Në mes të viteve ’50 në letërsinë shqiptare vjen Ismail Kadare. Poezia e tij, sidomos, provokoi një debat të jashtëzakonshëm në shtypin e kontrolluar letrar të kohës dhe u desh edhe këtë radhë ndërhyrja e Enver Hoxhës për të përcaktuar se çfarë do të bëhej mes atyre që u quajtën “tradicionalistë” dhe “novatorëve”. Mjaft të kujtojmë se përdorimi i vargut të lirë apo të çlirët nga Kadareja u shpall herezi.

Në fakt, në letërsinë shqiptare po vinte një shkrimtar që me vetëdije ose jo po mohonte traditën që po konsolidohej me katër dogmat e realizmit socialist. Që këtu fillon vetizolimi i Kadaresë dhe arratisja nga realiteti. Që këtu fillon ndarja përfundimtare e tij me atë që do të quhej për një kohë të gjatë tradita e letërsisë së realizmit socialist. Në këtë rast më duket se edhe për Kadarenë mund të themi atë që deklaronte Proust për Flober dhe që e rimerr Laurent Jenny kur shkruan për “gjuhën e huaj në vetë gjuhën tonë” dhe përmend frazën lapidare të Proustit “librat e bukur janë shkruar me një gjuhë të huaj brenda gjuhës sonë”. Por, në rastin e Kadaresë dhe në raportin e tij me traditën letrare shqiptare, mund të shtyhemi më tej.

Në një kohë kur vendi u zhyt në një izolim total, kur modeli i vetëm dhe i imponuar ishte realizmi socialist dhe hymnizimi i katër figurave: partizanit në luftë, punëtorit dhe fshatarit në socializëm, gruas së emancipuar që ndërton socializmin bashkë me burrin, kur letërsia shqiptare po shkonte drejt një shabllonizmi dhe tharjeje totale, kur në imazhin kolektiv po rrënjosej me dhunë vetëm figura e një komunisti që kishte si ideal pushkën dhe kazmën që lufton dhe vret kundërshtarin, pikërisht, i rrethuar nga ky mal me propagandë dhe joshje që shkonte deri në ekstazë nga projektimi që po i bënin komunistët realitetit shqiptar si vendi i vetëm që po ndërton sistemin e shoqërinë më të lumtur në botë, pikërisht, në këtë atmosferë, Kadareja vë në dyshim gjithçka dhe nis e ndërton një sistem tjetër imazhesh e figurash.

Uni i tij shmanget dhe nuk projektohet te të tjerët komunistë apo shqiptarë, por projektohet në një realitet që e ndërton dhe e prek vetëm ai. Në qoftë se në letërsinë shqiptare shkruheshin romane apo vjersha për të himnizuar luftën partizane dhe në qoftë se në çdo vepër duhet të ishte i pranishëm një komunist që triumfon, te Kadareja përfytyrimi për luftën bëhet me një prift e një gjeneral që vijnë të kërkojnë eshtrat e një ushtrie të vdekur, apo lufta është teatri absurd i qytetit të tij të gurtë ku personazhet janë nga më të çuditshmit dhe ku lufta shërben vetëm për të vizatuar më bukur e me më shumë ironi skenat e një qyteti që, po të mos e njohësh, e ke të vështirë ta besosh, ku fatin dhe jetën e përcaktojnë më shumë magjitë dhe filxhanët e kafesë së plakave, sesa dialektika e imponuar komuniste.

Kadareja jetoi e krijoi pjesën më të madhe të krijimtarisë së tij në diktaturë. Tipari themelor i diktaturës ishte izolimi total dhe ndërprerja e komunikimit me të tjerët. Jo vetëm shkrimtari, por cilido shqiptar tjetër, me përjashtim të atyre që vuanin në burgje si kundërshtarë të regjimit, ndiheshin të identifikuar në dy figura: njëra ishte Partia dhe tjetra atdheu. Kjo kishte krijuar egocentrizmin shqiptar komunist dhe kishte projektuar në vetëdije e në nënvetëdije kultin e qëndresës, të përjashtimit nga të tjerët. Të gjithë ndiheshin të lumtur e krenarë dhe ashtu të izoluar jetonin me kultin e perëndive të reja që kishte krijuar propaganda agresive e regjimit totalitar. Ndërsa te Kadareja, po të nisemi nga krijimtaria e tij, kishte ndodhur një gjë krejt tjetër. Ai edhe vetë ishte i bindur se po krijonte një traditë të ndryshme që kishte në qendër fatin e njeriut total, shqiptar, por edhe europian, gjithashtu.

Për Kadarenë miti i tragjedive greke dhe atyre të Shekspirit, imazhi i vdekjes tragjike për shkak të pasionit, teatri absurd ballkanas, misteri i perandorisë otomane dhe, pas viteve ’70, imazhi i diktaturës, i këtij pallati që analizon deri edhe ëndrrat, u bënë ankth. Kadareja pati edhe fatin se gjenia e tij u mbrujt në epokën e luftës së ftohtë kur Shqipëria ndali kohën dhe për 45 vjet nxiti, sidomos te një shkrimtar si Kadareja, refleksionin. Ndaj të gjitha ngjarjet e mëdha të historisë shqiptare ishin skena të teatrit ku ai vendoste personazhet e tij që ishin tragjikë e komikë njëherësh. Nga kjo pikëpamje, Kadareja pati meritën se projektoi me veprat e tij edhe një shije të veçantë te bashkëkohësit dhe krijoi një vetëdije tjetër që kishte në thelb magjinë e artit të madh. Nga kjo pikëpamje, ai mund të krahasohet me shkrimtarët e quajtur të shenjtë, me Hygoin, bie fjala, të cilët bëhen në një farë mënyre vetëdije e një epoke të tërë.

Mirëpo erdhi viti 1990 dhe ngrehina e krijuar nga tradita e socrealizmit u shemb. Në këtë pikë, krijimtaria e Kadaresë është e vetmja që nuk mund të përfshihet në rivlerësimin e madh, në gjyqin herë të drejtë e herë të sajuar që i bëhet kulturës dhe artit që i shërbeu diktaturës në Shqipëri. Por Kadareja jo se ka shpëtuar nga ky lloj gjyqi. Jo, në shumë raste ndaj tij mbahet ai qëndrim që mbahet ndaj Orhan Pamukut. Ajo që nuk i falin kundërshtarët e tij, është pikërisht talenti dhe gjenia, ndërkohë që Shqipëria dhe letërsia e kultura po pësojnë dhe janë sot e gjithë ditën në një krizë të thellë.

Ka ndodhur ajo që pritej. Është bërë rivlerësimi i traditës. Ka zënë vendin e vet tradita e hequr nga qarkullimi, janë botuar veprat e autorëve të ndaluar dhe ka lulëzuar letërsia dokumentare që dëshmon krimet e diktaturës. Kanë rënë shumë nga mitet e emrat e letërsisë socrealiste, por krijimtaria e Kadaresë nuk mund dhe nuk është prekur. Ka ndodhur pak a shumë si me Krishtin. Të gjithë e pranojnë veprën e tij, por është një pjesë që kërkon ta shohë me kryqin në krah dhe, sa herë që ai vinte në Shqipëri, i duhej të mendohej mirë se ku do ta ngarkonte kryqin, në cilin aeroport, sepse kur të zbreste në Tiranë, një pjesë e madhe e shtypit do t’i kërkonte që ta ngarkonte kryqin, sepse shqiptarët tani janë të lirë, por nuk kanë më asnjë vend ku të projektohen: nuk besojnë në zot, megjithëse ndjekin katër besime, nuk besojnë te asnjë lider sepse i ka lodhur tranzicioni i gjatë.

Në vetëdijen kolektive shqiptare tani projektohen vetëm fajtorë dhe Kadareja, në një pjesë të madhe, fajësohej edhe pse nuk na shpëtoi më parë nga diktatura. Mirëpo Kadare krijoi një traditë tjetër në letërsinë shqiptare dhe në atë botërore: ai krijoi letërsi të madhe, të veçantë, tregoi ngjarje e ndërtoi personazhe ashtu siç kishin bërë më parë edhe Shekspiri apo Dante, Kafka apo Markezi.

Ai, ashtu si Pigmalioni, i besoi vetëm Galatesë së tij dhe na e dha edhe neve që ta shijojmë Galatenë e tij. Në këtë pikë ndoshta nuk është i saktë ndonjë përcaktim që pas çdo vepre të Kadaresë lexon një alegori politike. Në fakt, vepra e Kadaresë shkonte në të kundërt me atë që bënte tradita e socrealizmit shqiptar dhe këtë ankth, këtë pamundësi për t’u shndërruar në një shërbyes banal, vetëdijen se arti ka brenda mitin e Pigmalionit, ai e ka shpështjellë me mjeshtëri në një nga romanet më të bukura të tij, në romanin “Hija”.