Shtrenjtimi i qirave dhe produkteve ushqimore patën ndikimin kryesor në rritjen e inflacionit në muajin e kaluar.  Sipas raportit të Institutit të Statistikave inflacioni në nëntor ishte 2.1%, ndërsa vjet në të njëjtin muaj ishte 2%.

"Rritja vjetore e çmimeve në muajin Nëntor është ndikuar kryesisht nga grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0,81 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +0,51 pikë përqindje", thotë INSTAT.

Krahasuar me vjet të gjitha kategoritë e mallrave kanë pësuar shtrenjtim por kryesojnë çmimet e qirave që u rritën me 4%. Një nga faktorët kryesor për shtrenjtimin e qirave sipas ekspertëve është turizmi, i cili ka rritur kërkesën për prona me qira.

“Krahasuar me muajin Nëntor 2024, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 4,0 %, pasuar nga grupet “Pije alkoolike dhe duhan” me 2,9 %, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 2,8 %, “Argëtim dhe kulturë” me 2,6 %, “Hotele, kafene dhe restorante” me 2,3 %, Shërbimi arsimor” me 1,9 %, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 1,6 %, “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 1,5 %, “Komunikimi” me 1,3 %, “Transporti” me 0,8 %, “Veshje dhe këpucë” dhe “Shëndeti” me 0,6 % secili”, thotë INSTAT.

Kurse brenda grupit të ushqimeve shtrenjtimin më të madh e kanë pasur bulmeti me 4.9%, dhe produktet e mishit me 2.9%.

“Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “Qumësht, djathë dhe vezë” patën një rritje me 4,9 %, pasuar nga nëngrupet “Vajra dhe yndyrna” me 4,6 %, “Peshk” me 3,3 %, “Mish” me 2,9 %”, thotë INSTAT.

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)