Kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë Imzot George Frendo, në një intervistë ekskluzive për Report tv në emisionin Repolitix dha një mesazh të fortë. Duke komentuar situatën të shkaktuar nga koronavirusi Imzot George Frendo tha se është koha që askush të mos jetojë vetëm për veten. Ai shtoi se nuk ka frikë nga koronavirusi, por ka përgjegjësi për jetët e të tjerëve. Në mesazhin e tij për shqipatrët Imzot George Frendo tha se ka ardhur koha të heqim dorë nga luksi dhe konsumizmi.

Religjioni nuk është vetëm për të nxitur marrëdhënien e njeriut me Zotin, por edhe për të forcuar marrëdhëniet midis njerëzve. Dhe për këtë arsye, Bibla dhe Kurani kanë dhënë një mesazh gjithmon aktual. Në këtë situatë është mirë të shohim se çfarë na mësojnë këto libra, Bibla dhe Kurani, që të mund të përjetojmë këtë situatë, por edhe dritën e fesë. Natyrisht unë si katolik jam më i familjarizuar me biblën…

Nëse shohim këto tregime shohim se Zoti gjithmon mund të nxjerr diçka të mirë nga ajo që për nga pikëpamja njerëzore është e keqe.

Në këtë situatë shohim edhe aspekte pozitive. Një aspekt pozitiv që e kemi parë edhe pas tërmetit të 26 nëntorit është solidariteti. Sa shumë njerëz të moshuar që nuk mund të dalin për të bërë blerjet, por që kanë gjetur njerëz bujar që i ndihmojnë.

Unë kam qenë sot p.sh në një qytet ku kam vizituar disa familje që janë në vështirësi financiare.

Situata të tilla na japin mundësinë të tregojmë bujarinë tonë, mbështetjen e solidaritetin tonë.

Asnjëri nuk jeton vetëm për veten dhe në këtë situatë duhet të kemi parasysh se ne jemi përgjegjës jo vetëm për veten tonë por edhe për të tjerët.

Unë personalisht, jo se kam frikë nga koronavirusi apo nga vdekja, por duhet të kem parasysh se kam përgjegjësi për të tjerët. Në qoftë se infektohem unë, bëhem rrezik për të tjerët, pra mund të infektojë të tjerët. Kjo situatë na tregon përgjegjësinë tonë për njeri tjetrin.

Megjithatë jeta do të ndryshojë pas kësaj tragjedie. Ne do të mësojmë gjërat më të rëndësishme... Ne për shembull ishim më tepër skllevër apo pjesë e një kulture që harxhon, pra tepër konsumiste. Ka pasur raste kur edhe fëmijët kanë mbetur pa ushqimin e duhur sepse duan të blejnë një I-phone më të mirë sesa I fqinjëve, modelin e fundit. Tani e tutje ne duhet të vlerësojmë atë që është më e rëndësishme, pra më e domosdoshme në jetën tonë”, ka thënë në fjalën e tij Imzot George Frendo.