Imami Naçi: Roje private kundër
ekstremistëve në xhaminë time

Imami Naçi: Roje private kundër<br />ekstremistëve në xhaminë time
TIRANË - Teologu dhe imami i xhamisë së "Tabakëve" në Tiranë Elvis Naçi fajëson shtetin për "lulëzimin" e xhihadistëve  në Shqipëri. I ftuar në studion e Report Tv, Naçi tha se organet ligjzbatuese kanë pasur dijeni për radikalizimin e imamëve të vetëshpallur të dy xhamive në  kryeqytet dhe nuk kanë ndërhyrë në kohë.  "Nëse ka ngelur puna që të pritet gjithçka nga teologët "spiunë" - theksoi imami - atëherë shteti ka rënë".
 
"Të dy xhamitë ku kanë qenë imamët nuk njiheshin nga KMSH dhe ne nuk i kemi njohur tendencat ekstreme të tyre. Nëse do i dinim, do i kishim shkarkuar ata imamë, por kanë qenë jashtë juridiksionit tonë dhe për këtë arsye nuk kemi pasur asnjë të drejtë ligjore t'i shkarkonim. Ne e shikojmë shtetin si partner, unë kam qenë me parimin që ata që zgjidhen për të drejtuar duhet të jenë si çështja e babait me fëmijën. Për shqiptarët në Siri, ne kemi dhënë sugjerimet që në fillim, kemi kërkuar të merren masa. Këta imamë i kemi thënë që bëjnë këtë gjë, përse nuk i thërret shteti? Një teolog nuk mund të jetë kurrë sinonim i një spiuni, ne jemi shumë të kujdesshëm në këtë pjesë, nëse ka ngelur koha ta sqarojmë ne shteti ka rënë. Kjo gjë u bë e qartë në media", - tha teologu Elvis Naçi.

"Polici private ne Xhamine e Tabakeve"
Xhamia e Tabakëve është ndër më të mëdhatë në Tiranë, e për të shmangur përhapjen e mendimeve ekstreme të cilat devijojnë fenë islame, imami Elvis Naçi thotë se zgjidhjen e ka gjetur duke vendosur polici private. Madje, sipas tij, ka pasur edhe raste kur organet kompetente janë njoftuar për persona me sjellje të dyshimta.

"Këtu duhet luftuar mendimi ekstrem që të mos shkojmë në veprën ekstreme. Unë kam marrë në xhami një polici private është një kosto shtesë, por e kam parë të nevojshme se xhamia është e madhe. Unë vetë personalisht nuk merrem me detaje por ka njerëz që duhet të përgjigjen për raste ekstreme. Në raste të veçanta edhe kanë lajmëruar organet kompetente që individë të veçantë kanë sjellë nxitje të radikalizmit fetar", - u shpreh Naçi

"Imamet e veteshpallur besojne se ISIS janë besimtare"
Për herë të parë në gjyqin kundër anëtarëve të celulës muxhahedine në Shqipëri, të pandehurit përmendën emrin e organizatës terroriste ISIS, e cila sipas tyre do të shpëtojë Shqipërinë. Teologu Naçi ka argumentin e tij për këtë deklaratë:
 
"Ata mendojnë se çfarë jep media për ISIS me krime dhe makabritete janë montime, nuk janë realitet. Mentaliteti i tyre është një ISIS me njerëz besimtarë dhe që duan që në këtë botë të vihet drejtësia. Ata nuk i besojnë këtij ISIS-i që paraqitet. Ata nuk kanë thënë në gjyq se ISIS do i vrasin shqiptarët, por do i shpëtojnë shqiptarët".

"Te zbulohet kush i ka nxitur keta imame, atyre s'i ka hyre gjembi ne kembe"
Sipas Elvis Naçi, mendimet ekstreme të imamëve të vetëshpallur janë nxitur nga persona të tjerë që fshihen pas tyre, dhe pikërisht këtu duhet fokusuar edhe puna e shtetit.

"Duhet parë ku e kanë marrë kulturën islame. Ata kanë studiuar në Arabinë Saudite, por Arabia ka shtet ligjor, ndërsa këta nuk pranojnë as avokat. Hajde kuptoje se ku e morën këtë në atë vend që sot po e lufton më shumë se kushdo tjetër ISIS-in. Duhet kuptuar me cilët janë lidhur këta njerëz. Ne kur japim gjyqin, sepse në botë nuk jepen këto gjyqe që kanë të bëjnë me terrorizmin, se dalin imazhe që cënojnë islamin, duhet të kuptojmë ku jetojnë këta që i kanë dhënë këto orientime, dhe jam i sigurt që atyre nuk i ka hyrë gjemb në këmbë", tha Naçi.

Gjatë procesit gjyqësor të mbajtur të mërkurën në Gjykatën e Krimeve të Rënda imamët e vetëshpallur hodhën akuza edhe ndaj Komunitetit Mysliman të Shqipërisë se ka marrë "peng islamin". Përgjigjjen për këtë deklaratë imami i xhamisë së Tabakëve e jep përmes një apeli:

"Ne jemi radikalë në gjërat që kanë të bëjnë me terrorin, por sa i përket mendimeve që KMSH të përparojë dhe të bëjë gjëra të mira jemi të hapur për diversitet pa fund, është një pasuri që na çon përpara. Apeli im për ta: Besoni thellë zotin që ju krijoi dhe mbusheni jetën me vepra të mira".

"ISIS cështje politike, militantët janë hipokritë e drogaxhinj që thonë "Allahu Akbar"
Teologu Naçi thotë se bota islame e ka të qartë qëndrimin përballë ISIS-it të ashtuquajturit shtet islam. Ai thotë se cështja e ISIS është politizuar dhe se pas tyre fshihen fuqi botërore.

"Militantët e ISIS mund të jene edhe hipokritë që flasin në emër të fesë dhe ndaj paragjykohen myslimanët. Ata duan të përplasin qytetërimet e mëdha, të shkojnë në një luftë të tretë botërore. Kur politizohet islami merr forma të ndryshme. ISIS-i është në mes, por fuqitë botërore kanë interesa. Amerika, Rusia, Turqia, Arabia, Franca së fundi, Gjermania, Anglia... Ka dalë jashtë fesë, çështja është e politizuar dhe këtu ndikohen edhe teologët. Unë e dua shumë familjen time dhe kur bëj një vepër të keqe nuk e përmend. Ata e dinë impaktin e veprës së tyre, që dëmton imazhin e  islamit, dhe ti si një drogaxhi thua "Allahu Akbar" e bën me kast. Bota islame po del në teori që këto gjëra i futen nën këmbë islamit për të shkatërruar imazhin, ata janë hipokritë nuk janë myslimanë. Bota islame  nuk e pranon ISIS-in dhe deklarojnë hapur që ISIS-i i bën një atentat fesë islame. Kur flitet për ISIS është vetëm terror, makabritet..",- thekson imami i xhamisë së Tabakëve në Tiranë.
 
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Hetimet e SPAK mbi Kadastrën, arrestohen dy persona për ushtrim të ndikimit të paligjshëm

Hetimet e SPAK mbi Kadastrën, arrestohen dy persona për ushtrim të ndikimit të paligjshëm