TIRANË - Eksperti i bujqësisë, Ilir Pilku foli sot në Report Tv lidhur me situatën e blegtorisë në vend, teksa janë shqetësuese shifrat për prodhimin e ulët në vend dhe shpenzimet për produktet e importit, ku mbizotëron mishi nga Brazili apo Meksika.
Për Nertil Agalliun në ‘Sot Live në Shqipëri’, Pilku thotë se kemi 46% rënie e numrit të blegtorisë në vitet e fundit, me një rënie prej 35% të lopëve të qumështit dhe 23% të derrave.
'Alarmante. Kemi 11 mln dollarë importe të kafshëve të gjalla për drejtim therje. Nuk kemi përfshirë dhe mishin e shpendëve, vlera 111 mln euro importe në gjithë produktet e blegtorisë. Në Shqipërisë situata është në rënie. OKB parashikon deri në 2050, 70% rritje prodhimi për të ushqyer popullatën. Kemi këto problematika. Për të analizuar më gjerë për publikun, rënien më të madhe e ka gjedhi dhe lopët. Statistika e 2023, kemi 46% rënie të numrit të blegtorisë në vitet e fundit. Kemi një rënie afërsisht me 35% të lopëve të qumështit. Tashmë janë drejtuar shteteve si Hungaria, Kosova, Serbia për t’u furnizuar.'
Importet e mishit arrijnë deri në 2 mijë ton në muaj, ku 35% vjen nga Brazili dhe një pjesë e konsiderueshme nga vende si Meksika, Italia, Holanda dhe Franca. Rënia e të imtave është po ashtu e ndjeshme, me një ulje prej 33%, ndërsa sektori i shpendëve ka pësuar një rënie prej 23%.
'Kemi një rënie 23% të numrit të krerëve në rritjen e derrave. Kemi qenë vend me potencial të të imtave, kemi rënie 33% dhe kemi rënie të shpendëve 23%. E kemi sektor në dekadencë. I gjithë ky prodhim produkt në rënie. Për të furnizuar popullatën do përdoret importi. Shqipëria importon 2 mijë ton mish në muaj. Dhe 35% e këtij mishi vjen nga Brazili,. Kemi shtim të importeve. Jo vetëm të mishit të ngrirë që vjen Brazili, Meksika dhe një pjesë Italia. Kemi dhe kafshët e therura, mish i freskët po furnizohemi nga Holanda, Franca, Greqia në të imtat. Kemi rënie të sasisë dhe volumit në mish që nuk plotësojnë konsumin e brendshëm. Kemi dhe 11 mln turistë. Na kërkohet një politikë më e mirë dhe e qëndrueshme.'
Pilku theksoi se për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme për blegtorinë, janë të nevojshme masa të menjëhershmesi subvencione për prodhimin e bazës ushqimore (misër, elb, jonxhë), financim për racat produktive, të përshtatshme për klimën shqiptare, teknologji më të larta për të rritur rendimentin dhe për të ruajtur mjedisin dhe politika të qëndrueshme që synojnë zvogëlimin e varësisë nga importet dhe fuqizimin e sektorit vendas.
'Blegtoria do revolucion. Në të gjithë zinxhirin. Duhet subvencion për prodhimin e bazës ushqimore. Duhet të financojmë prodhimit e misrit, elbit jonxhit. Duhet të financojmë me subvencione racat produktive, jemi vendi në Ballkan dhe Europë me rendimenti më të ulët të litrave të qumështit. Më pak se Kosova. Duhet të financojmë, patjetër racat produktive që përshtaten me klimën e Shqipërisë.'
'Ne nuk jemi pjesë e politikës europiane dhe për aq kohë sa nuk jemi në politikat e përbashkëta nuk do të thotë që duhet të shkojmë drejt zbatimit të atyre politikave. Në Europë ka kërkesë për mish, kërkon të rritet prodhimi për njësi. Duke pasur dhe eliminuar densitetet më të mëdhaja në blegtori. Duke rritur prodhimin me financime me teknologji më të lartë. Kjo ruan mjedisin. E keni parë si BE kishte shqetësim ndotjen nga lopa. Është pak e çuditshme dhe krijon masat.'
Ai gjithashtu vuri në dukje se organizimi i dobët i blegtorëve dhe çmimet e luhatshme të produkteve vendase kanë ndikuar negativisht në zhvillimin e sektorit.
'Duhet të jemi sa më lart dhe të reduktojmë sa më shumë importin e mishit.
Çmimet janë abuzues, kemi djathrat italiane që kushtojmë më lirë se djathi ynë. Ajo që kemi parë, blegtorët nuk janë të organizuar dhe ka luhatje çmimesh. Përpunuesit vendosin ligjim mbi çmimin e qumështit të grumbulluar.'
Sipas tij, Shqipëria duhet të përqendrohet në politikat me perspektivë, të ngjashme me ato të Bashkimit Europian, për të garantuar një të ardhme më të mirë për këtë sektor jetik të ekonomisë.