Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, ka vizituar kantierin e shtëpive të reja në Golem, një nga zonat më të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit.
Ahmetaj deklaron se puna për rindërtimin e banesave individuale ka nisur paralelisht edhe në njësitë e tjera, Luz, Helmas, Synej dhe në qytetin e Kavajës, ndërsa vijojnë me ritme të shpejta punimet për rindërtimin e infrastrukturës në dy zonat e reja zhvillimore, Kavajë dhe Golem, ku në fund të shtatorit do të hidhen edhe themelet e ndërtimit të pallateve të reja për afro 400 familje.
"Aktualisht e gjithë zona e prekur është një kantier i madh pune, solidariteti, angazhimi historik të qeverisë shqiptare, për njerëzit dhe me njerëzit", shkruan Ahmetaj.
Ministri për Rindërtimin është nlur për të parë punimet e një shtëpie në Golem. Në videon e publikuar ai thotë se qeveria dhe Kryeministri janë fokusuar çdo ditë tek rindërtimi. Sipas tij, nuk është gusht, por është ditë pune.
"Këtu jemi në njësinë administrative në Golem të Kavajës, në pjesën e kodrave. Këtu jemi në zonën ku do të ndërtohen 19 njësi individuale. Në të gjithë Bashkinë e Kavajës janë mbi 140 njësi individuale që do të ndërtohen. Këtu jemi tek themelet e shtëpisë së Adem Begesë që humbi shtëpinë të ndërtuar që në 1966. Ritmi i ndërtimit të njësive individuale është përshpejtuar. Sigurisht që terrenet nuk janë të gjitha njëlloj, ky është një terren relativisht i vështirë, megjithatë puna po ecën. Në krye të 6 javëve Ademi dhe familja e tij do të futen në shtëpinë e tyre. Ashtu siç u kemi premtuar mbi 3600 familje, deri në fund të këtij viti një pjesë e mirë e familjeve që kanë humbur shtëpitë në tërmetin e 26 nëntorit, do të futen në shtëpinë e tyre të festojnë vitin e ri në shtëpitë e tyre të reja. Me shkollat siç e kemi theksuar po ecim në të gjithë territorin me 143 shkolla dhe me pallatet ne fillojmë menjëherë në fund të shtatorit, ose në javën e parë të tetorit. Asnjë qytetar nuk është vetëm. Qeveria dhe kryeministri çdo ditë fokusohet tek rindërtimi. Nuk është gusht, është ditë pune.", deklaroi Ahmetaj.