Aktivitetet në industrinë nxjerrëse ndikuan në rritjen e shifrës së afarizmit në volum, në grupin e Industrisë, në 3-mujorin e dytë.

Sipas INSTAT, në industrinë nxjerrëse dhe përpunuese shifra e afarizmit u rrit me 8,5 %, krahasuar me tremujorin e dytë 2013, ku vetëm industria nxjerrëse u rrit me 20,4 %. Me rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, rezultojnë dhe aktiviteti "Grumbullimi, trajtimi dhe furnizimi me ujë" me 9,8 % më shumë, ndërsa është ulur me 9,7% shifra e afarizmit për grupin "Energji elektrike, gaz, avull dhe furnizim me ajër të kondicionuar".

Në 3-mujorin e dytë 2014 volumi i prodhimit industrial u rrit me 4,3 %, ndërsa volumi i prodhimit të energjisë elektrike shënoi rënie me 38,0 %, krahasuar me tremujorin e dytë 2013.

Numri i të punësuarve me pagesë në ndërmarrjet e aktivitetit "Industri" (ku përfshihen industria nxjerrëse dhe përpunuese) u rrit 21,0 % më shumë, krahasuar me tremujorin e dytë 2013. Ndikimin kryesor e dha rritja e treguesit në "Industri Përpunuese", në "Energji elektrike, gaz, avull dhe furnizim me ajër të kondicionuar" me 8,8% dhe "Grumbullimi, trajtimi dhe furnizimi me ujë" me 6,1 %.

Niveli i fondit të pagave u rrit me 18,5 % në "Industri", 24,3 % në "Energji elektrike, gaz, avull dhe furnizim me ajër të kondicionuar" dhe 8,7 % në "Grumbullimi, trajtimi dhe furnizimi me ujë".

Ndryshimi tremujor i indeksit të shifrës së afarizmit në volum në industri paraqitet me 16,4% rritje, ku degët "Industri Nxjerrëse" u rritën me 16,6% dhe "Përpunuese" me 16,3 %. Në grupin e aktiviteteve prodhuese "Grumbullimi, trajtimi dhe furnizimi me ujë" shifra e afarizmit u rrit 8,5 %, ndërsa me ulje 12,4% u shënua në aktivitetin "Energji elektrike, gaz, avull dhe furnizim me ajër të kondicionuar".

Me një rritje prej 2,8 % rezulton numri i të punësuarve me pagesë në ndërmarrjet e aktivitetit "Industri", rritje e cila vjen kryesisht nga ndikimi i Industrisë Përpunuese. Ky tregues paraqitet me një rritje prej 0,6 % në Energjinë elektrike, gazin dhe avullin dhe rritje prej 1,0 % në aktivitetin e Grumbullimit dhe furnizimit me ujë. Fondi i pagave shënoi rritje në aktivitetet "Industri", "Energji elektrike" dhe "Grumbullimi dhe furnizimi me ujë", me 5,9 %, 6,1 % dhe 9,3 %.

ATSH