Ilir Yzeiri: Shqiptarët në Dortmund

Ilir Yzeiri: Shqiptarët në Dortmund

Tifozët shqiptarë në Gjermani në prag të ndeshjes me Italinë (15 qershor)

Manifestime të tilla të mëdha, siç janë Kampionati Europian apo ai botëror, disa herë, bëhen shfaqje gjigande ku parakalojnë më së shumti ideologjitë nacionaliste që rrinë të fshehura të psikika e turmës. Është ndoshta i vetmi rast kur shtetet që përfaqësohen aty sjellin në vitrinën e këtij manifestimi gjigand ose parakalimi madhështor jo të zgjedhurit e tyre, por shpirtin dhe identitetin, i cili shfaqet te ngjyrat që karakterizojnë shenjat kombëtare, te simbolet, veshjet karakteristike dhe flamuri.

Semantika e fjalorit që përdoret në këtë rast është ajo e luftës, në kuptimin që grupet e mëdha të tifozëve që vihen përballë njërit-tjetrit në stadium, duan me çdo kusht që ta mundin tjetrin, ta « shpartallojnë », t’i « marrin frymën », « ta dërrmojnë », « ta hedhin në erë ». Gjithë këto metafora që përdoren për të treguar këtë përballje të krijojnë përshtypjen se lojtarët që zbresin në fushë kanë për mision që ta asgjësojnë kundërshtarin.

Mirëpo e gjitha kjo mbetet vetëm në sferën e fjalorit se pastaj, në nënvetëdijen e atyre që mbushin shkallët e stadiumeve gjendet edhe vetëdija e spektaklit. Kjo vetëdije shfaqet sidomos në armët që mbajnë sportdashësit në dorë dhe që janë më së shumti gotat e birrës apo shishet e ujit. Transformimi i ngjarjeve të tilla, në një fushë të blertë ku ndeshen dy skuadra, që në perceptimin kolektiv shënjohen sikur ndeshen dy kombe, dy shtete, dy etni, nga lufta në spektakël është pjesë e lojës së përgjithshme që karakterizon jetën e njeriut.

Ndërkaq, ajo që vihet re së fundmi është se ky manifestim popullor shfaq në të njëjtën kohë edhe raportin që kanë vende të ndryshme me identitetin e tyre. Tani është normale që shiritin e kapitenit të Gjermanisë ta mbajë një lojtar gjerman me kombësi turke, ashtu sikundër Granit Xhaka shqiptar nga Kosova drejton ekipin e Zvicrës. Në këto raste të gjithë shohim të materializuar idenë që përhapet sidomos nga lëvizjet e reja dhe moderne se tendencat e zhvillimit të epokës sonë nuk janë mbyllja brenda etnisë, por hapja, se kufijtë dhe riprodhimi etnik duhet të jenë një çështje e kapërcyer. Mirëpo, në Europë, për fat të keq, nuk ndodh kështu.

Zgjedhjet e fundit për në Bashkimin Europian projektuan një Europë tjetër. Forcat politike të djathta dhe populiste që e kanë ngritur filozofinë e tyre mbi identifikimin thellësisht nacional dhe që janë kundër asaj që ata e quajnë emigracion i paligjshëm apo që punojnë për të ndërtuar politika etnocentriste, tani janë një realitet në Europën e ardhshme, institucionet e së cilës do të kenë fjala vjen edhe imazhin e francezes Le Pen, e njohur gjerësisht edhe për shfaqjen e ndjenjave raciste ndaj shqiptarëve. Ndaj, manifestime të tilla si ky Europian shërbejnë nganjëherë edhe për të parë se si e shfaqin kombet e ndryshme identitetin e tyre. Të gjithëve ju bëri përshtypje shfaqja madhështore e sportdashësve shqiptarë. Shenjat kuq e zi, bluzat që kishin veshur, flamujt në duar apo plisat mbi kokë krijonin një atmosferë të mrekullueshme gëzimi.

Një punonjës i sigurisë gjermane, i pyetur nga një gazetare shqiptare se si e çmonte praninë e sportdashësve shqiptarë në Dortmund, tha se ata kanë nevojë të shfaqen, të duken, të bien në sy me praninë e tyre. Ai, në fakt, bëri një konstatim semiologjik të saktë. Shqiptarët në Dortmund duan që të shfaqen me imazhin e tyre të vërtetë. Për fat të keq, Europa e populistëve që përgatiten të vijnë në pushtet në BE, pra Europa e Le Pen apo ajo e Salvinit e kanë ndërtuar narrativën e tyre mbi klishetë nacionaliste dhe megalomane.

Për ta trajtimi i kombeve apo shteteve duhet të niset nga hierarkia e racës. Italjani, gjermani apo anglezi janë një tjetër gjë dhe shqiptari apo të tjerët janë ana e dobët, e prapambetur e Europës. Ata janë vlera, ne jemi problemi. Këto klishe e streotipi që ata i kanë pësuar vetë mbi shpinë, tani i përdorin edhe për të tjerët. Ndërkohë, më në fund, edhe disa media italiane por edhe blogje inflencarësh të njohur e vlerësuan shpirtin europian të sportdashëve shqiptarë. Në kohën që u këndua himin italian, shqiptarët në stadium e dëgjuan e duartrokitën dhe nuk e fishkëllyen. Kjo u vu re edhe nga media italiane. Po ashtu, një grup tifozësh kishte zgjedhur një shfaqje gazmore për t’u përballur me tifozët italianë. Shqiptarët kishin marrë një pako makarona dhe i thyenin para syve të italianëve duke u thënë se do t’iu ziejmë si një pak spageti.

Ky humor dhe kjo shfaqje u vlerësua gjithashtu nga media italiane duke thënë se pikërisht kjo duhet të jetë fryma e tifozerisë. Sportdashësit tanë në Dortmund po i tregojnë Europës se ata nuk janë heronjtë e klisheve dhe stereotipive me të cilat disa herë na vlerëson Europa. Janë një komb i kulturuar, dinjitoz dhe kanë shpirtin e spektaklit. Por kanë nevojë të njihen, të shfaqen dhe të duken, siç tha me të drejtë punonjësi i sigurisë e shtetit gjerman.

Ndërkohë nuk duhet të harrojmë edhe shfaqjen e tepruar folklorike, mbështjelljen me këngë që kanë hyrë në repertorin e tifozerisë si shfaqje banale e heroizmave apo karikaturave të shfaqjes sonë butaforike. Këto jo vetëm që duhet t’i mbajmë në vështrim, por duhet të jemi të kujdesshëm që të mos e teprojmë me identifikimin tonë me këngë banale kinse patriotike që janë krijime pa asnjë vlerë dhe nuk shenjojnë tiparet e heroizmit të atyre bijve shqiptarë që u sakrifikuan për kombin e tyre.  

M.Q./xy/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindja kremtohet edhe në Lezhë, qindra besimtarë i bashkohen ritualit fetar në katedralen e ‘Shën Nikollit’

Krishtlindja kremtohet edhe në Lezhë, qindra besimtarë i bashkohen ritualit fetar në katedralen e ‘Shën Nikollit’