Dje, protesta e vezëve të flamingove para Kuvendit të Shqipërisë u ndoq në kohë reale nga televizione dhe media online greke. Askush nuk mund t’u mohojë shqiptarëve të drejtën për të protestuar. Kur qytetarët ngrihen kundër korrupsionit, keqqeverisjes, shëndetësisë, arsimit në krizë dhe administratës së politizuar, ata ushtrojnë një të drejtë demokratike.

Por pyetja që lind natyrshëm është: përse një pjesë e mediave dhe qarqeve politike jashtë Shqipërisë tregojnë kaq shumë interes pikërisht në kulmin e sezonit turistik? Kujt i shërben krijimi i perceptimit të një Shqipërie në kaos, në një moment kur mijëra familje shqiptare jetojnë nga turizmi dhe ekonomia mbështetet ndjeshëm te ky sektor?

Në Ballkan, historia ka treguar se askush nuk lëviz vetëm nga altruizmi. Ndikimet politike, mediatike, ekonomike e propagandistike kanë ekzistuar dhe vazhdojnë të jenë pjesë e garës për influencë. Pikërisht për këtë arsye, çdo sinjal për përpjekje të mundshme për të orientuar opinionin publik apo për të instrumentalizuar tensionet e brendshme duhet të merret seriozisht dhe të hetohet nga institucionet shqiptare.

Po kështu, prej vitesh në opinionin publik janë ngritur akuza për rrjete ndikimi, financime të errëta dhe përdorim të organizatave të ndryshme për të ushtruar presion politik apo ideologjik. Nëse këto dyshime kanë bazë, ato duhet të hetohen pa kompromis. Nëse nuk kanë, institucionet kanë detyrimin ta sqarojnë publikisht. Në të dy rastet, transparenca është detyrim.

Shqipëria nuk mund të jetë fushë eksperimentesh për interesa të askujt. As interesa politike të brendshme, as ndikime nga jashtë, qofshin ato shtetërore, ekonomike, mediatike apo fetare. Sovraniteti nuk mbrohet vetëm në kufi; ai mbrohet edhe duke garantuar që proceset demokratike të mos manipulohen nga askush.

Por do të ishte po aq e gabuar të fshihemi pas teorive të ndikimit të jashtëm dhe të harrojmë arsyet pse qytetarët dalin në rrugë. Korrupsioni është real. Keqadministrimi është real. Shërbimet publike shpesh nuk janë në nivelin që meritojnë qytetarët. Drejtësia vazhdon të sfidohet nga mosbesimi. Këto probleme nuk i ka shpikur askush nga jashtë; ato janë përgjegjësi e politikës shqiptare dhe kërkojnë zgjidhje nga institucionet shqiptare.

Prandaj, beteja duhet të zhvillohet në dy fronte. Nga njëra anë, luftë e pakompromis kundër korrupsionit, abuzimit me pushtetin dhe paaftësisë në administrim. Nga ana tjetër, vigjilencë maksimale ndaj çdo përpjekjeje të mundshme për të shfrytëzuar pakënaqësinë qytetare në funksion të interesave që nuk përputhen me interesin kombëtar.

Në gjithë këtë debat mungon një zë: ai i Shërbimit Informativ Kombëtar. Pikërisht këtu lindin pikëpyetjet. A po monitorohen ndikimet e huaja që mund të synojnë destabilizimin e vendit? A po analizohen fushatat e propagandës dhe përpjekjet për të ndikuar opinionin publik? Apo institucionet zgjedhin të heshtin? Në një demokraci serioze, këto janë pyetje legjitime që meritojnë përgjigje institucionale.

Shqipëria ka nevojë për protesta të lira, për media të lira dhe për institucione të forta. Ka nevojë për një qeveri që lufton korrupsionin dhe për institucione sigurie që mbrojnë interesin kombëtar me profesionalizëm. Vetëm kështu demokracia forcohet dhe ekonomia mbrohet.

Sepse dëmi më i madh nuk është vetëm ai politik. Kur krijohet një klimë pasigurie në mes të sezonit turistik, pasojat i paguan hoteli i vogël, restoranti familjar, guida turistike, fermeri që furnizon tregun, biznesi që ka investuar kursimet e një jete. Në fund, faturën e paguajnë qytetarët shqiptarë.

Prandaj protesta duhet të mbetet zëri i qytetarëve dhe jo mjeti i askujt tjetër. Shqipëria ka nevojë për më shumë demokraci, më shumë drejtësi, më pak korrupsion dhe institucione që mbrojnë njësoj lirinë e qytetarëve dhe interesin kombëtar./TemA