Gjatë ceremonisë së vlerësimit me dekoratën “Nderi i kombit” të Këshillit Ndërfetar Shqiptar nga presidenti Ilir Meta imzot George Frendo iu ka dërguar një mesazh politikanëve, kur na ndajnë 5 javë nga zgjedhjet.
Frendo tha se arsyeja që besimet fetare në Shqipëri jetojnë në harmoni është vlerësimi më i madh për atë që i bashkon se sa dallimet. Gjatë fjalës së tij Frendo theksoi se është edhe detyra e politikanëve të shohin jo aq shumë atë që i dallon, por atë që i bashkon,që është e mira e përbashkët.
“Paqja fiton me luftë. Tingëllon shumë paradoksale, por që të fitojmë paqen duhet të luftojmë kundër krenarisë, eogizmit, xhelozisë. Ne gëzohemi se në fakt jetojmë në harmoni. Shoqëria ka nevojë jo vetëm për politikën, por edhe besimin. Është politika që ndryshon strukturat, por është feja, besimi që mund të ndryshojë zemrat. Ne krenohemi këtu në Shqipëri për faktin se besimet e ndryshme nuk janë rrezik për shoqërinë, madje japim shembullin e një harmonie shumë të fortë. Pse jetojmë në harmoni? Sepse kemi pasur fat që gjithmonë besimet tona këtu në Shqipëri kanë vlerësuar më shumë atë që na bashkon se sa dallimet që na bëjnë besimet e ndryshme.
Ajo që na bashkon është besimi ynë monoteist dhe bindja që të gjithë kemi një rol shumë të veçantë në shoqëri. Për këtë arsye ynë dëshiroj të shtoj, të them që kjo ceremoni po bëhet në një moment shumë të rëndësishëm, sepse jemi vetëm 5 javë larg zgjedhjeve. Dëshiroj që të theksoj se është edhe detyra e politikanëve të shohin jo aq shumë atë që i dallon, por atë që i bashkon, që është e mirë e përbashkët. Këtë i uroj politikanëve tanë këtë moment dhe që mund të mësojnë diçka nga ne, besimet e ndryshme. Jemi të ndryshëm, por jemi të bashkuar, në dashuri, në bindje që kemi diçka shumë të rëndësishme për të kontribuar në shoqërinë tonë”, ishte mesazhi i Arqipeshkvit Metropolit të Tiranë-Durrësit, Presidentit të Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, Imzot George Frendo.
Lajmi kryesor: