TIRANË- Ish-sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, njëherazi edhe ish-deputeti i PS, Alqi Bllako dënohet me 4 vite burg nga GJKKO për inceneratorin e Tiranës. Bllako përfiton nga gjykimi i shkurtuar dhe do kryejë 2 vite e 8 muaj burg.
Bllako shpallet fajtor për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë dhe të zgjedhurve vendorë, gjatë kohës kur ka mbajtur postin e ish-Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit.
Bllako shpallet fajtor për korrupsion pasiv në 2 raste, një pagese prej 120 mijë eurosh nga kompania e Klodian Zotos për fabrikën e birrës së babait të ish-deputetit të PS dhe punësimi po nga biznesmeni Klodian Zoto si këshilltar i jashtëm i Vladimir Bezhanit me ndikim të Bllakos. SPAK kërkoi për Alqi Bllakon dënimin me 5 vite burg, ndërsa ky i fundit nuk ka pranuar akuzat.

Bllako po ashtu është dënuar me 4 vite burg edhe për Inceneratorin e Elbasanit për akuzën shpërdorim detyre. Për shkak të gjykimit të shkurtuar edhe në çështjen e Inceneratorit të Elbasanit dënimi iu konvertua në 2 vite e 8 muaj burgim, ndërsa vijon gjykimi për të për inceneratorin e Fierit.
Po për të njëjtën dosje të inceneratorit të Tiranës, por mëvetësisht, po gjykohen edhe 9 persona të tjerë, përfshi ish-ministrin Lefter Koka, për të cilët SPAK në pretencën e 7 shkurtit kërkoi 26 vite burg në total. Për ish-ministrin u kërkuan 4 vite burgim.
Komente

