TIRANË- Ish-presidenti Ilir Meta e humbi betejën për liri edhe në Gjykatën Kushtetuese dhe do të qëndrojë në burg. Me shumicë votash, gjyqtarët e Kushtetueses vendosën rrëzimin e kërkesës së kreut të Partisë së Lirisë për shfuqizimin e masës së sigurisë arrest me burg. Kushtetuesja rrëzoi edhe dy pretendimet e Ilir Metës se masa e sigurisë ndaj tij është joproporcionale dhe se mungon dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova. Sipas Gjykatës Kushtetuese, ka fakte dhe informacione të mjaftueshme për të krijuar dyshimin e arsyeshëm se ish-presidenti mund të ketë kryer veprat penale për të cilat akuzohet dhe po mbahet në qeli që prej 21 tetorit 2024.
“Gjykata, me shumicë votash, vlerësoi se: në çështjen penale ndaj kërkuesit duket se ka fakte dhe informacione që arrijnë të bindin një vëzhgues të jashtëm se kërkuesi mund të ketë kryer veprat penale për të cilat dyshohet, ndaj nuk mund të arrihet në përfundimin se kufizimi i lirisë së tij është kryer në mungesë të dyshimit të arsyeshëm, në kuptim të nenit 27, paragrafi 2, shkronja “c”, të Kushtetutës dhe nenit 5, pika 1, shkronja “c”, të KEDNJ-së; masa e sigurimit personal ndaj kërkuesit është vendosur për një qëllim të ligjshëm, garantimin e mbarëvajtjes së procesit penal në ngarkim të tij, ajo nuk është joproporcionale në kontekstin e rrethanave të çështjes dhe nevojave të sigurimit, si dhe është në përputhje me rregullat procedurale të Kodit të Procedurës Penale për caktimin e saj”, thuhet në vendimin e Kushtetueses.
Për mënyrën e arrestimit në tetor 2024, të cilën Meta e quan çnjerëzore dhe poshtëruese, Gjykata Kushtetuese nuk u shpreh. Me shumicë votash, Gjykata vlerësoi se nuk mund ta marrë në shqyrtim pasi çështja po hetohet nga Prokuroria e Tiranës, atje ku Meta ka depozituar një kallëzim pas arrestimit nga forcat Operacionale në hyrje të kryeqytetit, ndërsa po kthehej nga Kosova. Do duhet që kjo padi e Metës të shqyrtohet nga tre shkallët e Gjyqësorit, që më pas të shprehet Kushtetuesja.
"Sipas informacionit të përcjellë nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kërkuesi ka paraqitur kallëzim penal lidhur me ngjarjen dhe pranë asaj prokurorie në vitin 2025 është regjistruar procedimi penal për veprën penale “Kryerja e veprimeve arbitrare”, të parashikuar nga neni 250 i Kodit Penal, për të cilin hetimet janë në vijim. Në kushtet kur nuk ka ende një vendim përfundimtar nga gjykatat e zakonshme mbi këtë çështje, Gjykata, me shumicë votash, vlerësoi se nuk mund ta marrë në shqyrtim këtë pretendim duke qenë se kontrolli i saj ka natyrë subsidiare, në kuptim të nenit 131, shkronja “f”, të Kushtetutës", vijon vendimi.
Ilir Meta nuk u surprizua nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, të cilën e sulmoi pas shpalljes së vendimit dhe e quajti Gjykata e Lanës. Sipas tij, Kushtetuesja e zvarriti qëllimisht çështjen me 6 muaj që të vononte ankimin në Gjykatën e Strasburgut.
“Pasi e zvarriti çështjen prej 6 muajsh, përtej çdo afati të arsyeshëm, me qëllim, vonimin në rrugën tonë drejt Strasburgut, sot tregoi edhe njëherë se kjo Gjykata nuk di të zhgënjejë. Vlerësimin tim për të e kam thënë që më 2 Mars 2020 kur këta betoheshin te Lana”, shkroi Meta pas vendimit të Kushtetueses.
Kreu i Partisë së Lirisë do të vijojë betejën ligjore në GJKKO, atje ku më 27 prill do të nisë edhe gjyqi në themel për të, ish-bashkëshorten Monika Kryemadhi dhe 3 të tjerë.
“I ftoj të gjithë mediat dhe gazetarët, më 27 prill, në seancën e parë të gjykimit në themel, dhe në të gjitha seancat e tjera, ku do të jem ballë për ballë me bandën, që më rrëmbeu në mënyrë banditeske dhe ku do të çmontojmë këtë proces farsë të neveritshëm të drejtësisë me regji”, shkruan Meta.
Meta, i cili akuzohet për korrupsion, shpërdorim detyre dhe fshehje pasurie, bashkë me Kryemadhin kanë kërkuar gjykim të zakonshëm. Ndërsa Fatime Kryemadhi, Pirro Xhixho dhe Ema Çoku formën e procedurës së shkurtuar. Mbi këtë kërkesë do të shprehet trupa gjykuese në themel, në rast se do pranohet ndarja e Kryemadhit dhe e Metës nga tre të pandehurit e tjerë, apo nëse ata do të gjykohen si grup.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Foto: Tedi Blushi
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila rrëzoi kërkesën e Ilir Metës lidhur me masën e sigurisë “arrest në burg”.
Në një deklaratë, Blushi tha se vendimi nuk përbën asnjë habi dhe asnjë surprizë, duke akuzuar gjykatën se ndodhet nën ndikim politik dhe shantazh të vazhdueshëm.
Deklarata e plotë:
Vendimi i sotëm i Gjykatës së Lanës për kërkesën e Presidentit të Partisë së Lirisë, Z. Ilir Meta, kuterbon erën e qelbur Edi Rama në çdo rresht të paçavures së tyre dhe në çdo ditë zvarritjeje. Asnjë çudi dhe asnjë surprizë për sa kohë dihet se kush e komandon këtë gjykatë të degraduar dhe kujt i janë betuar realisht gjyqtarët e saj te kapur për fyti që japin vendime vetëm duke shkelur e përdhosur Kushtetutën.
Ky vendim nuk zhgënjen më askënd sepse pritshmëritë dhe iluzionet janë zero në një sistem ku drejtësia është kthyer në vegël politike të Edi Ramës dhe narkoqeverisë së tij. Po të varej nga vullneti ynë, asnjë minutë nuk do të ishte humbur me një ankimim në këtë gjykatë. Por rruga drejt Strasburgut na detyron të kalojmë formalisht nga kjo hallkë, për të cilën Presidenti Meta ka folur që më 2 mars 2020, para të gjithë shqiptarëve dhe të gjithë botës, duke e cilësuar si “gjykatë betimesh te Lana”, një përkufizim që sot vetëm sa është konfirmuar nga një seri e pandalshme vendimesh te turpshme ku ky i sotmi ishte vetem nje konfirmim degradimit pa kthim te kësaj gjykate me regji..
Gjykata Kushtetuese konfirmoi sot se po zhytet në llumin e saj pa u ndalur dhe se Ramaforma, antiligji, shkelja e Kushtetutës dhe refuzimi për të respektuar Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut janë aktualisht dimensionet e ekzistencës së saj. Procesi ndaj Presidentit Meta, nga rrëmbimi terrorist, te izolimi ekstrem për më shumë se 19 muaj, pa asnje provë, fakt e dokument penal kunder tij është një akt kriminal për këdo që e ka parë, përjashtuar Gjykatën e degraduar të Lanës.
Sot Kushtetuesja kishte një mundësi në radhë të parë veten për të pastruar pak nga fytyra e saj e ndotur nga era e Edi Ramës, por e humbi edhe këtë mundësi, duke u mbytur në pisllëkun e Lanës. Kjo Gjykatë vërtetoi sot se po ecën pa u ndalur ne rrugën e vetposhtërimit dhe vetpërdhosjes, për të mbetur në memorjen e shqiptarëve dhe në shtyllën e turpit të Ramaformës si Gjykata Kushtetuese me mizerabël që Shqipëria ka parë ndonjëherë.
Ne nuk kemi dhe as kemi pasur asnjë pritshmeri nga një gjykatë që prodhon vetëm vendime që vijnë era Edi Rama, landfill, incinerator dhe era Lanë. Por, pasi e mbajtën këtë çështje peng për 6 muaj, të paktën gjyqtarët e Lanës të kenë dinjitetin të mos zvarrisin më zbardhjen e vendimit. Edhe njëherë u bëj thirrje të gjithë analistëve dhe gazetarëve që janë ushqyer me dezinformim dhe falsifikime: ejani më 27 prill, në seancën e parë të gjykimit në themel, dhe në çdo seancë pasuese. Ejani dhe shihni vetë nëse ekziston qoftë edhe një qindarkë e paligjshme që lidhet me Ilir Metën.
Në çdo seancë do të dalë e vërteta edhe pse dhjetëra kërkesa të gazetarëve për intervista me Presidentin Meta janë refuzuar, një e drejtë që nuk u mohohet as kundërshtarëve të Putinit në Rusi. Ejani të shihni se si “DIA” rezulton një strukturë e ndërtuar dhe e përdorur për interesa të errëta, në bashkëpunim me qeverinë, në funksion të aferës së 479 milionë eurove me CEZ-in, një nga skandalet më të rënda, për të cilin Kontrolli i Lartë i Shtetit ka bërë kallëzim penal, ndërsa dosja vazhdon të flejë. Ejani të lexoni vetë letërporositë, të ndërtuara mbi gënjeshtra, për të mbuluar të vërtetën.
Transparenca është e vetmja rrugë drejt së vërtetës. Mos mungoni në asnjë seancë, për të parë nga afër çmontimin e një procesi farsë, politik dhe kriminal, ndaj Presidentit të Partisë së Lirisë, një proces që sot, më shumë se kurrë, kundërmon nga vendimi i Gjykatës së Lanës.

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta thotë se nuk u surpriza nga vendimi i “Gjykatës së Lanës”, pasi edhe institucioni më i lartë i drejtësisë në vend, Kushtetuesja, e la në burg. Në një reagim të shkurtër në rrjetet sociale, Meta shkruan se Kushtetuesja e zvarriti qëllimisht çështjen për 6 muaj që të vononte dërgimin e çështjes në Strasburg.
“Asnjë surprizë nga Gjykata e Lanës! Pasi e zvarriti çështjen prej 6 muajsh, përtej çdo afati të arsyeshëm, me qëllim, vonimin në rrugën tonë drejt Strasburgut, sot tregoi edhe njëherë se kjo Gjykata nuk di të zhgënjejë. Vlerësimin tim për të e kam thënë që më 2 Mars 2020 kur këta betoheshin te Lana.
Por se paku të kenë fare pak dinjitet dhe të mos vonojnë zbardhjen e vendimit të tyre. Edhe njëherë i ftoj të gjithë mediat dhe gazetarët, më 27 prill, në seancën e parë të gjykimit në themel, dhe në të gjitha seancat e tjera, ku do të jem ballë për ballë me bandën, që më rrëmbeu në mënyrë banditeske dhe ku do të çmontojmë këtë proces farsë të neveritshëm të drejtësisë me regji”, shkruan Meta.

Ilir Meta ka reaguar nga qelia për caktimin e datës 27 prill, si dita kur do të nisë në GJKKO seanca për gjykimin në themel të dosjes në ngarkim të tij dhe të pandehurve të tjerë. Meta thotë se do të jetë i pranishëm në çdo seancë, ndërsa akuzon qeverinë e kryeministrit Edi Rama dhe SPAK për montim të akuzave teksa e cilëson arrestimin e tij si burgosje politike.
Reagimi i Ilir Metës
Përshëndes caktimin e 27 Prillit si datën e nisjes së gjykimit tim në themel!
Do të jem atje, në çdo seancë, në respekt të të gjithë qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, që kam patur nderin t’ju shërbej në tre detyrat më të larta shtetërore, të Presidentit të Republikës, të Kryetarit të Kuvendit dhe Kryeministrit.
Falenderoj dhjetëra gazetarë, të cilëve u është refuzuar kërkesa për të më intervistuar gjatë këtyre 19 muajve të rrëmbimit tim banditesk, e drejtë që nuk ju është mohuar as kundershtarëve të Putinit në Rusi. I mirëpres të gjithë gazetarët dhe analistët më 27 prill në seancën e parë dhe i ftoj të jenë të pranishëm në çdo séancë.
Dihet se ku e ka selinë korrupsioni dhe krimi i organizuar në Shqipëri, atje ku ka hyrë Charles McGonigal dhe përfaqësuesi i Sinaloa-s. Por ata që ende nuk kanë gjetur guximin ta marrin njëherë në pyetje Kryetarin e Organizatës, natyrisht që do të firmosnin rrëmbimin tim kriminal që e pa e gjithë bota.
Ejani më 27 prill të shikoni se si u justifikua ky rrëmbim mafioz bazuar vetëm mbi gënjeshtra dhe falsifikime. Ejani të gjithë të shikoni se si DIA ishte një krijesë jo vetëm de facto, por edhe de jure amerikane! Ejani të shikoni se si letërporositë janë nisur vetëm me qëllime mashtrimi të autoriteteve amerikane dhe të tjera!
Ejani për të mos humbur perlat e çmontimit të një procesi farsë, që do të nxjerrë në dritë të diellit se si Ramaforma është shndërruar në një “mundësi të madhe” vetëm për Kryekleptokratin e Tiranës dhe ndërkombëtarët e korruptuar si Charles McGonigal.
Komente










