kemi kaluar nga “Lala Kros, vetë shkruan e vetë vulos” te versioni modern:

Lala Krosi i vjetër kishte vetëm një fletë. Lala Krosi i ri ka miliona ekrane. Dhe ka një avantazh tjetër: nuk të duhet më të jesh fajtor. Mjafton të jesh interesant.

Në një vend të së drejtës edhe drejtësiq duhet të kontrollohet. Edhe prokurori, gjykatësi dhe gazetari duhet të kontrollohen. Jo nga një dorë politike, një gjobë apo një telefonatë, por nga ligji, transparenca, etika profesionale dhe përgjegjësia për atë që thonë.

Demokracia nuk është mungesa e kritikës. Demokracia është përgjegjësia e kritikës.

Liria e shtypit nuk është licencë për të shpifur. As drejtësia nuk është licencë për të shkatërruar jetën e dikujt pa prova.

Nëse duam një Shqipëri normale, duhet të heqim jo vetëm “gjobën”, por edhe kulturën e gjobës. Duhet të refuzojmë idenë se një emër mund të shitet për një titull, se një njeri mund të dënohet nga një studio televizive dhe se drejtësia mund të jetë zgjatim i medias, ndërsa media zgjatim i pushtetit.

Kur media dhe drejtësia ushqejnë njëra-tjetrën me zhurmë, krijohet një përbindësh që nuk ka më nevojë për ligj. Dhe përbindëshi më i rrezikshëm nuk është ai që shkel ligjin, por ai që bindet se nuk ka më nevojë për ligjin.

Shqipërisë i duhet ligj, drejtësi, media e lirë, gazetarë të përgjegjshëm dhe prova. I duhet edhe një lugë.

Por me sistemin e “Lala Krosit” të ri, rrezikojmë të kemi vetëm lugën e florinjtë.

Kosin e kemi ngrënë duke diskutuar se kush është fajtor. Lugën e kemi lënë në duart e atij që vetë shkruan, vetë vulos, vetë gjykon dhe, për siguri, vetë e merr edhe lugën.

Pastaj na thotë: “Mos u shqetësoni. Drejtësia funksionon.”

Po. Funksionon si Lala Krosi: vetë shkruan, vetë vulos dhe, kur mbaron gjyqi televiziv, vetë ha kosin.

Ne mbetemi me lugën e florinjtë në dorë: pa kos, pa drejtësi dhe me një portal që nesër në mëngjes do të na shpjegojë se fajin për këtë e ka populli.