Iluzionet e humbura dhe shteti i shpresës

Iluzionet e humbura dhe shteti i shpresës
Iluzioni lind dhe formohet i motivuar nga një objektiv madhor, i ndërtuar mbi dëshirën dhe arsyen. Rilindësit e mëdhenj punuan, sakrifikuan, luftuan dhe besuan se Shqipëria pas çlirimit nga Perandoria Osmane do të bëhej zonjë dhe gjithkush që do të arrinte ta shihte të lirë, do të ishte i lumtur. Ky ishte përfytyrimi i së ardhmes në liri, që u përpunua gjatë dhjetëvjeçarëve prej rilindësve deri në përmasat e një ideologjie. Por, ky imazh u trondit ndjeshëm qysh në fillimet e saj, kur me vendimet e Kongresit të Berlinit (1878) u kafshuan nga sllavët pjesë të tëra të trojeve shqiptare të Veriut. Ky gjysmim, sakatim, gati vdekjeprurës për kombin tonë u pasua për fat të keq nga Lufta e Parë Botërore, që e shndërroi mbarë territorin shqiptar në shesh beteje mes forcave ndërluftuese evropiane.

Lufta dhe kaosi politik në vitet 1914-1920 (periudhë kur u krijuan disa qeveri brenda kufijve të përcaktuar më 1913-n), përpjekjet e gjithanshme të fqinjëve për të fshirë Shqipërinë nga harta e Ballkanit, varfëria dhe epidemitë vdekjeprurëse (gripi spanjoll), kushtëzuan  e nxitën emigrimin masiv të shqiptarëve në Perëndim. Ikje të tilla masive e kaotike janë pasuar edhe gjatë viteve 40–50 të shekullit të kaluar, por dhe në vitet ’90-ta, të kalimit të Shqipërisë në demokraci. Ngjarjet që kanë ndodhur disi të distancuara në kohë na lejojnë të dalim në një përfundim: Largimi masiv i padhunshëm nga vendi amë, kurdo dhe kudo që ndodh, shkaktohet kryesisht nga politika, pasiguria ekonomike, sociale, arsimore dhe humbja e besimit në shtresat e ndryshme të popullsisë. Zhvillimet historike të shtetit shqiptar janë procese të ndodhura brenda kombit, të ngjashme, të afërta, të kuptueshme dhe më të besueshme për ne. Sepse iluzione projektuam, ndërtuam e besuam për gati një shekull edhe ne shqiptarët e Kosovës. Besuam që me çlirimin nga Serbia do të bashkoheshim me Republikën e Shqipërisë dhe të bashkuar do të shndërroheshim shpejt në një faktor të rëndësishëm politik, ekonomik dhe etno-kulturor në Ballkan dhe më gjerë. Shpirti atdhetar ishte motivi që na ngriti në luftën çlirimtare dhe bashkoi me mijëra të rinj, madje nga të gjitha anët e rruzullit. Lufta mbaroi, Kosova u çlirua dhe u pavarësua.

Objektivi madhor u realizua, ndërsa pritshmëria jonë, e gjithë shqiptarëve, që kontribuuan për arritjen e tij, rezultoi me zhgënjim, për të mos thënë që tashmë është e pabesueshme. Iluzionet që u krijuan pas çlirimit nga Serbia, sollën shpresa të mëdha ndër shqiptarët. Dihet që shpresat përjetohen apo thyen individualisht, familjarisht, krahinarisht apo më gjerë. Edhe nga dashuria e madhe për të, prodhuam dhe ushqyem shumë shpresa për jetën në Kosovën e pavarur, por shumë prej tyre u venitën. Gjithçka kulmoi këtë vit. U shfaq dëshpërimi, filloi braktisja e shtëpive, e vatrës, e pronës, e atdheut. Por, nëse numri i të larguarve është i matshëm, përmasat kuptimore kombëtare e ndërkombëtare vështirë të parashikohen dhe llogariten. Largimi aktual i bashkëkombësve tanë nga Kosova përmes Serbisë (një paradoks psikologjik dhe etnik), nuk është vetëm produkt i faktorëve politikë, trafikues, agjenturorë, gjeostrategjikë, por nuk është as vetëm rrjedhojë e humbjes së shpresës.

Secili nga elementët e mësipërm nuk është pa ndikim. Askush nuk është imun nga politika, ekonomia, statusi social etj. Shteti ynë në këto vite të pasçlirimit nuk po shënon progres ekonomik motivues për qytetarët e vet, e aq më pak të konkurrojë me mirëqenien në raport me emigracionin në Perëndim, që në këtë mënyrë të nxisë parandalimin e ikjes së dhimbshme të njerëzve në kulmin e dimrit drejt të panjohurës. Me mungesën e krijimit të institucioneve qendrore shtetërore pas zgjedhjeve të 8 qershorit, për mbi 6 muaj, politika, partitë dhe krerët politikë krijuan në një farë mase pasiguri dhe mosbesim te qytetarët. Dhe pasiguria në një shtet si i yni, që i lejoi vetes të funksionojë pa qeveri të dalë nga zgjedhjet, u shfrytëzua me efikasitet edhe nga dashakeqësit tanë.

Në kushte pasigurie, propaganda antishqiptare nuk e ka vështirë të krijojë panik, që arrin t’i shtyjë njerëzit në akte ekstreme. Pastaj vendosja e Kosovës në vendet e para në botë për korrupsion të strukturave dhe organizmave shtetërore. Mund të rreshtohen edhe arsye të tjera, por një nga faktorët nuk varet as nga Kosova dhe as nga politika e saj. Shqiptarët e Kosovës kanë qenë të pranishëm në vendet perëndimore prej dhjetëra vjetësh, kur vendet e lindjes e kishin të ndaluar. Kurse sot, Republika e Kosovës është i vetmi dhe i fundmit vend në Ballkan që nuk gëzon të drejtën e lëvizjes së lirë të qytetarëve të vet me pasaportën e Kosovës në vendet e Perëndimit. Problem ky, që detyron bashkëkombësit tanë të kalojnë përmes Serbisë. Durimi është virtyt që lodhet! Duruam për hir të atdhetarizmit, por më sa duket lodhja e bëri të vetën. Problemi nuk zgjidhet me thirrje për rikthim apo për frenim me masa shtrënguese. Zgjidhjen e kemi ne në dorë. Shteti dhe politika shtetërore mund dhe duhet të ringjallin shpresat. Hisedarë në zgjidhje duhet të jetë gjithsesi edhe BE-ja. 

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?