
Ish-presidenti Ilir Meta, përmes një reagimi në rrjetet sociale ka falënderuar Institutin Ndërkombëtar për Studime të Lindjes së Mesme dhe Ballkanit, i cili përmes një raporti e cilësoi arrestimin e tij si shkelje të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Meta ka shkruar se IFIMES ka bërë transparencë të thelluar dhe shumë objektive të rastit të tij, që sipas ish-Presidentit paraqet degradimin total të shtetit të së drejtës.
Kreu i PL-së ka thënë po ashtu se raporti i IFIMES ka evidentuar përdorimin e drejtësisë si zgjatim të ‘Narkopushtetit’ për persekutimin dhe izolimin e kundërshtarëve politikë.
“Falenderoj #IFIMES për transparencën e thelluar dhe shumë objektive, që i bën këtij rasti kuptimplotë dhe që paraqet pa asnjë ekuivok degradimin total të shtetit të së drejtës dhe përdorimin e drejtësisë si zgjatim i Narkopushtetit për persekutimin dhe izolimin e kundërshtarëve politikë.
Këto janë dhe mbeten veçse përpjekje të dështuara të atyre që i bëjnë, por dhe që ‘i mbyllin sytë’.
Demokracia absolutisht do të fitojë sepse jemi të vendosur me çdo çmim për triumfin e saj”, ka shkruar Meta në Facebook.
Lajmi kryesor:
IFIMES: Arrestimi i Ilir Metës u shoqërua me shkelje serioze procedurale, mungesë transparence policore dhe cenim të të drejtave themelore të njeriut










