Inflacioni në vend arriti në 3.4% gjatë muajit korrik, duke mbetur mbi mesataren e Bashkimit Europian. Të dhënat më të fundit të INSTAT të publikuara sot tregojnë se rritja e çmimeve vijon të udhëhiqet nga produktet ushqimore, ndërsa gjatë sezonit veror janë shtrenjtuar edhe transporti, restorantet dhe shërbimet e akomodimit.
Grupi "Ushqime dhe pije joalkoolike" dha kontributin më të madh në rritjen e inflacionit, me 1.09 pikë përqindje. Krahasuar me korrikun e një viti më parë, çmimet në këtë kategori u rritën me 3.2%, duke vazhduar të kenë ndikimin më të madh në buxhetin e familjeve shqiptare.
Përtej ushqimeve, korriku ka sjellë rritje çmimesh edhe në sektorët që lidhen drejtpërdrejt me sezonin turistik.
Transporti rezulton 4.6% më i shtrenjtë se një vit më parë, ndërsa restorantet dhe shërbimet e akomodimit janë rritur me 3.6%, duke reflektuar edhe kërkesën më të lartë gjatë muajve të verës. Rritje kanë shënuar edhe pijet alkoolike dhe duhani me 4.5%, shërbimet arsimore me 3.3% dhe kujdesi personal me 3.5%.
Ndërkohë, rritjen më të madhe në përqindje e ka regjistruar grupi "Argëtim, sport dhe kulturë", me 8.5%.
Pesha më e madhe e shërbimeve të lidhura me turizmin në këtë tregues lidhet edhe me mënyrën se si llogaritet Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit. Ndryshe nga Indeksi Kombëtar i Çmimeve të Konsumit, ai përfshin edhe shpenzimet e turistëve të huaj në Shqipëri. Për këtë arsye, restorantet dhe shërbimet e akomodimit zënë rreth 14.5% të peshës së indeksit të harmonizuar, ndërsa në indeksin kombëtar kjo peshë është vetëm 5.7%.
Në nivel mujor, INSTAT evidenton një zbutje të lehtë të çmimeve, me një rënie prej 0.1% krahasuar me qershorin. Kjo u ndikua kryesisht nga ulja e çmimeve të grupit "Informacioni dhe komunikimi" me 1.3%, "Veshje dhe këpucë" me 1.2% dhe "Ushqime dhe pije joalkoolike" me 0.9%. Në të njëjtën kohë, disa kategori shënuan rritje, ku transporti u shtrenjtua me 2.5%, ndërsa grupi "Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera" me 1%.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë









Komente
Komento