TIRANË- Në konferencën "Innovation in Albania / Challenges & Opportunities", organizuar ditën e martë nga Universiteti i Tiranës në kuadër të projektit "Pacinno", në Hotel Tirana, u nënvizua roli i inovacionit në zhvillimin ekonomik.
Në konferencën e parë në këtë kuadër, morën pjesë përfaqësues nga 8 vende të Adriatikut, Ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule dhe Kryetari i Dhomës së Tregtisë në Tiranë, Nikolin Jaka.
Ministrja Nikolla gjatë fjalës së saj u ndal tek rëndësia e konferencës. "Ky është një projekt ambicioz dhe mjaft i rëndësishëm për fuqizimin e marrëdhënieve akademike dhe intuticioneve kërkimore. Instuticionet arsimore duhet të inkurajojnë të rinjtë duke krijuar mundësi pjesëmarrëse në projektet e domosdoshme për aftësimin e tyre, duke synuar që Universiteti të jetë epiqendra e inovacionit", u shpreh Ministrja e Arsimit Nikolla.
Duke iu drejtuar të rinjve, Ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, u ndal tek punësimi dhe inovacioni si prioritete kryesore të zhvillimit.
"Sot kompanitë më të sukseshme nuk janë kompanitë që shesin mallra, por kompanitë që shesin botën virtuale si psh google", ndaj sipas Veliaj, me " regjstrimin e 1078 të rinjve në shkolla profesionale për teknologji informacioni, kjo mund të jetë një sinjal pozitiv për t'u bërë si Estonia, e cila vetëm më një kompani si Skype, arriti shumë më shumë se gjysma e GDP-së së Shqipërisë, vetëm me shitjen Skype".
Ndërsa Dhori Kule, Rektori i Universitetit të Tiranës u ndal tek roli që universiteti duhet të luajë në zhvillimin e metodave kërkimore. Kule tha se "inovacioni nuk nënkupton vetëm teknologji, por një bashkëpunim të denjë dhe të organizuar, një aftësim dhe vënien e aftësive teorike në praktikë si dhe nxitje të potencialit njerëzor në zhvillimin e vendit".
Duke qenë se Shqipëria ka një popullsi të re, për Kryetarin e Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka, mbetet i domosdoshëm edukimi, në mënyrë që të mund të forcojmë marrëdhëniet ndërmjet institucioneve, jo vetëm në Shqipëri por edhe në rajon.Gjithashtu, Jaka bëri me dije së në datën 3, 4 dhe 5 tetor do të organizohet një panair në shërbim të inovacionit, në bashkëpunim midis dy Ministrive, Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Dhomës së Tregtisë.
Kjo konferencë zhvillohet në kuadër të Platformës për bashkëpunimin trans-Akademik në Inovacion, me mbështetje të IPA Adriatic Cross-border Cooperation Programme.
Projekti PACINNO, i financuar nga Komisioni Europian me anë të programit IPA ADRIATIC CBC ka për qëllim krijimin e një platforme për bashkëpunim në fushën e kërkimit dhe inovacionit, që mbulon të gjithë rajonin e Adriatikut.
Gjithashtu ky projekt ka për qëllim zhvillimin e urave të reja, duke targetuar prodhuesit e politikave dhe subjektet e biznesit, midis aktiviteteve kërkimore dhe shkencore, të kryera në institucionet akademike si edhe sistemin ekonomik, me interes të veçantë nevojat teknologjike të SME-ve./ATSh/