Influencer asgjëje, edhe në Shqipëri

Influencer asgjëje, edhe në Shqipëri

Blogerja italiane Chiara Ferragni

Kur Chiara Ferragni, blogere apo influencer (ndikuese) me miliona ndjekës në Instagram, hyri në shtëpinë e re në Milano, siç e do zakoni, bëri një video Live: dhoma e ndenjes, kuzhina, tarraca dhe... garderobat. Plot. Me rroba, këpucë, çanta, aksesorë të firmave më të mëdha e më të shtrenjta në botë. I kishte të gjitha me shumicë, në të gjitha ngjyrat dhe format. Video ishte lajm edhe në mediat serioze e prestigjoze si Corriere della Sera, apo La Repubblica.

E kush mund të injorojë shtëpinë e një blogere miliona ndjekësish si Ferragni? Në gjithë xhiron që Chiara bëri në shtëpi, nuk u pa për be as edhe një libër që rastësisht të ishte mbështetur në një divan, në një kënd librarie, në një pjesëzë kuzhine, në ballkon, në banjë. Asgjë. Chiara Ferragni e nis ditën e saj me fotot që vënë në dukje linjat perfekte që nëna natyrë i ka dhuruar, këmbët e gjata, e hollë, flokë bjondë e sy të gjelbër dhe me këtë fiton e ka joshur botën mbarë. Në fokus të fotografive edhe vogëlushi Leon, bashkëshorti këngëtar e reper i njohur Fedez.

Dhe vajzat e botës e imitojnë: Veshi Chiara Ferragni një bluzë të bardhë me viza? “Pse jo, thotë një adoleshente nga një provincë e Puljas, po e blej dhe unë, dukej aq bukur Chiara”. Edhe pse bluzja e bardhë me viza, e një marke të njohur botërore, e shtrenjtë sa më s’ka, në trupin e hollë e të gjatë të Ferragnit duket një mrekulli, ndërsa në trupin e shëndetshëm e të shkurtër të të resë nga provinca, ç’t’ju tregojmë se si ngjan. Por ç’rëndësi ka, dëmi tashmë është bërë: vajza ka shpenzuar shumë për bluzen firmato që pa se e kishte blerë idhulli i saj në Instagram.

Fotot e bukura sot në rrjete sociale, por edhe dje, të yjeve të Hollivudit, përherë kanë bërë të ëndërrojnë miliona në botë,edhe pse, shpesh me superetushimet, me zgjatjet e këmbëve e heqjen e celuliteve, tregojnë atë që në të vërtetë këto yje jo përherë kanë qenë: kaq të bukur e perfektë. Por nga aktoret dhe artistët e filmit e të skenës, tek yjet e asgjëje, është një zhytje në humnerë e tendencave botërore. Dhe ky është trishtimi dhe marrëzia që nuk dihet sa do të zgjasë e nuk dihet se kur masat do të hapin sytë e të neverisin përgjithmonë ndikuesit e asgjëje më shumë, se instikteve të ulëta njerëzore: babëzisë për të pasur sa më shumë, zilisë për të qenë e bukur dhe e veshur firmato si Ato, blogeret apo influencerat në Instagram.

E nisi Kim Kardashian dhe e gjithë familja e saj që në epoka të tjera, në mungesë rrjetesh sociale, nuk do të ishte shumë më shumë se një shtëpiake e dëshpëruar. Sot, ajo ndikon. Rrit numrin e ndjekeseve dhe pasurinë duke bërë asgjë veç fotografive apo skenave prej telenovelash live. Dhe masa e dashuron. Në rrugë, edhe në Tiranë, sheh të reja me streçe e pantallona të ngjitura që nxjerrin në pah të pasmet e ekzagjeruara, që dikur do të kishin gjetur të gjitha veshjet e mënyrat për t’i fshehur apo për të mos rënë në sy. Sot jo. “Vishem kështu, sepse kështu bën Kim Kardiashian”.

Prej disa vitesh miniKim e miniChiara Ferragni kanë nisur të shfaqen edhe në “katundin” tonë. Vajza që nuk bëjnë asgjë veç kaljnë ditët duke marrë e dhënë veshje nëpër dyqanet e Tiranës për të bërë foto në Instagram. Më qëlloi të isha në kafet e një qëndre të rëndësishme tregtare, kur bashkëbiseduesja ime do të ndërpriste bisedën e të shkonte: Ika t’i jap ca veshje kësaj “zhulses”, e kur u kthye më shpjegoi që ishte një blogere që kishte shumë ndjekës në Instagram, bënte foto, paguhej në clering, pra merrte veshje here pas here, por kishte një problem: Veshjet që do të përdorte dhe të kthente në dyqan, i sillte shumë pis. Mendoni të kesh idhull një vajzë që nuk lahet. Por kjo mesa duket nuk ka rëndësi, papastërtia nuk del në fotot në Instagram.

Një tjetër blogere, nga ato që përmuaj bëjnë ndërhyrje estetike në trup e fytyrë, e ne Instagram kanë ndjekës e duken yje, ishte ftuar në radhën e parë nga organizatorët e një spektakli baleti. Kush nuk dëshiron të ketë të ftuar një influencer me mijëra ndjekës edhe në Shqipëri, edhe pse për balet apo për një libër, nuk do të flasin kurrë. E pra, dritat e teatrit nuk ishin të përshtatshme për fytyrën e blogeres që në instagram del si një yll. Dritat ose më mirë gjysmëerrësira, vajzën e tregonte me një fytyrë sikur në të të ishin fshehur dunat e Saharasë. Një horror i papritur për ata që e kishin parë ndryshe në fotografi. Mesa duket, vetë blogerja e njihte efektin e asaj drite dhe ja mbathi me shpejtësi. Spektaklin ose nuk e pa, ose e ndoqi në errësirën e radhëve të fundit.

Dikur, të rinjtë e të rejat ndiqnin një shkrimtar, një artist, një këngëtar, njerëz me vlera artistike dhe shpirtërore. Dikur ishte arti që shkëpuste nga realiteti dhe çonte miliona në një botë magjike, ëndrrash e përmirësimi shpirtëror. Cilët janë ata që frymëzojnë sot miliona të rinj e të reja në botë, por edhe në Shqipërinë tonë? Mjafton të hedhësh një sy në Instagram: Shitës rrobash firmato e propagandues vendesh luksi. Të një jete fake, të kapshme për fare pak njerëz, e shpesh, as për blogerat vetë. Por me si guri, nga kjo letargji, do të zgjohen disa.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja