“Zyra e Punës është një mjet, ndër disa mjete, për të realizuar strategjinë tonë të rritjes së punësimit dhe të punësimit real. Ne dëgjuam këtu disa dëshmi njerëzish të zakonshëm, që prej shumë vitesh janë endur rrugëve duke kërkuar një punë dhe kjo j’u është bërë e mundur vetëm së fundmi, falë Zyrës së Re të punësimit, që sot nuk është vetëm një skuadër e re, por është edhe një godinë e re që do të vihet në dispozicion të punëkërkuesve e punëdhënësve” deklaroi Rama dje në Elbasan. Kryeministri tha se konstatohet se rezultatet e para të kësaj strategjie janë të frytshme. Në vitin 2013, në Zyrat e Punës u punësuan 600 persona, ndërsa vetëm në një muaj, në tre zyra u punësuan 1055 vetë.
Sot, në Portalin Kombëtar të Punësimit janë regjistruar nga biznesi 4 mijë kërkesa për të punësuar. Sipas tij, në portalin kombëtar të punësimit aty ku mblidhen të gjitha ofertat për punë nga sipërmarrjet, është arritur në 4000 kërkesa që janë aktualisht nga ana e biznesit dhe që kërkojnë për vende pune, punëkërkues me karakteristika me profesione dhe me profile të ndryshme. Në vetëm pak javë, në këtë regjistër elektronik, kanë mbërritur nga ana e biznesit 3 herë më shumë kërkesa për njerëz që janë në dispozicion për të punuar, sesa gjithë vitin e shkuar, në gjithë rrjetin kombëtar të punësimit. Mesatarja mujore e pritjes së punëkërkuesve në Zyrat e Punës, për 2013 ishte 3898.
Ndërsa në 2014 është dyfishuar, është 6389, e është dyfishuar vetëm përmes 4 zyrash pune të ripërtërira, që sot me Elbasanin bëhen 5. Edhe në mjediset e Zyrës së Punës në Elbasan, kryeministri u takua me të sapopunësuar nga kjo zyrë, të cilët pohuan se ata vetë janë dëshmi se këto zyra funksionojnë. “Aktualisht punoj në një zyrë avokatie, si asistente dhe jam shumë e kënaqur” u shpreh një e re. Një tjetër dëshmi ishte ajo e një mesogruaje. “Pas shumë kërkesave në Zyrën e Punës mu mundësua një vend pune si vinçiere. Jam shumë e kënaqur”, u shpreh ajo, që dikur ishte punëkërkuese. Sipas kryeministrit shteti duhet të jetë nxitës i madh i punësimit, përmes nxitjes së sipërmarrjes, përmes rritjes së sektorit privat, transformimit të biznesit në një partner të pandashëm strategjik e përmes krijimit të kushteve që mes sipërmarrjes dhe punëkërkuesve të vendoset komunikimi.
“Ju falënderoj shumë të gjithëve dhe jam shumë shpresëplotë që edhe ky shi do të jetë me bereqet për të gjithë ata që janë në nevojë të veçantë. Përsa i përket pastaj Zyrës së Punës, koha do të tregojë që e meriton atë shprehjen e elbasanllinjve “Nuk do as men, as kalem, po shif e shkruj”, ka qënë deklarata e Ramës. Edhe ministri Veliaj vuri theksin në rëndësinë e formimit profesional, interesi për të cilin po rritet. “Nga momenti që ne kemi hequr tarifat për qendrat e formimit profesional, u shumëfishua numri i personave që shkojnë dhe marrin pjesë në qendrat e formimit profesional. Vetëm në Tiranë, brenda një viti trajnoheshin në qendrat e profesionale 189 vetë. Vetëm në një nga qendrat tona, në një javë trajnohen mbi 380 vetë”, tha ministri Veliaj. I cili ka rikonfrimuar mbështetjen e fortë për punësimin.
Shkrimi u publikua sot (26.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)