Ky dokument ka parashikuar edhe ndryshimet që vijnë për kategori të veçanta. Kështu, shuma minimale mujore e kontributit të sigurimit shëndetësor për të vetëpunësuari dhe për pjesëtarët e familjes të patrajtuar me pagë, me përjashtim të të vetpunësuarve në bujqësi, të jetë 3.4 për qind e dyfishit të pagës minimale mujore, e barabartë me 1 320 lekë. “I vetëpunësuari, i vetëpunësuari në ortakëri, i vetëpunësuari, që punëson të tretë duke filluar nga data 1.8.2014 e në vazhdim, të paguajë për vete një kontribut të detyrueshëm për sigurimet shoqërore, në masën 23 për qind të pagës mujore minimale prej 19 406, kurse për sigurimet 3.4 për qind e dyfishit të pagës minimale mujore, e barabartë me 1 320 lekë në muaj.
Por në vendimin e këshillit të Ministrave është parashikuar lehtësi për të punësuarit në bujqësi në zonat malore të cilët do të kenë një pagesë kontributesh më të ulët. “Të vetëpunësuarit në bujqësi, nga data 1.8.2014 e në vazhdim, të derdhin kontribut vjetor për sigurimet shoqërore, në masën 33 000 lekë, me përjashtim të të vetëpunësuarve, që banojnë në rrethet Bulqizë, Dibër, Gramsh, Has, Kolonjë, Kukës, Librazhd, Malësi e Madhe, Mat, Mirditë, Pukë, Skrapar, Tepelenë dhe Tropojë, për të cilët masa e kontributit vjetor është 25 300 lekë. Paga minimale jepet për 174 orë pune në muaj të kryera gjatë kohës normale të punës.
Programet e punësimit, kritere të reja për aplikuesit
Një sërë kriteresh të reja parashikohen për të gjitha ata persona të cilët do të aplikojnë në programet e punësimit. Kështu, sipas një vendimi të qeverisë të miratuar dje në programet e punësimit mund të aplikojnë personat juridikë/fizikë, të cilët kanë detyrime ndaj organeve tatimore, por në momentin e aplikimit në këtë program kanë lidhur marrëveshjet përkatëse për shlyerjen e këtyre detyrimeve dhe janë të rregullt në shlyerjen e tyre. Po kështu edhe personat që kanë shlyer detyrimet, por kanë ende pa paguar gjobat.
Kategoria e tretë që përfshin VKM është për ata persona juridike apo fizike të cilët kanë shlyer detyrimet ose kanë vendosur garanci bankare për shumën e plotë të detyrimit, në përputhje me nenin 107, të ligjit nr.9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe janë në proces të apelimit administrativ dhe në procese gjyqësore me organet tatimore. Këta persona duhet të jenë të pajisur me vërtetimet e lëshuara nga organet tatimore, si dhe me dokumentet përkatëse të pagesës së detyrimeve.” thuhet në VKM.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 10 Korrik 2014
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)
