Prej ditës së sotme dhe në vazhdim do të rriten kontrollet në linjat e transportit urban dhe në shërbimet taksi. Lajmi është konfirmuar nga ministri i Transportit Edmond Haxhinasto në kuadër të luftës kundër informalitetit.

Haxhinasto zhvilloi një takim me punonjës të policisë “gri”, një strukturë e posaçme pranë kësaj ministrie, të cilët janë të angazhuar në zbatimin e operacionit në luftën ndaj informalitetit.

Haxhinasto theksoi se ky sektor është i përfshirë nga informaliteti shumë i lartë por u shpreh i bindur se ky informalitet do të jetë në rënie për shkak të kontrolleve të shpeshta.

 “Sektori i transportit ende vuan nga një informalitet i lartë. Po bëhet një raportim periodik nga ana e shërbimeve përkatëse mbi kontrollet. Në sektorët e sipërcituar ka ende informalitet të lartë, por jam i bindur që shumë shpejt ky informalitet do të jetë në rënie, pasi angazhimi i shërbimit të transportit do të fokusohet edhe më shumë në zbatim të ligjit dhe të penaliteteve përkatëse. Do të ketë kontrolle më të shumta në linjat urbane për dhënien e biletave, do të ketë kontroll në shërbimet taksi për përdorimin e tahografeve”, tha Haxhinasto.

Ministri Haxhinasto tha se kontrolle duhet të kenë një vëmëndje të madhe ndaj transportit të fëmijëve nëpër shkolla, ndërsa shtoi se kjo do të realizohet në bashkëpunim me forcat e qarkullimit në Tiranë.

Forcimi i masave kundër informalitetit në fushën e transportit, ka si qëllimi ofrimin e një shërbimi cilësor për qytetarët, rregullimin e tregut në interes të operatorëve të transportit, si dhe siguri më të madhe në transport, veçanërisht për fëmijët” përfundoi Haxhinasto.

Redaksia Online
(o.m/shqiptarja.com)