Një muaj luftë në lindjen e Mesme në Shqipëri është përkthyer në shtrenjtim të menjëhershëm të disa produkteve.

Inflacioni në muajin e lënë pas arriti në nivelin më të lartë që prej shkurtit të vitit 2024. INSTAT raporton se në mars çmimet u rritën me 2.6% në krahasim me vitin e kaluar, ose rreth 0.7% më shumë se në shkurt, kur lufta në Iran nuk kishte nisur.

Rritja e inflacionit ka ardhur kryesisht nga grupi i transportit, ku ka ndikimin mw tw madh karburanti. Me 7.5% është shtrenjtuar ky grup thuhet në raport, që është shifra më e lartë e regjistruar që prej dhjetorit të vitit 2022, kur ende bota ishte nën presionin e inflacionit të rritur prej luftës në Ukrainë.

Brenda këtij grupi, kontributin më të madh në rritjen e çmimeve e kanë dhënë karburantet, që janë shtrenjtuar me 9.5%, shtrenjtimi më i fortë prej dhjetorit 2022. Para se të niste lufta çmimi i naftës varionte nga 173-175 lekë litri dhe benzina deri 176 lekë litri. Ndërsa muaji mars u mbyll nën regjimin e Bordit të Transparencës me çmime 218 lekë litri për naftën dhe 181 lekë për benzinën, dhe aktualisht po tregtohet me 220 lekë për litër nafta.

Pas grupit të transportit, shtrenjtimin më të madh e kanë qiratë dhe energjia elektrike me 4.8% krahasuar me vjet. Në këtë kategori, shtrenjtimi udhëhiqet nga çmimet e qirave që në mars rezultuan 7.3% më të larta se vjet.

Kurse ushqimet sipas këtij raporti u kushtuan 1.3% më shumë se vjet, kjo për shkak se shtrenjtimi në disa produkte ushqimore nisi pas datës 20 mars, dhe ka kulmuar në ditët e para të prillit, ku për shembull domatet po konsiderohen produkt ‘luksi’ pasi çmimi i saj ka arritur 400 lekë/kg.

Pak ditë më parë, Banka e Shqipërisë u shpreh se ekonomia po përjeton një realitet të ri, dhe se zgjatja apo përshkallëzimi i konfliktit në lindjen e Mesme, do të sillnin pasoja serioze edhe për ekonominë tonë.