Në fakt do të duhej të ishte dita e Kërshëndellave apo e Krishtlindjes një moment reflektimi dhe një çast ku të gjithë do të duhej të shihnim brenda vetes e të arrinim të kuptonim se çfarë shkoi mirë e çfarë nuk shkoi ashtu si duhet në vitën që lamë pas. Mirëpo, për arsye të ateizmit të ngulur me forcë, si dhe për shkak të katër besimeve të ndryshme që kemi afishuar në hapësirën publike, shqiptarët kanë mbetur të lidhur fort me natën e Vitit të Ri. Edhe Migjeni, poeti ynë i madh, zgjodhi këtë festë popullore për prozën e tij të famshme «Urim për vitin 1937». Sot njeriu e ka sfiduar kohën dhe hapësirën.
Siç thuhet, ne kemi kaluar nga epoka e transportit të informacionit me mushka në atë të bit-t. Sot mund ta sjellim pranë në kohë reale cilindo që duam ne edhe sikur ai të jetë në anën tjetër të planetit. Jemi të gjithë të lidhur dhe në kontakt me njëri-tjetrin, por jemi më shumë të vetmuar, dimë gjithçka ndodh në të katër cepat e globit dhe i marrim vesh ato pikërisht atëherë kur ndodhin, por jemi më të pafuqishëm që t’i parandalojmë katastrofat. Bota është kthyer në një skenë të madhe teatri dhe ne gjithnjë e më shumë po bëhemi spektatorë. Madje edhe luftërat kanë ndryshuar dhe tani fatin e tyre po e përcaktojnë dronët dhe jo ushtarët.
Në gjithë këtë zhvillim frenetik shqiptarët duket se kanë mbetur të mbërthyer në stereotipitë e vjetra dhe në klishetë e njohura. Skenën e teatrit publik shqiptar, në vitin që po lëmë pas e zuri SPAK. Ai jo vetëm që prodhoi lajme e ngjarje por eksitoi turmat me sensacione të padëgjuara më parë dhe ashtu si në komunizëm i frymëzoi të gjithë që të mendojnë me stereotipitë e armikut, e shtetit kapitalist hajdut e kriminel që i pi gjakun popullit. Në në Bullgari, në muajin dhjetor, protestuesit e shumtë iu drejtuan zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm dhe kërkuan largimin e tij nga detyra sepse kishte arrestuar opozitarët, siç ishte rasti i kryetarit të Bashkisë së Varnës, ndërsa në Shqipëri, ndërrimi i drejtuesit të SPAK-ut u krye si një ceremnoni nga ato që të kujtonin dekorimet e kohës së komunizmit.
Të gjithë burokratët e Europës ishin aty dhe kulmi u arrit kur Këshilli i Lartë i Porkurorisë që duhej të zgjidhte drejtuesin e SPAK-ut u shfaq si një fëmijë i trembur para prokurorëve që pritej të zgjidheshin. Viti që shkoi shënoi rekordin e dosjeve civile e penale të prapambetura. Mbi 200 mijë të tilla presin të shqyrtohen. Por, nga ana tjetër, prokurorët e SPAK dhe gjykata GJKKO në varësi të tyre, që tani janë kthyer në një organizatë politike shfaqen me pompozitet dhe premtojnë vetëm luftë – jo drejtësi.
Kërkojnë rregull dhe ngritje pagash për xhepat e tyre. Me këtë reforme në e zhdukëm figurën e ëngjëllit mbrojtës të atij punonjësit të heshtur të drejtësisë që luftonte në emër të ligjit. Një model i tillë ishte Xhevat Hana që i vetëm hetoi dhe zbuloi krimin monstruoz të zhdukjes së Remzi Hoxhës. Por ai nuk kishte as eskortë as privilegje dhe atë nuk e takoi asnjë burokrat i mërzitshëm i Europës që merr rrogën në Tiranë.
Në imazhin kolektiv të ne shqiptarëve ka mbetur figura e Xhiovani Falkones që luftonte i vetëm dhe në emër të ligjit kundër mafiës. Ne e shkatërruam këtë figurë dhe tani kemi ndërtuar figurën e prokurorit politik që ka prvilegjet më të mëdha se politika, që ka pushtetin më të madh se ligjvënësit, sepse ata nuk i gjykon askush edhe kur shkelin Kushtetutën. Ndaj ai konkuron dhe kërkon edhe më shumë privilegje, Ndaj ai kërcënon shtetin dhe qeverinë. Erion Veliaj trajtohet në mënyrë çnjerëzore në burg dhe mbahet i ndaluar në mënyrë antikushtetuese. Ndaj zv/kryeministres hidhen akuza që paragjykojnë punën e kryer për shkak të shkeljes së pabarazisë në tendera.
Duhet ta dimë se vetëm Shqipëria dhe Estonia e kanë si figurë penale shkeljen e barazisë në tendera. Lefter Koka u mbajt në burg për t’u hetuar katër vjet dhe pastaj doli sepse mbaruan afatet e paraburgimit. Ndërkohë krimet monstruoze të kryera në këtë 30 e ca vjet nuk hetohen. Berisha paguan mbi 8 million dollarë një lobist në Amerikë dhe askush nuk heton. Bankers është një plagë e hapur e korrupsionit, por SPAK nuk heton sepse prej saj nuk prodhohet spektakël.
Ndaj, nëse sot në mbyllje të vitit që lamë pas do të dërgonim një kartolinë urimi për shqiptarin hipotetik, do të duhej të shkruanim : i dashur mik ! Kujdes ! Të uroj mos të të çojë halli në derë të Gjykatës a të porkurorisë sepse tani në Shqipëri drejtësia është trembur, ajo është strukur dhe heronjtë e së keqes e kanë zëvendësuar atë me hakmarrje primitive, me protagonizëm banal dhe me luftë politike. Kushtetuta është vrarë. Në një vend ku pushkatohet Kushtetuta të gjithë jemi të rrezikuar. Gëzuar Vitin e Ri 2026 !
Komente










